Shqiptarët në Jugosllavi si hebrejtë në L2B

Laura Silber & Allan Little, Yugoslavia: Death of a Nation (Penguin 1997)
Laura Silber & Allan Little, Yugoslavia: Death of a Nation (Penguin 1997)

Gjithmonë me rëndësi me rikujtu historinë e Evropës së vjetër, veçanërisht kapitujt e hidhët. Yugoslavia: Death of a Nation (Jugosllavia: Vdekja e një shteti), i autorëve Laura Silber dhe Allan Little, është një ndër libër ma të vlerësuar rreth shpërbërjes së dhunshme të ish-federatës evropiane.

Lexoje këtë postim anglisht

Penguin Books e ka botu e ribotu disa herë. Unë kam në dorë botimin e përditësuar të 1997-s. Po shkëpusim ca fragmente:

1.

Është vështirë me mendu ndonjë thirrje që kish me i nxehë sërbët ma fort se fjalimi që mbajti atë natë në pallatin Cankarjev Dom Jože Školjči, asokohe kreu i organizatë së Rinisë Sllovene. «Shqiptarët në Jugosllavi janë në pozitë të ngjashme me atë të jahudijve në Luftën e Dytë Botërore». Për sërbët, kjo i godiste thelbin e mitologjisë së tyre të ringjallur: ata ishin dëshmorët.

Më 27 shkurt, folës pas folësi në Lubjanë dënoi sërbët për shtypjen në Kosovë. Beogradi qe bërë përndjekësi. «Jugosllavia po mbrohet në minierat e Trepçës. Situata në Kosovë tregon se njerëzit nuk janë ma bashkë, por gjithherë e ma shumë janë kundër njëri-tjetrit. Nuk bëhet politikë në rrugë ose kur rrezikohet jetët», tha [udhëheqësi slloven Milan] Kučan.

«Minierat e Trepçës po mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe komunistëve në Kosovë për të zgjedhë udhëheqjen e vet. Sllovenët nuk janë mysafirë të rastit në Jugosllavi. Ne kemi ndihmu me e bë Jugosllavinë, dhe kemi përgjegjësi për të ardhmen e saj. Ne protestojmë kundër nxitjes së psikozës për gjendjen e jashtëzakonshme. Paralajmërojmë se një grushtshtet i heshtur po ndodh para syve tanë, dhe po e ndryshon fytyrën e Jugosllavisë». [f. 65–66]

Laura Silber & Allan Little, Yugoslavia: Death of a Nation (Penguin 1997) f. 66
Laura Silber & Allan Little, Yugoslavia: Death of a Nation (Penguin 1997) f. 66

2.

Brenda udhëheqjes sërbe në Kroaci, [udhëheqësi ekstremist Milan] Babić tani kish nisë sulmin ndaj [rivalit relativisht të moderuar] Rašković. Tashma ai ishte njeri i dytë në hierarkinë e [partisë etnike sërbe] SDS, dhe kryetari i Kninit. Ai filloi me ndërtu një bazë alternative të pushtetit […]. Në maj, themeloi Zajednicën e Komunave Sërbe [që ma vonë u bë Republika e Krajinës Sërbe, me kryeqytet Kninin]. Një nga një, Babići vizoi viset ku sërbët përbënin shumicën e popullsisë. Deri kah mesi i verës, një grusht komunash përreth Kninit u bënë pjesë e Zajednicës së tij: Borovaci, Dvori, Vojniqi, Donji-Llapaci.

Por rebelimin e Babićin nuk e përkrahnin kurrsesi të gjitha viset e banuara me sërbë. Shumë syresh ishin të interesuara në dialog me Zagrebin, dhe ishin larg armiqësisë me qeverinë e re. Në ato hapësira, Babići përdori forcën me imponu autoritetin e vet. [f. 97]

3.

Ndërsa tanket u rrokullisën rrugëve, policia bastisi dhe mbylli radiostacionin liberal B-92 dhe televizionin Studio B, të vetmin në Beograd që nuk ishte në duart e qeverisë. Të dy mediat raportonin për demonstratën. «Udhëheqja e Serbisë ka kërkuar dërgimin e njësive të Ushtrisë meqë shumica e njësiteve policore janë të angazhuara në Kosovë», thoshte kumtesa e kryesisë federative, që shpjegonte pse APJ-ja qe thirrë me ndërhy në vend të policë. [f. 121]

4.

[Ministri i mbrojtjes] Kadijević e kreu pjesën e vet duke ndjellë përfytyrime makthi nga Lufta e Dytë Botërore. «Në Jugosllavi, janë shfaqë në skenë të gjithë armiqtë e mundshëm të socializmit dhe të Jugosllavisë së bashkuar: ustashët, çetnikët, shqiptarët, bellogardistët [e Sllovenisë] dhe faktorë të tjerë. Ne po luftojmë ndaj të njëjtit armik si më 1941». [f. 125]

Nga Plisi

Themelu më 28 nëntor 2012, Plisi është sajt për qytetari dhe shqiptari.