Për këta, Norvegjia joenveriste s’asht shtet normal

Xhevat Lloshi asht ftu me folë për apelin e 20 ‘intelektualëve’. Mbasi për këtë kam një artikull të veçantë po thom vetëm që Lloshi s’e thotë as edhe një fjalë për këtë ‘apel’. Dhe një fakt tjetër me randësi që duhet me vu në dukje asht që nga këta 20 ‘intelektualë’, 19 janë toskë dhe një asht mirditor anonim në gjuhësi (pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit 1972), i cili ende, edhe sot, ban thirrje për ringjallje të sistemit të Enver Hoxhës. Kjo vetëm sa për ta kthjellu pamjen që këta stalinistë të regjun dojnë me e turbullu dhe me e paraqitë si akt patriotik dhe me theksu një fakt të cilin don me mohu shoku Lloshi në intervistën e tij.

Lloshi [00:58]: “Ne ngulim këmbë që Shqipëria të jetë, edhe nga kjo pikëpamje, një shtet normal si të gjitha vendet e botës.”

Shqipnija ka qenë vend normal si të gjitha vendet e botës që nga viti 1917 e deri në vitin 1945. Ka pasë një gjuhë standarde apo ‘shtetërore’ qysh don me e qujtë shoku Lloshi. Erdhën stalinisto-enveristët e Lloshit dhe u sollën si banditë me çdo vlerë që ishte ndërtu deri atëherë dhe e banë Shqipninë jonormale, e futën parimin e jonormalitetit, rregullën se me dhunë e me banditizëm mujnë me u zgjidhë çashtjet e përbashkëta kombtare. Ata e ndaluen gjuhën standarde të deriatëhershme dhe futën abetaret tosknishte në veri e jug të Shqipnisë me 1945 pa kurrfarë debati paraprak. Tash, ajo çka po don Lloshi me e mbajtë si ‘normale’ asht gjendja jonormale e krijueme prej bashkëmendimtarëve të tij. Normale për Lloshin e kompaninë e tij ka qenë edhe Shqipnija staliniste, ndërsa gjithë bota për këtë bandë ishte jonormale. Na sot e dijmë shumë mirë — ashtu qysh e dëshmoi edhe koha — se kush ishte normal e kush jonormal.

Si shembull i një shteti ku paska ‘një gjuhë letrare’ shoku Lloshi e merr Italinë. Para se me e ba këtë, ky përfaqësues i kooperativës gjuhësore enveriste duhet me na kallxu një gja: kur ka ndodhë në Itali që ardhja e një regjimi të ri — nëpër gjithë ata shekuj — e ka ndërru edhe gjuhën standarde në Itali? Sa regjime janë ndërru në Itali që nga koha kur u vu si gjuhë standarde gjuha e Alighierit dhe sa herë ashtë ndërru kjo? Kur të na e kallxojë këtë atëherë do ta kemi ma lehtë me i ra në fije dokrrave të tij e qebesa edhe aj ka me i kuptu ma mirë dokrrat e veta. Ma tutje shoku Lloshi prapë merret me gjermanishten e cila u përdorka edhe në Gjermani edhe në Austri. Po, por aj nuk tregon se kur e ndërroi gjermanishten standarde një regjim banditësh? Lehtë asht me marrë shembull nëpër dynjallëk pa i trajtu hollësisht situatat ndër gjermanë e ndër shqiptarë.

lloshi

Duhesh me qenë shumë i çoroditun e me thanë se paska qenë ‘ëndërr e shovinistëve serbë’ me kriju një gjuhë të veçantë letrare për Kosovën! Kur ka ndodhë kjo? Cili asht fakti i këtij pohimi të marrë? Mos me pasë dashë autoritet jugosllave, delegatët shqiptarë nga Shqipnija Irredentiste kurrë nuk kishin shku në Tiranë për me marrë pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Me ndjekë këtë argument në këtë mënyrë atëherë e kundërta del ma e vërtetë! Ata që kanë jetu në kohët e Jugosllavisë e dijnë këtë shumë mirë. Por dhelpnija e një stalinisti plak asht e pakufishme dhe, me pleqni, ajo në vend se me u zbehë, qenka përsosë.

Për Lloshin me pasë dy gjuhë standarde nuk asht ‘normale’. Pra, Norvegjia asht shtet jonormal! E keqja e kësaj pune asht që e qun veten gjuhëtar. David Crystali, një nga gjuhëtarët ma të mëdhaj të anglishtes sot, thotë se për një gjuhëtar situata gjuhësore në Norvegji asht ma normale sesa në shtetet tjera. Tashti duhet me e pa këtë punë: a ka të drejtë shoku Lloshi i koperativës apo zoti David Crystali.

Gazetarja e re — pa e cilësu ashtu qysh e meriton — vazhdimisht i qun ‘deformim’ kundërshtimet dhe mospajtimet rreth standardit gjuhësor në këta ‘dy dekadat e fundit’. M’u kriju përshtypja se u desh edhe pak që edhe Lloshi edhe gazetarët t’ia nisin me derdhë lot për kohnat e shkueme e të lumtuna enveriste kur hanin bar dhe runin socializmin.

Lloshi sulmon pa asnjë ngurrim Këshilli Ndërakademik, i cili përbahet nga gjuhëtarë ma të shquem të shqipes sot. Pra, as kolegëve që janë gjuhëtarë Lloshi nuk u lejon me shprehë mendimin e tyne, as nuk ka mirëkuptim minimal që të dëgjohen argumentet e tyne. ‘Ata’, dmth. gjuhëtarët e Këshillit Ndërakademik, e paskan ‘ulë prestigjin e standardit’, pohon pa fije turpi skilja e zyrave të komiteteve staliniste. Shpif tanë kohën se ‘ata’ qenkan ‘kundër standardit’! E vërteta asht që ata kanë vërejtje për ‘gjuhën e unisuar letrare’ staliniste e cila u imponu tue mohu gjuhën standarde të maparshme të elbasanishtes. Anëtarët e Këshillit Ndërakademik kërkojnë që të shqyrtohen e përmirësohen disa rregulla që janë krejtësisht të paqëndrueshme edhe për vetë tosknishten. Por edhe kjo shokut Lloshi i duket e tepërt dhe e papranueshme.

Nuk ka as grupe, as individë që thonë se shqipes s’i duhet një gjuhë standarde. Shumica kërkojnë përmirësimin e këtij standardi të tosknishtes e disa të tjerë kërkojnë që të krijohet një marrëveshje e re me një standard tëri për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për toskët. Kjo nuk asht kërkesë për ndamje, asht kërkesë për bashkim për ata që kuptojnë. Për banditë, për ata që lehnin se kanë me hangër bar e s’kanë me e lanë socializmin, natyrisht, asht shumë e vështirë me kuptu se qysh mun me u barazu komisari dhe brigadieri i koperativës së Mallakastrës me ‘malokun e trashë’ Tropojës e të Kukësit, e aq ma pak me kosovarin i cili ‘ma shumë flet sllavisht se shqip’.

Lloshi pohon [10:30]: ‘Pasi krijohet gjuha standarde ajo nuk është më dialekt’. Me nder me thanë, ky ma shumë hamall sesa gjuhëtar nuk e din se gjuha standarde asht dhe ka me mbete gjithmonë dialekt. Gjuha standarde asht dialekt. Çdo gjuhë standarde asht dialekt. Kështu e thonë të gjithë ata gjuhëtarë që dijnë se çka asht gjuha dhe gjuhësia.

Lloshi vazhdon me tiradat e tij [10:43]: ‘Lufta në Shqipëri nuk është në mes të gegërishtes e toskërishtes. Kjo gjë është e kapërxyer.’ Atëherë çfarë po ndodh pra? Çfarë po kërkohet? Kush po ankohet? Pse janë mbledhë 19 toskë dhe një i toskëzuem e po shkrujnë apel?

Përgjegjja e shokut Lloshi asht kjo: ‘Jemi popull shumë krenar. Më shumë krenar sesa duhet. (…) Dhe shqiptari krenar kërkon që gjithë Shqipëria të flasë siç flet ai. Këtë gjë duhet ta heqim nga mendja.’ Kësaj i thonë konkluzion ‘shkencor’ prej ‘gjuhëtari’! Pra, që të mos ketë probleme gjuhësore shoku Lloshi, i cili tash merr rolin e një psikologu të masave, rekomandon që shqiptarët të heqin dorë nga krenaria. Sapo të ndodhë kjo — sipas shokut Lloshi — shqiptarët do ta flasin shqipen standarde ujë! Vërtet shoku Lloshi asht kaq budallë? Vërtet beson se krejt problemi qëndron te krenaria? Natyrisht që jo. Aj e din shumë mirë ku qëndron problemi, por duhet me përhapë mjegull.

Nga

Agim Morina

Agim Morina

Gjuhëtar, artist, poet, dhe mësues shqiptar nga Prizreni. I mërguar në Londër prej viteve 1990. Përkrah Shqipen e Përbashkët me paskajore gege dhe me R-në toske.

Le përgjigje