Komisia Letrare Shqipe dhe gjuha standarde shqipe e elbasanishtes
1. Propozimi për krijimin e një gjuhe standarde shqipe asht dhënë në Kongresin e Elbasanit, i cili u mbajt me 2-8 shtator 1909. Por një punë e njëmendët për standardizimin praktik, zyrtar të gjuhës shqipe ka nisë me 1 shtator 1916 nga Komisia Letrare Shqipe (shkurt: KLSh). Anëtarë të Komisisë kanë qenë: Gjergj Pekmezi (kryetar; një vit ma vonë këtë detyrë e mori Luigj Gurakuqi), Luigj Gurakuqi, Sotir Peçi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Mati Logoreci, Ambroz Marlaskaj, Hilë Mosi, Luigj Naraçi, Anton Paluca, Ali Korça, Aleksandër Xhuvani, Vinçenç Prendushi, Sali Nivica, Josif Haxhimima, Maximilian Lambertzi dhe Rajko Nachtigalli. Komisia punoi deri me 22 maj 1918, tue ba 63 mbledhje, pra, mesatarisht nga një takim gati çdo 11 ditë.
Gjergj Pekmezi në mbledhjen e datës 11 dhjetor 1916 shtroi kështu çështjen për përzgjedhjen e bazës së shqipes standarde:
1) me marrë për bazë një dialekt të shqipes,
2) me i lënë dy dialektet m’u zhvillu e m’u fërku derisa të dalë një efekt i dëshiruar i përbashkët dhe
3) të merren parasysh vetëm ndryshimet tipike që gjuha i zhvillon spontanisht e me i shku mbas tue i normativizu.
2. Nga Komisia Letrare Shqipe u vendos që gjuhë standarde shqipe me qenë e folmja e Elbasanit, me propozimin e Luigj Gurakuqit dhe me miratimin e të gjithë anëtarëve. Ashtu qysh e kishte parashiku edhe Sami Frashëri në veprën tij ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’ësht’ dhe çdo të bëhetë’ kur thoshte se kryeqyteti duhej te ishte diku në mes të Shqipërisë: ‘me qënë që ndenjësit e-ti do të jenë të mbledhur nga gjithë anët’ e Shqipërisë dhe gjuha që të flitet atje do të jet’ e përzjerë, që të muntnjë të quhet’ e përgjithçime e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë’. Pse e folmja e Elbasanit? Sepse kjo e folme ishte në qendër të të gjitha të folmeve tjera shqipe dhe ishte urë në mes të gegërishtes dhe toskërishtes. Jo më kot thuhej: ‘Turçja e Stambollit, shqipja e Elbasanit’ ishin të folmet më të lehta për t’u kuptu prej shumicës së banorëve të të dyja kombeve përkatëse.
3. Komisia Letrare Shqipe mori disa vendime themeltare për njësimin e drejtshkrimit të shqipes tue pasë parasysh gjithmonë të dyja dialektet ‘një ortografi sa ma tepër të përbashkët për të dy dialektet’ (mbledhja e datës 13.11.1916):
a) Grupet e bashkëtingëlloreve do të shkruheshin të plota: mb, nd e ng. Pra, ashtu qysh i kishte toskërishtja, dhe qysh i kishte pasë historikisht gegërishtja;
b) Togjet e zanoreve ue, ye dhe ie do të shkruheshin të plota ashtu qysh i kishte rujtë toskërishtja (përveç ue që në toskërishte ishte ua), e ndonjë nëndialekt i gegërishtes megjithëse në elbasanishte ishin rrudhë në u, y dhe i;
c) Vendosja dhe përdorimi i ë-jave të patheksuara të cilat gegërishtja nuk i kishte ma, por i kishte toskërishtja; ë-ja fundore në fjalët punë, vajzë, lugë; ë-ja e patheksuar në trup të fjalës: shëndet, këndue, rrëfye; ë-ja fundore do të përdorej edhe te mbiemrat: i butë, i mirë, i shpejtë etj.
ç) Gjatësia e zanoreve do të shënohej vetëm në vepra gjuhësore. (Gjatësia e zanoreve ishte një veçori kryesisht e gegërishtes);
d) formanti ‘u’ do të shkruhej i ndarë si ‘u lava’ dhe jo si deri atëherë ‘u-lava’;
dh) shkrimi i përemrave sot ka shumë pak ndryshime prej çfarë kanë janë vendosë në KLSh-ja;
e) emrat do të shkruheshin me bashkëtingëllore të zëshme: zog–zogu (jo zok – zogu), etj.
f) mbaresat rasore do të shkruheshin –së, –në, –të, qysh nuk i kishte elbasanishtja, por kjo bëhej m’iu afru toskërishtes.
(Nëse shikohet përgjithësisht, rregullat që vendos KLSh-ja paraqesin themelet e gjuhës së përbashkët shqipe dhe këto janë vendosë qysh me 1916. E ajo që duhet me u vërejtë me kujdes të veçantë asht që KLSh-ja e ka analizu çdo rregull, me idenë se ç’pasoja mun me pasë në gegërishte e në toskërishte. Këtë po e theksoj sepse kjo nuk ka me ndodhë ma me 1967/1972, kur gegërishtja nuk merret asnjëherë si referencë për çfarëdo vendimi.)
U botunë dy versione rregullash ‘Rregullat mbi orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme’ me 29 janar 1917 dhe tjetra me 13 gusht 1917.
Komisia Letrare Shqipe botoi edhe organin e saj ‘Laimet e Komisís Letrare Shqipe në Shkodër’ nr. 1, janar 1918. (Nga viti 1913 – 19120 ‘u botuan 86 gazeta, revista, vjetarë a buletine: në Vlorë 6, në Korçë 6, në Shkodër 16, në Tiranë 2, në Durrës 3, në Gjirokastër 2, në Elbasan 2′.)
4. Me vendimin e Komisisë Letrare Shqipe që elbasanishtja me qenë gjuhë standarde, iu bë thirrje Aleksandër Xhuvanit, i cili ishte vetë elbasanas dhe gjuhëtar, me hartu gramatika mbi këtë të folme. Ai nisi këtë punë qysh me 1919 dhe botoi gramatikën e parë e cila ka me pasë një varg ribotimesh tue u bë gramatika kryesore e mësimit të shqipes në sistemin e arsimit në Shqipërinë Administrative deri me 1945, ndërsa deri me 1968 gramatikat e Shqipërisë Irredentiste do ta kishin si pikënisje punën e Xhuvanit.
Kongresi i Lushnjës miraton gjuhën standarde të elbasanishtes
5. Në Kongresin e Lushnjës, 15-25 gusht 1920, u mor vendimi që ‘gjuha letrare mbas së cilës do të shkruheshin librat shkollorë u muer për themel dialekti i Elbasanit me disa përmirësime.’
6. Qeveria në Tiranë, në qarkoren nr. 148, të datës 13 janar 1923, shkrunte: ‘autorizohen zyrat kompetente që në shkrim të akteve zyrtare gjithmonë të përdoret dialekti i Elbasanit që asht pranue si nji dialekt i përbashkët e zyrtar për Shtetin tonë.’
7. Me 1939 Itali e pushton Shqipërinë dhe me 1941 Gjermania, Italia e Bullgaria e pushtojnë Jugosllavinë. Me këtë akt, për pjesën ma e madhe e territoreve shqiptare në Jugosllavi, hiqen kufijtë. Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi i ban thirrje mësuesve që të paraqiten vullnetarisht për me shku në Kosovë e territore të tjera shqiptare për me dhanë mësim. Rreth 300 mësues paraqiten dhe shkojnë të përhapin dritën e diturisë në të gjitha këto troje, në gjuhën standarde me bazë tëelbasanishtes. Për herë të parë shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, në institucione shtetrore, mësojnë gjuhëm shqipe. Dhe për herë të parë në histori, të gjithë shqiptarët mësojnë në shkolla, shkrujnë në administratë dhe në institucione publike në një gjuhë të vetme standarde – atë të elbasanishtes. Pra, në Tiranë, në Shkodër, në Vlorë, në Tetovë, në Dibër, në Strugë, në Ulqin, në Korçë mësohej e shkruhej zyrtarisht në një gjuhë të vetme standarde.
8. Kuvendi i Parë i Studimeve Albanologjike, 9-12 prill 1940, pranon që themel i gjuhës zyrtare ishte elbasanishtja. Çfarë shkrunte Namik Ressuli, gjuhëtar toskë, me 1940: ‘gegërishtja përpara syve të tyre [nëpunësve toskë] kishte njëfarë tërheqje, njëfarë ‘prestizhi’, po atë tërheqje që los edhe në ushtarin toskë, i cili kur kthehet në fshatin e tij e ka si punë të madhe t’u flasë bashkëfshatarëve gegërisht’. Pranohej po ashtu që Tirana ishte kryeqytet dhe lunte rol të madh në këtë mes si kryeqendër administrative.
Përmbysja dhe çarja e madhe gjuhësore ndodh me 1945
9. Me 1945 gjithçka ndryshon mbrenda nate! Me hyrjen e çetave të para partizane në qytetet e Shqipërisë, ‘kur ministër i shtypit, i propagandës dhe i kulturës popullore ishte Sejfulla Malëshova gegërishtja filloi të hiqej nga shtypi. Kur ky kaloi në ministrinë e Arsimit, me 1946, filloi gegërishtja të hiqej edhe nga librat e shkollave, masë kjo që u plotësua më 1951 nga vendimi i Ministris s’Arsimit sipas të cilit në klasat e para të shkollave fillore në Veri mësimi do të bëhej toskërisht. Ky zëvendësim i dialektit të mesëm me një dialekt skajor, me toskërishten, qe një revolucion në kuptimin e vërtetë.’ (Fjala e Osman Myderizit në Sesionin e dytë me 1952). S’pati as kuvend, as debat, as marrëveshje me 1945, që të bëhej ky ndryshim. E keqja ma e madhe: shqiptarët u përçanë gjuhësisht. Në Shqipëri mësohej e shkruhej zyrtarisht toskërishtja, në territoret shqiptare në ish-Jugosllavi mbeti në funkcion gjuha standarde e elbasanishtes. Regjimi enverist i Tiranës nuk u trazu fare për këtë punë. Një vendim atdhetar do të duhej të kishte qenë që për hir të shqiptarëve që u kthynë prap nën pushtimin sllav, Shqipëria Administrative do të duhej ta kishte mbajtë elbasanishten si gjuhë standarde e ta kishte vazhdu ma tej, gjithmonë në marrëveshje me shqiptarët jashtë kufijve. Kjo nuk ndodhi.
10. Me një trajtim të këtillë të shpërdorimit pushtetar rreth çashtjeve tëgjuhës u vazhdu deri me 26-29 janar 1952, kur u organizu një sesion, në të cilën regjimi i atëhershëm përpiqej të zyrtarizonte dhunën e ushtruar mbi gjuhën standarde të maparshme të elbasanishtes, për të cilën ishte punu me dekada. Titulli i këtij sesioni gjuhësor ishte ‘Veprat e shoku Stalin mbi gjuhësinë dhe problemet tona gjuhësore’. Në këtë sesion, Dhimitër Shuteriqi, shkrimtar dështak, kritikon gjuhëtarin Eqrem Çabej ’i cili, duke trajtuar historinë e gjuhës shqipe, merret kryesisht e së tepërmi me origjinat dhe huazimet që shqipja mori nga gjuhët tjera, ‘mënyrë antipatriotike’ kjo që e paraqit gjuhën tonë vetëm nga ana pasive’. Një pulë, i jep instrukcione një shqiponje se qysh duhet me fluturu! Shuteriqi, një shkrolaxhi që nuk kishte mujtë me arrijtë kurrfarë suksesi në fushën letrare, kishte gjetë punëdhënësin dhe tash fliste ajo çka fryhej në vesh: ‘’edhe pse thojshin se kemi një gjuhë shqipe, prap gjuhën tonë e vështrojshin më shumë si grumbull dialektesh (…) unë kam menduar se kjo çështje e gjet zgjidhjen nga historia e popullit tonë që nga Rilindja e këndej: toskërishtja, gjatë zhvillimit të popullit tonë në këtë fazë të historisë u bë dialekti ynë kryesor i shkruar e baza e gjuhës sonë letrare.’ Pra, doli lepuri laraman prej sheshirit të magjistarit.
Xhuvani tue iu përgjegjë Shuteriqit, me një taktikë të kujdesshme për kohën, thotë që edhe Stalini ka thënë se ‘(m)arksizmi nuk pranon eksplozione e të papritura në zhvillimin e gjuhës.’ Çfarë ishte eksplozioni, pos ndërrimi eksploziv dhe i papritur i bazës dialektore të gjuhës standarde me 1945.
Sesionin e përmbylli Stefanaq Pollo (natyrisht ky s’ka pasë asnjë lidhje profesionale me gjuhësinë): ‘Shumica e diskutimeve janë të mëndjes se e folmja mbi të cilën duhet të mbështetemi për formimin e gjuhës letrare nacionale, është toskërishtja e pasuruar me fjalë, shprehje e forma gegërishte’.
Jemi larg nga viti 1972 për njëzet vjetë të plotë. Toskërishtja e cila me 1945 u bë standard i ri, përdhunisht, u zyrtarizu tashma.
11. Me 11-12 shtator 1952 u mbajt Sesioni i dytë shkencor kushtu ‘problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare’ nga Seksioni i Gjuhës dhe Letërsisë i Institutit të Shkencave. Shuteriqi, palaçoja i pushtetit, në referatin e tij thotë se në vitet 1925-1944 ‘dialekti verior mbizotëroi n’administratë e n’arsim, sepse shteti kish dhënë urdhëra të posaçme që aktet e librat shkollore të shkruhen në këtë dialekt’ mirëpo ‘paslufta e bëri toskërishten gjuhë zyrtare’! Shuteriqi nuk harron me mohu atë që tashma kishte ndodhë se: ‘afirmimi i plotë i dialektit jugor si bazë e gjuhës sonë kombëtare letrare nuk shkaktoi ndonjë ‘revolucion’ e as ndonjë ‘përdhunim gjuhësor’! Mirë thonë, budallën mos e dvet, se të kallxon vetë! Po si u bë që mbas vitit 1945 çdo gjë që doli nga Instituti i Shkencave doli në toskërishte? Shuteriqi vazhdon: ‘Ky është një vendim i qartë e me shum rëndësi që ka marrë Instituti. Një vendim të tillë ka marrë edhe Ministria e Arsimit, e cila harton gjith tekstet shkollore (veç antologjive), duke u nisë nga abetarja, në gjuhën që ka për bazë dialektin jugor. E kështu me radhë për administratën, shtypin, radion, etj.’ Shuteriqi bën një pyetje retoriko-sharlatane: ‘A mund të flitet për përdhunim? Jo se nuk u përdhunua asgjë!’ Mvaret nga çfarë këndvështrimi shikohet: për përdhunuesin, s’u dhunu asgjë, për të përdhunuarin, u përdhunu gjithçka.
Viti 1972 asht larg. Edhe nja njëzet vjetë larg!
Xhuvani, i cili e kishte shkri një jetë të tërë për gjuhën standarde me bazë elbasanishten, ishte figura ma tragjike e kohës. Edhe duhej me duru rrena e të paqena, edhe duhej me duru fyerje prej shakllabanësh të tipit të Shuteriqit me lukuninë provincialiste. Xhuvani i përgjigjet se ‘leksiku i gegnishtes asht ma i gjanë’ dhe se gjatë regjimit të Zogut ‘gegnishtja me epërsin’ e saj kishte marrë rrugën për t’u-ba si bazë e gjuhës së përbashkme letrare’ tue theksu që gegërishten ‘nuk asht kollaj me e qasë më nj’anë si gunë të vjetër ose me e çue në muze, sikur e paskan thanë një palë’. E për ‘përdhunimin’, Xuvani vazhdon: ‘E me të vërtetë asht një eksplozion kur ngutemi në këtë punë e fusim toskënishten në shkolla fillore të viseve Shkumbin e përtej ose ma mirë Mat e përpjetë, që në klasët e para të shkollës fillore. Kjo nuk asht pedagogjike, asht edhe antifiziologjike…’
Llazar Silliqi i hedh poshtë një nga një marrëzitë e Shuteriqit: ‘Të themi se toskënishtja ka fjalor ma të pasun, këtë referuesi as s’e pohon as s’e provon, të themi se toskënishtja ka sistem gramatikor ma të përsosun, as këtë referuesi s’e pohon e s’e provon, të themi se numri i atyne që flasin toskënishten asht ma i madh se i atyne që e flasin gegënishten, as këtë referuesi s’e pohon e s’e provon, të themi se ligjet e mbrendëshme të zhvillimit të gjuhës çojnë në konkluzionin në favor të toskënishtes, referuesi as këtë s’e pohon e s’e provon, sepse ligjët e mbrendëshme të zhvillimit të gjuhës ai veç sa i zen në gojë.’
Sterjo Spasse, në këtë sesion, thotë një fakt me rëndësi se në vitin shkollor 1945-46 Ministria e Arsimit kishte bë një ndryshim të parë në gjuhën e teksteve shkollore: Këndimet e klasës IV dhe V që përpara hartoheshin në të folmen e Elbasanit, (nën. A. M.) i bëri në të dy dialektet. Kështu anarkia gjuhësore, sipas tij, u rrit edhe ma shumë.
12. Në këtë kohë në Kosovë debatet rreth gjuhës vazhdonin pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimet në Shqipëri, ku tashmë kishin marrë drejtim krejt tjetër falë punës së përkushtuar Partisë së Punës. Çfarëdo përpjekjesh gjuhësore që mund të bëheshin në Kosovë, ato nuk mund të largoheshin nga baza e elbasanishtes. Përpjekjet e këtilla u kurorëzunë në vitin 1964 me botimin e Ortografisë e cila ka me mbetë edhe ortografia e fundit, zyrtare, e gegërishtes standarde.
Vetëm katër vjetë ma vonë, me 1968, gjithçka do të ndërrojë në favor të toskërishtes dhe do të parapërgatitet rruga për Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.
Projekti 1967 – kurorëzim i përmbysjes së madhe gjuhësore
13. Me 1967 në Tiranë u botunë ‘Rregullat e drejtshkrimit të shqipes (projekt)’. Në komisionin hartues ishin Androkli Kostallari, Eqrem Çabej e Mahir Domi (asistent Emil Lafe). Duket se emri i E. Çabejt po shpërdorej vazhdimisht sepse në një projekt të këtillë emri i tij do të duhej të kishte qenë i pari dhe jo i dyti. Por, Kostallari dilte i pari ngaqë ishte edhe bajraktari i partisë në pushtet. Asnjë gjuhëtar jashtë Shqipërisë nuk ishte konsultu paraprakisht. Parathënia nis me fjalinë: ‘Zhvillimi që ka marrë gjuha shqipe letrare në këta njëzet e sa vjet të ndërtimit të shoqërisë socialiste në Shqipëri…’ Pra, flitet vetëm për njëzet vjetët ‘socialistë’ të gjuhës shqipe, edhe atë vetëm ‘në Shqipëri...’! S’ka punë paraprake kodifikimi, s’ka gjuhë standarde të maparshme. Asgja s’paska ndodhë me shqipen e rreth shqipes para se me na ardhë periudha socialiste! Dhe – edhe ma keq – s’ka zhvillim të shqipes jashtë Shqipërisë!
‘Qëllimi i ‘Rregullave të drejtshkrimit të shqipes’ – thuhet ma tej – ‘është që ato të ndihmojnë për njësimin e mëtejshëm të normës letrare kombëtare, duke u mbështetur gjerësisht mbi trajtat e përbashkëta…’ A ka gjë të vërtetë në këto pohime? Do të shihet nga rregullat e propozuara ku nuk figuron asnjë fjalë për gegërishten, asnjë rregull që pranohet tue iu referu gegërishtes. Vetëm paragrafi shtatë i parathënies, për shkak të stilit dhe gjykimit, duket se asht shkru prej Eqrem Çabejt ku thuhet se drejtshkrimi i shqipes së sotme paraqitet me shumë probleme dhe se ‘zgjedhja e këtij problemi vështirësohet gjithashtu nga mungesa e studimeve të veçanta e sistematike të çështjeve teorike të drejtshkrimit të shqipes’. E thomi këtë sepse Çabej i ka përsëritë disa herë ma parë këto pohime, tue shprehë brengën e tij për ngutinë e panevojshme rreth ri-standardizimit të shqipes.
Në tërë parathënien me asnjë fjalë të vetme nuk përmenden shqiptarët jashtë Shqipërisë Administrative, që për nga numri përbëjnë gati gjysmën tjetër të shqiptarëve. Le të mos harrojmë që në po këtë vit Selman Riza u luftu me stilin e dacibaove (fletërrufeve) kineze ‘T’i çirret maska Selman Rizës!’. Terreni ishte pastru prej kundërshtarëve potencialë. Emri i tij, i njërit prej gjuhëtarëve ma të mëdhaj shqiptarë, nuk do të figurojë ma askund në punët e standardizimit.
Që të gjitha rregullat e Projektit 1967 kanë të bëjnë vetëm me toskërishten e cila vazhdimisht paraqitet dhe cilësohet si ‘shqipe letrare’ e cila natyrisht ishte mbulesë për atë që ishte ‘toskërishte letrare’. Me asnjë fjalë nuk përmendet gegërishtja letrare bashkë me gjuhën standarde të elbasanishtes dhe mundësia e debatit për këtë. Dhe e fundit, hartues janë tre toskë dhe një gegë nga Shqipëria e Mesme, i cili s’mun shfaqte kurrfarë kundërshtie. Asnjë gjuhëtar nga veriu i Shqipërisë, asnjë gjuhëtar nga Shqipëria Irredentiste dhe asnjë nga mërgata!
Le të sqarohemi. Vendimet e Komisisë Letrare Shqipe (1916-1918) që morën parasysh toskërishten mbetën pa u ndryshu: togjet e bashkëtingëlloreve mb, nd e ng e –ë-ja fundore (lugë, dritë, palë). Nga togjet e zanoreve ndryshoi vetëm togu zanor –ue– (te foljet e gegërishtes) që ishte standardizu me 1916 dhe u bë –ua– (sipas toskërishtes), ndërsa ‘-ye-‘ dhe ‘-ie-’ mbetën të njëjta sepse kështu i kishte toskërishtja. Si pasojë e këtij ndërrimi u përjashtu paskajorja e mirëfilltë ‘me punue’.
Projekti 1967, poashtu, nuk jep asnjë emërvend, emër lumi, institucioni, personi apo titull gazete, të shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë: ‘nga Elbasani, nga Gjirokastra…’ apo ‘prej Himare e prej Mirdite’ ‘u nisën delegatët nga Shkodra’, ‘Kooperativa e bashkuar e Hekal-Klosit’, ‘Gjeneralisimi Stalin’ , emërtimet gjeografike ‘…Buna, Devolli, Drini, (…) Vjosa, Vlora’; ‘Republika Popullore e Kinës’, ‘Ndërmarrja bujqësore shtetërore ‘Gjergj Dimitrov’’, jepen emrat e banorëve të vendit: ‘beratasit, elbasanasit, kolonjarët, korçarët, labinotasit, mirditasit, myzeqarët, partizanët (!), shkodranët, vlonjatët’. ‘Zëri i Popullit’, ‘Sporti popullor’; për festat jepet ‘1 Maji, 7 Nëntori, 29 Nëntori’ por – sado e pabesushme që mund të tingëllojë – mungon si festë ’28 Nëntori’!
Nuk thonë kot që dreqi shquhet tek imtësitë. Kjo shihet edhe ma qartë në ‘Treguesin e shembujve të përdorur’ në Projektin 1967. Asnjëherë nuk përmendet Kosova, Hora e Arbëreshëve, Katanxaroja, Prishtina, Prizreni, Shkupi, Tetova, Gostivari, Struga, Ulqini, Janina, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Fusha e Kosovës, Rrafshi i Dukagjinit, Lidhja e Prizrenit, Gryka e Rugovës, Gryka e Kaçanikut, ‘Rilindja’, ‘Fjamuri i Arbërit’, ‘Universiteti i Prishtinës’, ‘arbëreshët’. Por janë fjalët ‘jugosllav’ dhe ‘Jugosllavi’. Me asnjë fjalë të vetme nuk jepet shenjë se ky projekt synonte të ishte mbarëshqiptar. Autorët (e ma shumë: autori) mjaftoheshin me pjesën mbrenda kufijve administrativë, si duket, tue mos pasë kurrfarë shprese se kjo do të kalonte atje pa kërkesa për plotësime e ndryshime, e sidomos, tue pasë parasysh Ortografinë e vitit 1964 të botuar në Prishtinë. Kostallari nuk ka mujtë me paramendu që ata që e shkrunë Ortografinë 1964 kanë me ndërru kursin pa ma të voglën vërejtje.
14. Ndodhi, megjithatë, ajo që Tirana zyrtare e kohës nuk e priste. Me 22 e 23 prill 1968 u mbajt një tubim në Prishtinë rreth Projektit 1967 të Tiranës dhe mbas kësaj u shkrunë ‘Konkluzat e konsultës gjuhësore të Prishtinës’ me 9 (nëntë) pika. Në pikën gjashtë thuhet: ‘Vetë Projekti, në disa pika, ka nevojë të shqyrtohet më me kujdes dhe vërejtje të argumentuara dhe shkencërisht të arsyetuara, mund të jenë vetëm të dobishme.’ Kurrë nuk u dit se çfarë ndodhi me ndonjë ‘shqyrtim’ apo ‘vërejtje të argumentuar’. Në Tiranë, nga këto nëntë pika, u botunë vetëm gjashtë! Censura enveriste goditi prap.
Pse u bë kthesë kaq e madhe e kaq e shpejtë në Prishtinë? Sepse u pa se Tirana zyrtare kishte marrë një drejtim drejt tëhuajsimit gjuhësor të të dy pjesëve të Shqipërisë që nga viti 1945. Nëse do të lejohej që kjo aventurë e çmendur e Tiranës të kurorëzohej në këtë mënyrë, shqiptarët në Shqipërinë Irredentiste do të largoheshin edhe ma shumë, kombi shqiptar do të përçahej ndoshta në mënyrë të pariparueshme. Në mes të një këmbënguljeje për standardin e mëparshëm dhe tëhuajsimit, ata zgjodhën që të mos ndodhte kjo gjë dhe pranunë, pa asnjë vërejtje, Projektin 1967. Prandej, qysh në këto Konkluza, në pikën tre thuhet Tubimi ‘njeh njëzëri si gjuhë të veten letrare gjuhën letrare të vendit ëmë.’ Dhe në pikën katër i vihet kapaku: ‘…porsa të aprovohet dhe të marrë formën zyrtare në Republikën e Popullore të Shqipërisë, do të zbatohet.’ Pra, kjo punë mori fund. Tash, delegatë të këtillë që kishin pranu gjithçka, ishin të gatshëm dhe mund të ftoheshin në Kongresin e Miratimit Zyrtar.
Përmbysja e vitit 1945 dhe Projekti 1967 miratohen me 1972
15. Në Kongresin e Drejtshkrimit, i cili u mbajt me 20-25 nëntor 1972, nuk u bë asnjë fjalë për gegërishten apo elbasanishten, gjuhën e maparshme standarde shqipe. Derisa në Komisinë Letrare Shqipe, flitej për efektet e çdo vendimi për gegërishten e toskërishten, në Kongresin e Drejtshkrimit, kurrë nuk u zu në gojë, jo vetëm gegërishtja, por as gjuha standarde e elbasanishtes e cila përdhunisht qe hedhë menjanë, pa kurrfarë debati paraprak. U paraqitën disa skema grafike boshe rreth kinse konvergjimit të dy dialekteve por me asnjë provë konkrete. Disa veçori që toskërishtja i kishte marrë qysh më herët nga gegërishtja, paraqiteshin si efekte konvergjimi (Janet Byroni).
Çdo vendim që u mor me 1972 kishte të bënte me toskërishten. Prandej në këtë kongres u bë normalizimi i toskërishtes dhe zyrtarizimi i saj edhe jashtë kufijve të Shqipërisë Administrative, sepse mbrenda saj ajo kishte nisë qysh me 1945. Megjithatë, në punën e një organizimi të një kongresi për toskërishten nuk ka asgjë të keqe deri kur kjo punë pretendohet të paraqitet si akt i ‘njësimit të shqipes’. Identifikimi i toskërishtes me gjithë shqipen asht pretendim i tepruar. Njësim të shqipes nuk pati, fatkeqësisht. Pati përmbysje, çstandardizim të elbasanishtes dhe vendosje e një dialekti të ri, dialekti të toskërishtes, si bazë e standardit të shqipes. Rolin kryesor në Kongres e lujti jo aj që pritej të ishte për nga përgatitja profesionale, le të thomi një Selman Rizë apo një Eqrem Çabej, por një pinjoll i ri i epokës së re staliniste, Androkli Kostallari, aparatçik i sistemit enverist. Selman Riza, ishte i internuar në Berat, pa të drejtë fjale publike e botimi. Eqrem Çabej ishte i detyruar m’iu nënshtru njerëzve që profesionalisht ishin shtatë pashë nën të, pas presioneve dhe sulmeve që i ishin bë edhe atij disa vite ma parë. Prej pjesëmarrësve të tjerë shumica ishin dhe mbetën persona anonimë edhe sot, pa ndonjë vepër të vërejtshme në gjuhësinë shqipe, mësues katundesh e qytetesh, drejtorë institucionesh, shkrimtarë, kritikë etj., pa kurrfarë peshe e rëndësie në historinë gjuhësisë shqiptare. Për me qenë ironia ma e madhe shumica e tyre mbetën pa e mësu kurrë, me shkru drejt e pa gabime , ‘gjuhën e unisuar letrare’ për të cilin kishin votu në Kongresin e Drejtshkrimit.
Në ‘Drejtshkrimin’ e vitit 1973 provincialistët e bunkerit stalinist bëhen pak ma zemërgjërë. Vetëdijesohen se paska shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë, dhe paska gjuhë shqipe jashtë saj. Por edhe kjo duket se asht bë me një nguti e koprraci. Hyn fjala ‘kosovarë’, ‘Bjeshkët e Namuna’ bëhen ‘Bjeshkët e Nemuna’. Dikujt – ma në fund – i kujtohet se ka edhe një festë që quhet ‘28 Nëntori’, vjen dhe një shkollë që quhet ‘Bajram Curri’! ‘Kooperativa ‘Gjergj Dimitrov’ bëhet ‘Ylli i kuq’, jepet ‘poema ‘Prishtina’’, pastaj u kujtohet se paskësh dhe një gazetë që quhet ‘Zëri i Arbëreshëve’, shfaqet ‘Rrafshi i Dukagjinit’. Dhe këtu mbaron zemërgjërësia e vitit 1972 me fjalë që lidhen me pjesë jashtë Shqipërisë Popullore Socialiste në krahasim me Projektin 1967. Bereqat-versën! Provincialistët e Partisë së Punës – që synonin të përhapnin komunizmit nëpër gjithë globin! – kishin mujtë mos me i shtu edhe këto!
16. Me rënien e sistemit stalinist në Shqipëri në vitet ’90 të shek. XX, sistemi politik dhe ekonomik u ndërru me rrënjë. Edhe gjuha fitoi lirinë e vet. Ngrirja 20-vjeçare u shkri dhe autorët shqiptarë fillunë me shkru në mënyra të ndryshme, tue shprehë kështu frymën e re në shoqërinë shqiptare. Personalitete të ndryshme shfaqën mospajtimet e tyre me mënyrën se si ishin sjellë vendimet për gjuhën shqipe që nga viti 1945. Fjalët e reja nuk gjendeshin në fjalorë. As sot e kësaj dite nuk egziston një autoritet që studion sistematikisht zhvillimet e reja në gjuhën shqipe, prurjen dhe krijimin e fjalëve të reja. Debatet e nxehta nuk pushojnë asnjëherë rreth asaj se kush vendos se çfarë ndodh me shqipen. Nuk egziston një institucion kombtar që shërben, së paku, si zyrë këshillimi se si të shkruhen fjalë të ndryshme në gjuhën shqipe.
Si një përgjegje ndaj këtyre zhvillimeve të reja me 2006 u formu Këshilli Ndërakademik, i përbërë prej gjuhëtarësh nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe e Kosovës, i cili ka me bë shqyrtimin e disa rregullave të shqipes. Puna e këtij Këshilli, ende pa ia nisë qysh duhet, hasi në kundërshtimin e ashpër prej gjuhëtarëve ma të regjur stalinisto-enveristë. Puna e Këshillit Ndërakademik vazhdon, e shoqëruar, doemos, nga bërlykjet e gjuhëtarëve të një epoke të perënduar, të atyre që kur patën pushtetin e shpërdorën dhjetëfish.
17. Me 15-17 dhjetor 2010 u mbajt Konferenca Shkencore në Durrës: ‘Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit’. Morën pjesë 40 studiues dhe konferenca arrijti në 12 Përfundime. Në pikën tetë të këtyre Përfundimeve thuhet: ‘Të studiohet mundësia e integrimit të paskajores gege në standardin e shqipes.’
18. Sot, gjendja e shqipes asht kjo që asht. Që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar, me rënien e sistemit të egër enveristo-stalinist, shqipja ka përjetu një zhvillim të hovshëm në kushte të reja. Në shikim të parë kjo duket si anarki, si një dalldi dhe si dalje prej kontrolli. Por kjo asht ndjenja e lirisë mbas një diktature të tmerrshme e të pashembullt në planetin e Tokës; kjo asht ndjenja e daljes në dritë e një qenieje të mbyllur në bunker. Ballafaqimi me lirinë asht gjithmonë dalldisës. Megjithatë, gjithçka që quhet afrim gjuhësor në mes të dy kryedialekteve shqipe asht meritë e vendimeve të Komisisë Letrare Shqipe. Duhet me thanë që merita e trajtimit të gjuhës në periudhën enveriste asht që toskërishtja mbrenda shqipes ka fitu një status, pa dyshim, ma të rëndësishëm. Nëse do të vazhdohej me standardin e elbasanishtes, toskërishtja kurrë nuk do të mund t’i bënte konkurrencë elbasanishtes dhe do të mbetej si një dialekt i skajshëm dhe i parëndësishëm mbrenda shqipes. Ajo do të zhvillohej mbrenda mundësive të veta, aq sa do të kishte fuqi dhe do të zbehej një ditë. Ndërsa sot një standard i gjuhës shqipe nuk mun me u paramendu pa praninë e veçorive të toskërishtes. Dhe kjo, me gjithë traumatizimin gjysëmshekullor, ndoshta asht mirë për shqipen, sepse ka kriju dy burime ma të balancuara për shqipen.
Me paskajore dhe rotacizëm drejt një gjuhe standarde shqipe për të gjithë shqiptarët
19. Nëse shqiptarët synojnë të krijojnë një gjuhë standarde të përbashkët e jetëgjatë atëherë kjo kërkon që të shkrijnë të dy kryedialektet e shqipes në një. Për me i shkri këto dy kryedialekte në një duhet me u veçu karakteristikat ma të rëndësishme të këtyre dy dialekteve. Dhe këto karakteristika janë dy: rotacizmi i toskërishtes dhe paskajorja e gegërishtes. Çfarëdo standardi që krijohet pa e marrë parasysh rotacizmin e toskërishtes, aj standard asht standard i gegërishtes; dhe çfarëdo standardi që krijohet pa e marrë parasysh paskajoren e gegërishtes asht standard i toskërishtes. Gjuhë standarde shqipe epërbashkët, si shkrirje e dy kryedialekteve, asht vetëm gjuha shqipe me rotacizëm dhe me paskajore. Asht e vërtetë që kjo gjuhë në fillim do të duket ma artificiale dhe e largët, por ky asht çmimi i standardit të përbashkët për gegët e toskët. Ky asht çmimi i strategjisë përtejgjuhësore që synon kjo ndërmarrje. Asht pikërisht ajo që Çabej e qun ‘abstraksion’ të domosdoshëm të çdo gjuhe standarde e cila synon me qenë në shërbim të të gjithë shqiptarëve. Ndërsa për gjuhën e letërsisë artistike, mujnë me u zbatu rregulla të veçanta për gegërishten e për toskërishten. Por në këtë proces, parimi ma i rëndësishëm asht me punu që të gjithë bashkë.
Një shije e asaj se qysh do të mund të dukej, përgjithësisht, një gjuhë e shkruar shqipe me paskajore e me rotacizëm asht dhënë pikërisht në këtë shkrim.
Agim MORINA
(Botu së pari në blogun DodonaPress)
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=486
Ju lumtë zotërí Morina! Shpresoj që standartin të ri t’a gëzojmë sa më shpejt e të mos kalojnë dekada për këtë punë.
nje artikull i rendesishem mbi standardizimin e shqipes