Libri promovohet të mërkurën, me 11 tetor, në Londër. Ma poshtë po e sjellim pasthënien e përkthyesit Agim Morina rreth gjuhës që ka përdorë në botimin shqip.
Dy fjalë rreth përkthimit
Përkthimi i këtij libri, qysh kanë me vënë re lexuesit, ka disa ndryshime nga rregullat e vendosura në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Ndryshimi më i rëndësishëm, natyrisht, ësht futja në përdorim e paskajores së mirëfilltë shqipe duke përdorë trajtën e shkurtë të pjesores (fjala vjen, te foljet e rregullta: ‘me punu’, ‘me shkru’, ‘me shërby’, ‘me kry’, ‘me la’, ‘me mbajtë’, ‘me hapë’, ‘me mbledhë’, ‘me goditë’, ‘me pritë’). Por, ky përkthim nuk ndjek as rregullat e “Ortografisë së gjuhës shqipe”, të vitit 1964, sepse në tekst përdoren trajtat e rotacizuara, (dmth. një “n” në pozicion ndërzanor del “r”, fjala vjen, “dashuri” e jo “dashuni”). Pra, ësht një kombinim i veçorive më të rëndësishme të të dyja gjuhëve letrare shqipe, i gegërishtes dhe i toskërishtes, dhe i dy gjuhëve standarde shqipe, i elbasanishtes dhe i Kongresit të Drejtshkrimit (1972).
Përdorimi i paskajores në një sistem me bazë të toskërishtes bëhet i mundshëm vetëm duke përdorë trajtën e pjesores së shkurtë “-u” (veçori e klasës më të madhe të foljeve), e cila shfaqet si trajtë neutrale kundrejt pjesores së gegërishtes me “-ue” dhe asaj toske me “-uar”, me gjithë faktin se kjo pjesore e shkurtë ësht e burimit të gegërishtes. Thjesht, nuk ka mundësi tjetër të inkorporimit të paskajores së mirëfilltë në standardin e tashëm pa pranimin e pjesores së shkurtë. Ndërsa pa pranimin e paskajores së mirëfilltë nuk ka një Shqipe të Përbashkët.
U mbush një shekull nga përpjekjet e para e të ndërgjegjshme për me vendosë një gjuhë standarde shqipe për të gjithë shqiptarët. Në këtë ndërkohë janë marrë vendime për dy standarde të shqipes. E para u vendos me 1916-18, mbas punës së madhe të Komisisë Letrare Shqipe, e cila zgjodhi elbasanishten si bazë të gjuhës standarde dhe e dyta u vendos me një vendim arbitrar, me 1945, e cila vendosi toskërishten si bazë të gjuhës standarde. Gjuha standarde shqipe e elbasanishtes funkcionoi në Republikën e Shqipërisë deri në vitin 1945, ndërsa në trojet shqiptare jashtë saj deri në vitin 1968.
Nuk do të thellohemi këtu rreth arsyeve të çstandardizimit të elbasanishtes dhe standardizimit të toskërishtes, por do të vëmë në dukje arsyet kryesore se pse asnjëri standard nuk arrijti të bëhet plotësisht funkcional dhe i pranueshëm për të gjithë shqiptarët dhe pse u përcoll dhe po përcillet me probleme zbatimi i këtyre vendimeve.
Kur u vendos që gjuhë standarde shqipe të bëhej elbasanishtja, arsyetimi ishte se ky nëndialekt ishte më i afërmi me toskërishten nga të gjitha nëndialektet e gegërishtes dhe, prandaj, duhej të ishte edhe më i kuptueshmi për jugorët. Por, qysh e tregoi koha, nuk mjaftoi vetëm afërsia teritoriale, pa përfshi edhe veçoritë kryesore gjuhësore të toskërishtes që ky standard të bëhet i pranueshëm edhe për toskët.
Kur ndodhi që pas Luftës së Dytë Botërore regjimi i ri në Republikën e Shqipërisë, pa ndonjë debat paraprak, hodhi poshtë gjithë punën e mëparshme rreth standardizimit të shqipes dhe vendosi toskërishten si bazë të gjuhës standarde shqipe, fatkeqësisht, bëri gabimin e njëjtë, në mos edhe më të rëndë, ngaqë, me këtë vendim, jo vetëm që nuk integroi veçorinë gjuhësore më të rëndësishme të gegërishtes në këtë standard toskë, dmth. paskajorjen e mirëfilltë, por në një proces shkallë-shkallë ndaloi krejtësisht edhe përdorimin e gegërishtes letrare në emër të njësimit kombtar. Kjo parullë politike, gjithsesi, erdhi si pasojë e një ngatërrimi të koncepteve “gjuhë letrare” dhe “gjuhë standarde” të cilat kanë dallime thelbsore dhe këto janë bërë të qarta në studimet sociolinguistike në dhjetëvjeçarët e fundit.
Gjatë përzgjedhjes së normës dhe kodifikimit të normës u bë gabimi i njëjtë nga të dyja palët që përpiqeshin të krijonin një standard të shqipes: kërkohej një gjuhë standarde për të gjithë shqiptarët, por nuk bëhej zbatimi në vepër i këtij synimi, ashtu sikurse kërkesat e vazhdueshme për një gjuhë letrare që bëheshin nga të gjithë rilindësit, por shumica absolute, në praktikë, shkrunin në gjuhët letrare dialektore. Kjo paraqiste atëherë dhe paraqet edhe sot një kundërthënie fatkeqe. Duke marrë parasysh që veçori kryesore e toskërishtes ësht rotacizimi, fakti që kjo nuk u mor parasysh në gjuhën standarde të elbasanishtes, bëri që toskërishtja të mbetej jashtë këtij standardi. Dhe kur toskërishtja u vendos si bazë e gjuhës standarde, paskajorja e mirëfilltë, si një ndër veçoritë kryesore të gegërishtes, mbeti jashtë sistemit të këtij standardi. Ajo që ndodhte, në fakt, ishte se, në praktikë, demantohej ajo që propagandohej me fjalë nga të dyja palët. Kjo, në thelb, nuk vinte nga ndonjë dashaligësi e cilësdo palë, sa nga mungesa faktike e gjetjes së ndonjë zgjidhjeje më të mirë.
Ësht e habitshme që në gramatikat shqipe dhe në trajtesat gjuhësore për një gjuhë standarde asnjëherë nuk ësht shqyrtu një trajtë e pjesores e cila kishte dhe ka një përdorim jashtëzakonisht të madh në të gjitha të folmet e gegërishtes, e kjo ësht trajta e pjesores së shkurtë ‘(me) punu’. Përveç përdorimit të gjërë, kjo trajtë ofron edhe atë mjedisin ku munden me bashkëjetu toskërishtja me gegërishten, duke mundësu përdorimin e një pjesoreje të vetme në sistemin foljor të një gjuhe standarde shqipe dhe po ashtu edhe përdorimin e paskajores së mirëfilltë. Kjo formulë, sipas meje, paraqet zgjidhjen e problemit kardinal për vendosjen e një standardi funkcional të shqipes.
Në këtë përfundim pata ardhë gjatë qëndrimit tem në Tiranë në vitet 1996-97. Aty pata vënë re se pjesorja e shkurtë nga shumica e folësve përdorej ashtu si kudo tjetër në shumicën e trojeve gegërishtfolëse. Edhe më shum se kaq, pata vënë re se edhe toskët që kishin kohë që jetonin në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë përdornin po këtë trajtë brenda sistemit të toskërishtes: kishte nga toskët që ende nuk kishin ardhë në pikën e me thënë, fjala vjen, ‘kam me PUNU’, por gjithsesi thoshin “kam për të PUNU”, që ishte shfaqje e një shkallë kalimtare kah njësimi i pjesores. Ndërsa për ata malësorë të Veriut të cilët ende përdornin diftongun ‘-ue’ në këto trajta të pjesores ishte krejt e lehtë ta rrudhnin në ‘u’. Qysh prej atëherë kam vazhdu me mendu për këtë veçori si çelës për zgjidhjen e problemit të madh të gjuhës standarde shqipe dhe krijimin e një sistemi solid të Shqipes së Përbashkët, i cili integron në vete veçoritë kryesore të të dyja kryedialekteve.
Në debatet e shumta kundërshtarët e futjes së paskajores së mirëfilltë me të drejtë pohojnë se megjithëse ka kërkesa për futjen e paskajores së mirëfilltë, nuk ka një propozim konkret se si kish me u integru e me funkcionu kjo brenda sistemit egzistues pa shkaktu telashe. Dhe kjo ësht arsyeja që në këtë përkthim kam futë në përdorim pjesoren e shkurtë, për me tregu se si mundet me funkcionu në praktikë kjo trajtë në sistemin e një Shqipeje të Përbashkët. Trajta ‘punu’ e pjesores përdoret në gjithë Shqipërinë Qendrore. Në këtë pjesë të Republikës së Shqipërisë gjendet edhe kryeqyteti, Tirana, edhe qytetet kryesore Durrësi e Elbasani. Ky brez gjeografik paraqet përqendrimin e numrit më të madh të popullsisë shqiptare në gjithë trojet e Republikës së Shqipërisë dhe trojeve shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye ky brez, ashtu qysh ësht theksu edhe nga Sami Frashëri, Luigj Gurakuqi etj., mbetet strumbullar i zhvillimit dhe ndikimit gjuhësor.
Sipas albanologes Desnickaya, trajta e pjesores së shkurtë, si dukuri, duket se ka zënë fill pikërisht në Elbasan e në rrethinat e saja e masandej ësht përhapë në pjesët tjera të Gegërisë. Kjo duket se ka qenë rezultat i zhvillimeve të natyrshme për të pajtu dy kryedialektet të cilat pikëtakoheshin bash në këtë qytet, në rrethinat e tij e përgjatë rrjedhës së Shkumbinit. Disa vite më vonë, për mua ka qenë një befasi e këndshme kur më pati rënë në dorë gramatika e shqipes e hartuar nga autorja britanike, Margaret Haslucku, e cila kishte kalu vite të tëra të jetës në Elbasan dhe me 1932 kishte botu në Kembrixh gramatikën dhe libërleximin ‘Këndime Englisht-Shqip…’. Në këtë gramatikë ajo fut në përdorim pikërisht pjesoren e shkurtë ‘(me) punu’. Me aq sa dij kjo ësht e vetmja gramatikë ku ësht përdorë kjo trajtë e pjesores së shkurtë të shqipes.
Ky propozim i futjes së paskajores së mirëfilltë në një standard të bazuar në toskërishten a duket i panatyrshëm? E vërteta ësht se nga pikëpamja gjuhësore, çdo gjuhë standarde në botë ësht, në thelb, e panatyrshme, dmth. ësht artificiale. Edhe ky standard që ësht në përdorim ësht artificial, nuk mundet me u gjetë në asnjë qytet apo fshat toskë dhe ësht e kuptueshme që ajo ka me evolu duke u distancu nga baza e vet dialektore, por në këtë zhvillim ka me u bë gjithnjë e më shum e afërt për të gjithë shqiptarët kudo që janë duke marrë veçori të ndryshme nga këto dialekte e nëndialekte. Kjo që duket e panatyrshme, Eqrem Çabej, në referatin e tij në Kongresin e Drejtshkrimit (1972), e qunte ‘abstrakcion’ i cili ‘nuk përputhet me një dialekt teritorial të caktuar, as edhe dialektin që përbën bazën e saj’. Pra, abstrakcioni i imponohet një gjuhe standarde, varësisht nga shkalla e përfshirjes që synon me bë. Po të bëhej standard i një fshati ky abstrakcion kish me qenë gati i pavërejtshëm nga gjuha e folur në atë fshat. Sa ma shum që ky rreth zgjerohet, po aq rritet shkalla e abstrakcionit, e distancës së folësve nga ky standard. Çabej thoshte se duhet me pasë parasysh se nuk po bëhet për mijëra veta por për “katër milion njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare”. Nëse synimi i një gjuhe standarde shqipe ësht përfshirja e të gjithë shqiptarëve, ky abstrakcion – kur bëhet kodifikimi i këtij standardi, – duhet me qenë maksimal, në pajtim me kërkesën për përfshirjen që synon. Standardi i vitit 1916 synonte të përfshinte të gjithë shqiptarët, por qe kufizu me një abtrakcion maksimal vetëm brenda gegërishtes, ashtu sikurse standardi i vitit 1945-1972 që u kufizu me një abstrakcion maksimal vetëm brenda toskërishtes. I parë nga ky këndvështrim problemi i shqipes së mëparshme dhe të tashme standarde, i përfshirë në një frazë, do të ishte: abstrakcion i pamjaftueshëm. Ky abstrakcion i pamjaftueshëm vjen prej shum faktorësh, por faktori kryesor ësht faktori gjuhësor. Nuk ka një gjedhe të gatshme të njëmendët gjuhësore e cila kish me i pajtu të gjitha veçoritë më kryesore për një standard të mundshëm për të gjithë shqiptarët. Megjithatë, ka tendencë drejt një gjedheje të tillë që po ndodh sidomos në Tiranë, Durrës e Elbasan me shtrirje në gjithë Shqipërinë e Mesme dhe me rrezatim nëpër gjithë trojet ku jetojnë shqiptarët. Nëse ësht kështu, atëherë kjo gjedhe do të duhej me u ndjekë me çdo kusht edhe nga gjuhëtarët shqiptarë. Kjo përpjekje jemja shkon në këtë drejtim, pikërisht me përdorimin e pjesores së shkurtë, e cila mundëson futjen e paskajores së mirëfilltë dhe zgjidh një herë e përgjithmonë problemin e përfshirjes së plotë të veçorive kryesore të të dyja kryedialekteve dhe çon kah konvergjenca e mirëfilltë e tyre.
Në fillim kur vendoset për një gjuhë standarde, thotë Çabej, ky abstrakcion ësht i madh, por me kohë, mbas disa brezave, shkon duke u zvogëlu e duke u bë gjithnjë e më i pakët. Ana më e dobishme e futjes së kësaj pjesoreje ësht se në këtë mënyrë krijohet një baraslargësi më e balancuar për folësit e të dyja kryedialekteve kundrejt një standardi të shqipes. Jo vetëm kaq. Ky standard i një Shqipeje të Përbashkët do të duhej me qenë më i hapur edhe kundrejt arbërishtes dhe të fuste edhe ndonjë veçori të saj (fjala vjen, ndërtimin e së ardhmes “kam të punoj” apo ndonjë tjetër). Kështu arrihen dy synime: shqipja bëhet më e afërt edhe për arbëreshët dhe pasuron mundësitë shprehëse të shqipes. Çabej, me të drejtë, tërheq vëmendjen se duhet me pasë kujdes që gjuha standarde nuk duhet me u bë “një gjuhë letre”, me u largu nga gjuha e folur popullore sepse kjo mun me çu në paraqitjen e dygjuhësisë (diglosi). Sipas tij, letërsia duhet me u lënë e lirë, ngaqë gjuha standarde nuk duhet me qenë dialektofobe, ajo duhet me u ushqy prej dialekteve. Por qysh me u ushqy prej dialekteve nëse dyert për ndonjë nga dialektet mbeten të mbyllura, ashtu qysh i ndodhi toskërishtes, kur elbasanishtja ishte gjuhë standarde, dhe qysh i ndodhi gegërishtes në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.
* * *
Në disa raste, në këtë përkthim, kam heqë ‘ë’-në, si në fjalët ‘ësht’, ‘shum’, ‘prap’. Kjo ngaqë këto ‘ë’-ja nuk dëgjohen më dhe në një shqyrtim të standardit në të ardhshmen mendoj se do të duhej me ndjekë një vijë të këtillë, por në mënyrë më sistematike, ngaqë, qysh thoshte Çabej në KD-1972, çështja e ë-së pathekse mbetet një nga “pikat më kryqore të drejtshkrimit të shqipes”.
Kam zbatu edhe disa propozime nga ‘Fjalori drejtshkrimor’ (Dhrimo & Memushaj, 2011) për heqjen e ‘ë’-së në fjalët si: ‘uj’, ‘brum’, ‘djath’, ‘lum’ e ‘mjalt’. Përemrin ‘ai’ e kam kthy në ‘aj’ sepse kështu shqiptohet në të folur dhe afrohet logjikshëm me femëroren “ajo”.
Një ndryshim tjetër ësht përdorimi i përemrave pronorë ‘jem’ për ‘im’, ‘jot’ për ‘yt’, ‘jonë’ për ‘ynë’, ngaqë përputhen më mirë me sistemin e përgjithshëm të lakimit të përemrave pronorë. Në disa raste kam përdorë disa fjalë me prejardhje sllave që përdoren në Kosovë e më gjërë (si ‘kolicë’, ‘maicë’, ‘pacov’, ‘shole’ etj.), ngaqë japin kuptimin më të saktë të fjalëve në anglishte (‘barrow’, ‘T-shirt’, ‘rat’, ‘toilet’). Kam zbatu atë që Eqrem Çabej pati propozu në Kongresin e Drejtshkrimit 1972 heqjen e ‘rr’-së prej disa fjalësh që vijnë nga gjuhët e huaja sepse ato në gjuhën shqipe nuk paraqesin një ‘rr’ të mirëfilltë: ‘koridor’, ‘barikadë’, ‘taracë’, ‘teritor’ etj.
Një grup fjalësh nga otomanishtja janë kthy në trajtën e tyre të mirëfilltë, ngaqë kështu shqiptohen edhe nga një pjesë e madhe e shqiptarëve “çeshme” (jo ‘çezmë’), ‘çarshaf’, (jo ‘çarçaf’) ‘shadërvan’ (jo ‘shatërvan’), bylyzyk (jo ‘byzylyk’), sajgi (jo ‘sajdi’) etj. Kam zbatu po ashtu disa propozime të Këshillit Ndërakademik: ‘gjërë’ (jo ‘gjerë’), ‘heret’ (jo ‘herët’) etj. Në këtë vijë kam futë në përdorim edhe prapashtesën e shumsit ‘-j’ (jo ‘-nj’) si “shkëmbij”, “jabanxhij” etj., një propozim i dhënë dhe i përkrahur edhe nga shum gjuhëtarë në Kongresin e Drejtshkrimit (1972), një ndër ta edhe Çabej.
Kam përdorë trajtën ‘m’, e përafërt me atë të propozuar nga Fuat Ostrozubi në Kongresin e Drejtshkrimit, për rrudhjen e arkaikes “mbë” në “më”, te numrat nga 11 -19. Emrat e huaj shkruhen sikurse në gjuhët prej nga vijnë. Masandej, ka disa neologjizma, në rastet që i kam pa si të domosdoshme. Për to jepen shpjegime në fusnota përkatëse. Ka edhe disa përdorime të ndryshme fjalësh të cilat kam mendu se duhen me u përdorë në një trajtë e jo në tjetrën, për të cilat lexuesi i vëmendshëm ka me i pa e ka me mundë me dhënë gjykimin e vet.
* * *
Falënderoj autoren, Mary Motesi, e cila më la duart e lira në përkthimin e librit të saj, ashtu si edhe Eli Krasniqin, ide e së cilës ishte me nisë këtë ndërmarrje, me besimin e saj se unë isha personi që duhej me e bë këtë përkthim.
Ky projekt, që nisi si punë vetjake, erdhi e u bë edhe punë edhe e gjithë familjes, duke qenë se gjatë përkthimit u desh m’u angazhu pak a shum secili anëtar. Më duhet të falënderoj në mënyrë të veçantë djalin tem, më të voglin, Besianin, i cili pati durimin me ma lexu gjithë librin në anglishte, derisa unë kontrolloja përkthimin në shqip, dhe me më dhanë vërejtje shum të dobishme. Ndihem borxhli ndaj miqve të mi Steveit e Chrisit për shpjegimet e disa fjalëve e shprehjeve më të vështira të anglishtes. Falënderoj po ashtu, Shkumbin Brestovcin, për sugjerimet dhe vërejtjet në çastet kur po përmbyllej puna me këtë tekst.
Në fund, ky libër kish me dalë me ma shum lëshime nëse nuk kishte qenë ndihma e paçmueshme e bashkëshortes teme, Valdetes, e cila pati durimin dhe mirësinë me e lexu me kujdes disa herë gjithë tekstin e me më ndjekë me pyetje, vërejtje e këshilla të ndryshme. Por, ndërsa meritat munden me u shpërda ndër gjithë këta njerëz që më ndihmuan shum, të gjitha lëshimet e mundshme janë dhe mbeten vetëm të miat.
Agim Morina,
Londër, 5 gusht 2017
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4815