Votimi elektronik dhe zgjedhjet presidenciale



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Nëse arrin të zbatojë votimin dhe numërimin elektronik, Kosova do ta kishte më të lehtë organizimin e zgjedhjeve presidenciale sipas një sistemi preferencial, ku zgjedhësit radhisin kandidatët e tyre të parapëlqyer në vend se të përcaktohen për një të vetëm. Kësisoj, përveçse mundësohet zgjedhja e një presidenti me përkrahjen e shumicës së votuesve, praktikisht shmanget edhe nevoja për raund të dytë balotazhi bashkë me të metat e këtij sistemi dyfazësh.

Washington, D.C. — Në një tryezë të rrumbullakët kohëve të fundit, Prof. Arsim Bajrami foli për një çështje të rëndësishme të reformës zgjedhore në Kosovë. Duke fituar përkrahjen edhe të rivalëve politikë, deputeti i PDK-së paraqiti votimin elektronik si mundësi për mënjanimin e telasheve të zgjedhjeve të fundit.

Se sa është vendi ynë në gjendje të organizojë zgjedhje me këtë mënyrë votimi mbetet përcaktuesi kryesor i zbatimit të saj të mundshëm. Por se çfarë mundësish shtesë i ofron demokracisë sonë votimi elektronik është po ashtu me rëndësi për t’u shqyrtuar, sidomos në prag të reformave madhore në sistemin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Nëse arrin të sigurohet numërim i saktë i votave, reforma zgjedhore mund të parashohë zbatimin e sistemeve më të ndërlikuara por që mundësojnë zgjedhjen e kandidatëve me më shumë përkrahje të qytetarëve.

Duke pasur parasysh përkrahjen e kufizuar të udhëheqësve tanë politikë, zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli mund të paraqesë sfidë për hartuesit e sistemit të ri zgjedhor. Opsioni klasik që mbase do të zbatohet është ai i votimit me dy raunde, i përdorur për zgjedhjet e kryetarëve të komunave, që në rast se asnjë kandidat nuk fiton shumicën e votave, dy më të votuarit përballen me njëri-tjetrin në një raund të ri balotazhi.

Ky sistem dyradhësh siguron që kandidati fitues të ketë përkrahjen e shumicës së zgjedhësve (50 përqind + 1). Por, meqë në balotazh marrin pjesë vetëm dy kandidatët që kanë grumbulluar më së shumti vota në raundin e parë, mënjanohen zgjedhje të tjera që mund të jenë më të pëlqyeshme për votuesit. Me fjalë të tjera, edhe pse kandidatët A dhe B marrin më së shumti vota dhe kalojnë në rrethin e dytë, një kandidat i tretë do të mund të ishte fitues i balotazhit përballë cilitdo garues. Mirëpo në mungesë të opsioneve të tjera, zgjedhësit detyrohen të votojnë për njërin nga kandidatët A dhe B.

Se një gjë e tillë ndodh në praktikë, mund të na rrëfejnë francezët që ngritën spekulimet se Presidenti Jacques Chirac nuk ishte kandidati më konsensual në zgjedhjet e vitit 2002. Mirëpo duke qenë se në balotazh pati përballë kandidatin e ekstremit të djathtë, Jean-Marie Le Pen, Chiracu grumbulloi mbi 82 përqind të votave, ndonëse për shumë zgjedhës ishte vetëm “e keqja më e vogël”. Ndryshe parashikohej të ishte baraspesha e votave nëse në balotazh do të ndesheshin Chiracu dhe konkurrenti socialist, Lionel Jospin, i cili u eliminua në radhën e parë si pasojë e përçarjeve të votës së majtë.

Në Kosovë shumë prej partive nuk janë të profilizuara në spektrin politik, por ndarja e votave mes subjekteve e kandidatëve me synime të përafërta mund të çojë në zgjedhjen e zyrtarëve të papëlqyer. Me shkapërderdhjen e udhëheqësve politikë në një numër partish–asnjëra prej të cilave nuk ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të pasluftës–është i domosdoshëm një mekanizëm për zgjedhjen e një kreu të shtetit që përfaqëson njëmend “unitetin e popullit”.

Sistemet preferenciale, që mundësojnë radhitjen e kandidatëve sipas pëlqimit në vend të përcaktimit për një kandidat të vetëm, mund të shërbejnë për të zgjedhur një kryetar që ka përkrahje më të gjerë të popullit. Në veçanti, lloji alternativ i votimit preferencial mundëson shmangien e gjasshme të balotazhit dhe zgjedhjen e një kandidati me shumicë votash.

I njohur ndryshe edhe si balotazhi i atypëratyshëm (instant-runoff voting), ky sistem lejon votuesit të radhisin kandidatët e parapëlqyer në vend se të përcaktohen për një të vetëm. Zgjedhësi radhit zakonisht tre kandidatë: 1) më të dëshiruarin, 2) opsionin e dytë, në rast se dështon i pari dhe 3) opsionin e tretë, në rast se dështojnë dy të parët. Kësisoj, ka fort të ngjarë që votuesi të mos detyrohet të marrë pjesë në një balotazh ku duhet të zgjedhë mes dy të këqijave.

Sikur edhe në sistemet klasike, konkurrenti fitues është ai që është radhitur si zgjedhje e parë nga shumica e votuesve (mbi 50 përqind). Mirëpo në rast se asnjëri nga kandidatët nuk është më i preferuari i shumicës, atëherë eliminohet ai që më së paku herë është radhitur si zgjedhje e parë e votuesve dhe bëhet rinumërimi i votave. Për fletëvotimet ku kandidati i eliminuar është radhitur i pari, merret parasysh zgjedhja e dytë. Nëse sërish nuk ka kandidat fitues, atëherë eliminohet prapë garuesi me më së paku vota dhe aty ku është eliminuar zgjedhja dytë, llogaritet e treta. Rinumërimet mund të vazhdojnë deri sa të nxirret një fitues me përkrahjen e shumicës së votuesve.

Në teori, është e mundshme që ngadhënjimtari të mos tubojë 50 përqind + 1 nga të gjitha votat e vlefshme. Por për një rast të tillë do të duhej një numër tejet i madh i kandidatëve që grumbullojnë secili numër të vogël të votave. Kështu që pas disa xhirosh numërimi, mund të eliminohen të tre kandidatët e radhitur në një fletëvotim, duke e shndërruar atë në votë të djegur. Kjo rrethanë, që ka pak gjasa në praktikë, mund të krahasohet edhe me sistemin klasik dyraundësh, ku një numër zgjedhësish që kanë votuar për kandidatë tashmë të eliminuar mund të mos marrin pjesë në balotazh. Por në anën tjetër, mund të paralajmërojë nevojën për një balotazh të ri, me ç’rast do të jenë përcaktuar të paktën dy kandidatë shumë më konsensualë për të garuar në një raund të dytë zgjedhjesh.

Sidoqoftë, sfida kryesore nuk janë gjasat mos me nxjerrë fitues me shumicë votash, por mundësitë që i tërë sistemi të zbatohet në Kosovë. Votimi dhe numërimi sipas sistemit alternativ janë të koklavitur dhe mund të shkaktojnë huti si te zgjedhësit ashtu edhe tek organizatorët. Puna rëndohet edhe më tej kur kihen parasysh rrethanat e mbajtjes së zgjedhjeve në vendin tonë dhe përvoja e hidhur me votimet e fundit, çka e bën sistemin jashtëzakonisht të papërshtatshëm për t’u zbatuar kryekëput nga dora e njeriut. Por në rast se shqyrtohet mundësia e votimit dhe numërimit elektronik, që pritet të mënjanojë disa nga problemet e mëparshme, sistemi preferencial nuk duhet lënë anash.

Votimi alternativ, për ata që mund ta zbatojnë pa u ngatërruar edhe më keq, ofron shumë përparësi: më shumë kandidatë apo zgjedhje politike për votuesit dhe mundësi të shmangies së balotazhit. Votuesi ka mundësi të mbështesë një kandidat pa e çuar votën huq. Po ashtu, nuk ka vend as për frikë a druajtje se zgjedhësi po ndan votat e kandidatëve ideologjikisht të përafërt dhe po ndihmon kundërshtarin e tyre. Ndërsa vetë kandidatët do të ruhen nga fushata negative e kritikat pavend, sepse shpresojnë të fitojnë përkrahje edhe nga mbështetësit e një rivali.

Në nivelin organizativ–pa llogaritur shpenzimet për votim elektronik–sistemi ul koston e mbajtjes së zgjedhjeve duke iu shmangur balotazhit. Ndërsa vetë balotazhi i atypëratyshëm mundëson rritjen e pjesëmarrjes duke i bërë lak lodhjes së votuesve dhe duke mos ua fshirë nga lista kandidatët e preferuar. E unë vetë dhe të gjithë ata që do të votojnë me kusht nga jashtë shtetit do të shpëtonim nga ngadalësia e postës që shpesh nuk na i dërgon zarfet me fletëvotime në kohë për balotazhin që zhvillohet me aq ngut.

(Autori është gazetar i pavarur në Washington.)

Botu fillimisht në bllog vetjak, më 28 prill 2011