Me termin dhe me tahmin

Kovidi në Kosovë


Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Mjekët e dinë se ka dy mënyra me punu: me ter­min edhe pa termin.

Kur e cakton terminin, pacienti e din se kur, për çka edhe si ka me u trajtu. Kur nuk cakton ter­min, pret në rend, por s’e din a ka me i ardhë re­n­di, as kur ka me i ardhë, as për çka saktë ka me u trajtu, as si ka me u traj­tu. Kësaj pu­nës pa ter­min mujmë me i thënë ndry­she me tahmin.

E kështu është edhe qeveria. Ka qeveri me ter­min, ka qeveri me tahmin.

Fjala termin nuk domethënë veç dita edhe koha kur kry­het një punë. Ter­mi­ni nën­kup­ton edhe kufi, cak, synim, a që­llim të qartë që qeveria ia qet vetes edhe e mbërrin me punë.

Kurse tahmin i bjen hamendje, i bjen kuturú — me ta marrë men­dja, me ia qëllu, me supozu, me spekulu, por jo me ditë saktë.

E tahminit, thonë atdhetarët, është kabi­neti i kotë e i kobtë që ka marrë pu­sh­te­tin në Dardani. Para 3 qer­sho­rit, patëm një qeveri që punonte me ter­min. Tash kemi një kinse-qeveri që mundohet me ia qëllu me tahmin.

Kurrkund ma mirë nuk shpërfaqet kjo mjegulli e zt. Hoti se në rishi­ki­min e bu­xhetit dhe në mena­xhi­min e pan­de­misë. Kabineti qe­­ve­ri­tar po i para­qet këto si çështje të ndërlidhura, por po i kur­dis në atë mënyrë që me i pen­gu njëra-tjetrës.

Sepse këta po i kërkojnë Kuvendit ta miratojë buxhe­tin e rishi­kuar për shkak të pandemisë, e në të njëj­tën kohë po lypin me i pre paret për shëndetësi.

Të flasim me shifra:

  • Qeveria Kurti ndau gati 3,5 milionë për shër­bi­met e kuj­desit pa­rë­sor; buxheti i rishikuar i zbret nën 3 milionë.
  • Qeveria Kurti ndau gati 4,5 milionë për pro­gra­met e shën­detit pu­blik; buxheti i ri­shikuar i zbret në 4 milionë.
  • Qeveria Kurti ndau gati 4,7 milionë për af­të­si­min spe­ci­a­listik të mje­kë­ve; bu­xhe­ti i ri­shi­kuar i zbret për 1 milion.
  • Qeveria Kurti ndau gati 119 milionë për Shër­bimin Spi­ta­lor e Kli­nik; bu­xheti i rishikuar zbret edhe këtu nja 1 milion.

Janë këto rënie të vogla në përqindje, por gjigante në kohë mur­taje, kur ne­vojat e shëndetësisë shkojnë tue hypë.

Janë rritë disa numra te barnat, sepse aty ka ten­dere dhe aty mund të vi­dhet ma shumë. Por hiq projektet e sub­ven­ci­onet për jaranat politikë, thuj­se për gjith­çka ka ma pak pare.

Ndarjet për rezervat shtetërore i kanë pre për 20 për qind. Pa­ret për ndër­marr­jet e ujit e të mbe­tu­ri­nave i kanë shkur­tu për një çerek. Kanë caktu ma pak edhe për mje­disin. I kanë krasitë rrastë mjetet për lu­mej­të. Dhe i kanë përgjysmu fon­det për mbrojtjen juridike në gjy­ka­tën spe­ci­a­le, në kohën kur janë para­lajmëru 10 të akuzuar.

Buxheti i rishikuar ka shkurtime në çdo kategori. Por të njëjtën kohë ka një linjë të re për 308 mili­onë euro — gati 7 herë buxheti i Mi­nis­t­risë së Shë­n­­de­të­sisë — për shpen­zime që s’dihet se ku do të shkojnë.

Kjo qeveri na i thotë dy gjëra: se 308-milionëshi është për «Pro­gra­min e ri­më­­këmbjes ekonomike» dhe se 100 e sa mi­lionë do t’i marrë borxh, se nuk i ka. (Tok me do ndar­je të tjera, bëhen krejt 385 mi­lionë për ri­më­kë­m­bjen, ani pse z. Hoti pat thënë sa ka me i derdhë 1,2 mi­li­ardë në eko­no­mi.) Por se çfarë për­mban pro­grami e si do ta rimë­këmbë eko­no­minë, s’na tregon dot. Sepse nuk din.

Ne padyshim dëshirojmë ta ndreqin ekonominë e ta zhvi­llojmë vendin. Por kjo punë lyp termin.

Qeveria jolegjitime po lyp buxhet me tah­­min, që ta shpe­n­zojë kudo e për çka­do, sido e për këdo, veç për qytetarin e për Re­pu­blikën e Ko­so­vës jo.

Qeveri me tahmin, buxhet me tahmin, shëndetësi me tahmin.

A do të shpëtojmë? Epidemiologët po na thonë: i kemi pu­nët keq. A hel­be­tologët e pushtetit: hel­bete, me tah­min, s’na gjen gjë!