Projekt-kushtetutë për Dardaninë

Me këtë projekt, jam përpjekë me i sanu të metat e kushtetutës së 2008-ës, duke qartësu pushtetin e popullit si sovran, duke i zgjëru të drejtat e njeriut, dhe duke e përcaktu me përpikëri mënyrën si zgjedhen dhe veprojnë ngrehimet e shtetit.

Përveç përmbajtjes së re dhe huazimeve nga kushtetutat botërore, projekti përfshin edhe pjesë të rishkruara të kushtetutave të mëparshme të vendit. Teksti ka afro 13 mijë fjalë, rreth tremijë më pak se kryeligji i 2008-ës, dhe është shkru me gjuhë të thukët, fjali të shkurta e të kuptueshme, dhe fjalë sa më shqipe.

Ndonëse projekti ka 205 nene, më poshtë kam dhënë një listë të neneve më të veçanta që ia vlen me i lexu — nëse s’mund t’i lexosh të gjitha.

U jam mirënjohës bashkëqytetarëve Yll Abdyli dhe Dren Shporta që më sugjeruan përmirësime në disa pjesë të tekstit. Gabimet mbeten të miat.

Teksti

Pjesë të sugjeruara

Veçanërisht, sugjeroj me i lexu pjesët që përcaktojnë këto çështje:

Parathënie

Ne, populli i Dardanisë së lirë e të pavarur, —

lidhë besa-besë për me mbrojtë jetën, denjësinë, e lirinë e secilit njeri, pa dallim; për me i rujtë doket, gjuhën, dhe vetëvetësinë tonë kombëtare; dhe për me jetësu vegimin e të parëve tanë për dheun stërgjyshor dhe ëndrrat e të gjithë brezave që vijnë, duke ndërtu një shtet të drejtë, përparimtar, e të fuqishëm, që do të rrojë me nder në gjirin e kombeve paqedashëse të Evropës së bashkuar; tash e sa të ketë mot —

shpallim e vendojmë këtë Kushtetutë.

Shteti

  • Në përgjithësi: n. 1  

    Neni 1. Përcaktimi [i shtetit]

    1. Dardania është vend i lirë dhe shtet i pavarur, sovran, dhe i njëshëm, me tërësi tokësore të pacenueshme dhe të patjetërsueshme.

    2. Shteti dardan është republikë demokratike, shoqërore, dhe shekullare. Shteti dhe republika janë themelu nga populli për t’i mbrojtë të drejtat themelore dhe për të vepru vetëm për të mirën e popullit.

    3. Popullin e përbëjnë kombi shqiptar si dhe kombësitë dhe qytetarët dardanë pa dallim.

  • Sovraniteti popullor: n. 2  

    Neni 2. Sovraniteti popullor

    1. Shteti dhe sovraniteti i përkasin përherë popullit. Populli e ushtron sovranitetin vetëm në mënyrat që i parasheh vetë me Kushtetutë.

    2. Populli lidh besën se do t’i mbrojë përjetësisht dhe me të gjitha mjetet Dardaninë, sovranitetin e popullit, dhe të drejtat themelore. Për aq kohë sa e mban besën e dhënë, populli mund t’i bëjë Kushtetutës çfarëdo ndryshimi që e sheh të vyeshëm.

  • Emërtimi i shtetit: n. 203  

    Neni 203. Emërtimi i vendit

    Emërtimet «Dardania», «Republika e Kosovës», dhe «Republika e Kosovës dhe Metohisë» janë të barasvlershme për aq sa i referohen një shteti të pavarur.

  • Shteti shekullar: n. 144  

    Neni 7. Burimet e ligjvënies

    . . .

    2. Traditat dhe librat fetarë nuk mund të jenë burim i ligjvënies ose ligjit.

    Neni 43. Liria shpirtërore

    1. Çdonjëri ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes, besimit, dhe fesë. Çdonjëri ka të drejtë me pranu, shfaqë, fshehë, ose ndryshu bindjet, besimin, ose fenë.

    2. Ndalohet çdo përpjekje me ushtru autoritet politik ose gjyqësor në emër të fesë.

    Neni 144. Vendime të posaçme

    1. Gjykata Kushtetutore mund t’i përmbarojë përmes Ushtrisë vendimet në lidhje me paragrafët 7.2 dhe 43.2.

    2. Gjykata Kushtetutore mund t’i drejtohet Ushtrisë vetëm pasi organet tjera të shtetit të mos jenë në gatishmëri të përmbarojnë vendimet e Gjykatës Kushtetutore.

  • Kombi shqiptar: n. 9, 62.3, 184  

    Neni 9. Kombi shqiptar

    1. Dardania është pjesë e pandashme e kombit shqiptar.

    2. Shteti nxit bashkëpunimin mbarëkombëtar dhe mbron interesat e shqiptarëve jashtë Dardanisë.

    Neni 62. E drejta e arsimimit

    . . .
    3. Shteti u jep ndihmën e nevojshme financiare qytetarëve dhe pjesëtarëve të kombit shqiptar që nuk kanë mjete të mjaftueshme për t’i mbulu shpenzimet e shkollimit në ngrehimet botore.

    Neni 184. Logu Kombëtar

    1. Logu Kombëtar është organ këshillues për çështjet që kanë të bëjnë me kombin shqiptar, përfshi bashkëpunimin mbarëkombëtar dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve jashtë Dardanisë.
    . . .

  • Gjuhët: n. 10  

    Neni 10. Gjuhët

    1. Shqipja është gjuha zyrtare e shtetërore, dhe ka përparësi ndaj gjuhëve tjera.

    2. Organet shtetërore mund ta përdorin, sipas nevojave të qytetarëve, cilëndo gjuhë trashëgimisht të folur në Dardani. Këto gjuhë përfshijnë gjuhët shqiptare dhe dardane të shenjave, sërbishten, turqishten, boshnjakishten, romishten, malazezishten, dhe çerkezishten.

    3. Organet shtetërore mund të përdorin një gjuhë të huaj vetëm në marrëdhënie ndërkombëtare ose sipërkombëtare ose kur e kërkon ndarja e drejtësisë.

  • Simbolet: n. 11  

    Neni 11. Simbolet

    1. Organet shtetërore dhe qytetarët mund të përdorin, sipas ligjit, flamurin kombëtar shqiptar, flamurin shtetëror, dhe simbole tjera për ta përfaqësu Dardaninë.

    2. Flamuri shtetëror ngërthen një shfaqësim të flamurit kombëtar të stolisur me shenja dalluese të trashëgimisë dardane.

  • Kryeqyteti: n. 12  

    Neni 12. Kryeqyteti

    1. Kryeqyteti i Dardanisë dhe selia e organeve qendrore është Prishtina.

    2. Selia e organeve mbarëkombëtare është Prizreni.

  • Ushtria: n. 169.1  

    Neni 169. Ushtria

    1. Ushtria është forcë përgjegjëse për mbrojtjen e vendit. [ . . . ]

Të drejtat themelore

  • Zbatimi: n. 13.2, 14.2–15  

    Neni 13. Përcaktimi [i të drejtave themelore]

    . . .
    2. Të drejtat themelore vlejnë, për aq sa janë të zbatueshme, për të gjithë njerëzit dhe vetat juridike. Por të drejtat themelore i takojnë një vete juridike për aq sa mbrojtja e tyre është e domosdoshme për veprimtarinë e ligjshme që ushtron veta.
    . . .

    Neni 14. Kufizimi i ligjshëm

    . . .
    2. Një e drejtë themelore nuk mund të kufizohet pos me ligj dhe vetëm për aq sa kufizimi është i domosdoshëm për të mbrojtë vendin, rendin kushtetutor, ose të drejtat e të tjerëve.

    3. Kufizimi i një të drejte themelore nuk mund ta mohojë thelbin e saj ose të tejkalojë kufizimet e lejuara nga mjetet mbarevropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

    Neni 15. Shqyrtimi i kufizimit

    Kur kufizohet një e drejtë themelore, organet shtetërore shqyrtojnë mundësinë me arritë qëllimin me kufizim më të vogël, duke i kushtu vëmendje:
    (1) thelbit të së drejtës që kufizohet;
    (2) rëndësisë së qëllimit të kufizimit;
    (3) natyrës dhe vëllimit të kufizimit; dhe
    (4) përputhjes midis kufizimit dhe qëllimit të kufizimit.

  • Barazia, mosdiskriminimi: n. 20  

    Neni 20. Barazia

    1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe gëzojnë mbrojtje të barabartë ligjore.

    2. Ndalohet trajtimi i pabarabartë ose nxitja e mosdurimit për shkaqe të:
    (1) gjinisë, seksit, ose kahjes seksore;
    (2) racës, ngjyrës, kombësisë, prejardhjes, gjuhës, ose të folmes;
    (3) fesë ose bindjeve shpirtërore;
    (4) fisit, derës, familjes, pronës, ose gjendjes amvisnore a shoqërore;
    (5) trevës, vendbanimit, ose mërgimit a arsimimit jashtë vendit;
    (6) mendimit ose shoqërimit;
    (7) amësisë a atësisë, lindjes, ose parbinisë;
    (8) dukjes, moshës, sëmundjes, ose aftësisë së kufizuar; ose
    (9) ndonjë gjendjeje tjetër.

    3. Shteti mbron ata që janë në gjendje të pabarabartë dhe u ndihmon përderisa përpiqen të përparojnë aq sa munden me përparu. Por veprimet shtetërore duhet:
    (1) të mos krijojnë mbresë të rreme ose sapërsyefaqe të barazisë;
    (2) të mos shkaktojnë varshmëri nga ndihma shtetërore; dhe
    (3) të mos pengojnë shtytjet për përpjekje individore ose shoqërore.

  • Barazia gjinore: n. 49  

    Neni 49. Barazia gjinore

    1. Pjesëtarët e njërës gjini duhet të përbëjnë, për aq sa është e mundshme, të paktën një të tretën e anëtarëve të çdo organi shumanëtarësh të shtetit.

    2. Zgjedhja që bëjnë qytetarët mund të shpërfillet vetëm për aq sa e domosdoshme që pjesëtarët e njërës gjini të përbëjnë një të tretën e anëtarëve të një organi shumëantarësh.

    3. Çdo veprim për qëllime të këtij neni duhet të jetë në pajtim me paragrafin 20.3.

  • E drejta e privatësisë: n. 22–24  

    Neni 22. E drejta e privatësisë

    1. Çdonjëri ka të drejtën e privatësisë. Kjo e drejtë përfshin të drejtën e:
    (1) respektit për hapësirën vetjake dhe jetën private e familjare;
    (2) pacenueshmërisë së banesës dhe objekteve private; dhe
    (3) fshehtësisë e kumtimit privat dhe të të dhënave vetjake.

    2. E drejta e privatësisë ngërthen lirinë nga kontrolli, përfshi kontrollin natyror, marrjen e sendeve, dhe vëzhgimin teknologjik.

    Neni 23. Kontrolli i ligjshëm

    1. Asnjë hapësirë vetjake, banesë, objekt privat, ose kumtim nuk mund të kontrollohet, përveçse për aq sa lejohet me miratim gjyqësor ose për aq sa kontrolli është i domosdoshëm:
    (1) për ta ndalë dikë ligjshëm;
    (2) për të mbledhë prova që ka rrezik të humbin; ose
    (3) për ta mënjanu rrezikimin e drejtpërdrejtë dhe të rëndë ndaj njerëzve ose pronës.

    2. Të dhënat vetjake të njërit nuk mund të vëzhgohen e ruhen rregullisht dhe vetvetiu, përveçse për aq sa lejohet me miratim gjyqësor ose për aq sa vëzhgimi është i domosdoshëm:
    (1) për t’i zbatu marrëveshjet që ka lidhë njeriu të dhënat e të cilit ruhen;
    (2) për t’i përcaktu detyrimet financiare ndaj shtetit; ose
    (3) për të zbatu akte ligjore e nënligjore ndaj veprimtarive ekonomike.

    Neni 24. Miratimi i kontrollit

    1. Gjykata miraton kontrollin paraprakisht, me shkrim, dhe vetëm për aq sa kontrolli është i domosdoshëm për hetimin e një shkeljeje të ndëshkueshme. Gjykata përshkruan saktësisht vendin ose njeriun që do të kontrollohet, sendin që do të merret, dhe të dhënat që do të ruhen.

    2. Në rast se kontrolli është kry pa miratim gjyqësor, gjykata vlerëson nëse kontrolli ka qenë në pajtim me Kushtetutën. Nëse vlerëson se po, gjykata e miraton kontrollin prapaveprimisht.

  • E drejta e besës: n. 25  

    Neni 25. E drejta e besës

    1. Shteti është përgjegjës për sigurinë botore.

    2. Çdonjëri ka të drejtën e besës se askush përpos shtetit nuk do ta përndjekë për kryerjen e një shkeljeje të ndëshkueshme.

    3. Shteti dënon dhe mund t’i shpronësojë ata që shkelin të drejtën e besës.

  • Shtetësia: n. 39–40  

    Neni 39. Shtetësia

    1. Çdonjëri i lindur në Dardani ose që ka prind a gjysh dardan është vetvetiu qytetar dardan.

    2. Qytetar dardan mund të bëhet çdonjëri që, sipas aftësive të veta, njeh kënaqshëm gjuhën shtetërore, dhe përmbush kushtet e përcaktuara me ligj.

    3. Asnjë qytetari nuk mund t’i mohohet ose t’i hiqet e drejta e shtetësisë.

    4. Qytetari dardan ka të drejtë të mbajë njëkohësisht shtetësinë e një shteti tjetër. Por ka detyrë ta bëjë të ditur shtetësinë e huaj sa herë që kandidohet për t’u zgjedhë ose emëru në detyrë zyrtare.

    Neni 40. Mbrojtja e qytetarëve

    1. Asnjë qytetar nuk mund të pengohet me hy në Dardani ose të dëbohet a t’i dorëzohet, kundër vullnetit të tij, një shteti të huaj.

    2. Shteti mbron me ligj interesat e qytetarëve jashtë vendit.

  • Familja: n. 52–55  

    Neni 52. Mbrojtja e familjes

    1. Familja përbën gurthemelin e shoqërisë dhe gëzon mbrojtjen e veçantë të shtetit.

    2. Çdo prind ka të drejtën e pushimit të lehonisë me pagesë, para dhe pas lindjes së fëmijës.

    3. Shteti nxit shtimin e popullsisë dhe ndihmon çdo prind në nevojë me i rritë dhe eduku fëmijët.

    Neni 53. Martesa

    1. Dy veta të moshës martesore që nuk janë në lidhje të ngushtë gjaku ose tambli kanë të drejtë që, me pëlqim të lirë dhe në përputhje me ligj, të martohen dhe të krijojnë familje.

    2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe mbështetet në barazinë e bashkëshortëve.

    Neni 54. Fëmijët

    1. Çdo fëmijë ka hak kujdesin për mirëqenien e tij dhe të mbrojtjes nga dhuna, keqtrajtimi, dhe shfrytëzimi.

    2. Të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën duhet të jenë në interesin më të mirë të fëmijës.

    3. Çdo fëmijë ka të drejtë të mbajë kumtime të rregullta vetjake dhe kontakte të drejtpërdrejta me prindërit dhe gjyshërit e vet, përveçse kur organi përgjegjës kufizon kumtimet ose kontaktet e tilla.

    Neni 55. Prindërit

    1. Çdonjëri i moshës madhore ka detyrë të kujdeset për prindin a vjehrrin e vet të moshuar a të paaftë.

    2. Çdonjëri që kujdesin parësor ndaj prindit a vjehrrit ia lë në dorë shtetit ka detyrë të mbulojë shpenzimet e kujdesit.

  • Prona, plangu: n. 57–58  

    Neni 57. E drejta e pronës

    1. Çdonjëri ka të drejtë ta gëzojë paqësisht pronën e vet. Kjo e drejtë përfshin të drejtën me bartë pronësinë përmes shitblerjes, dhurimit, ose trashëgimisë.

    2. Shteti mund t’i marrë pronën njërit vetëm:
    (1) sipas ligjit;
    (2) për përdorim botor;
    (3) kur shpronësimi është i domosdoshëm për arritjen e një qëllimi botor; dhe
    (4) pasi t’i ketë pagu pronarit vleftën që prona ka në treg ditën që shpallet shpronësimi.

    3. Pronari mund ta rikthejë pronën që i është marrë për të përmbushë detyrime ligjore, duke i përmbushë në plotni detyrimet në çdo kohë para se pronën ta blejë në mirëbesim një palë e tretë.

    4. Detyruesi nuk mund të shkagojë ofertën e të detyruarit për të përmbushë detyrimet në plotni ose sipas kontratës.

    Neni 58. E drejta e plangut

    1. Çdonjëri ka të drejtë të shfrytëzojë plangun. Plangu përbën, deri në madhësinë ose vlerën e arsyeshme, pronën që pronari ose bashkëshorti, prindërit, a fëmijët e mitur të pronarit e përdorin për banim ose për bujqësi mbijetese.

    2. Askujt nuk mund t’i merret plangu ose t’i detyrohet shitja e plangut, përveçse:
    (1) në rast shpronësimi në përputhje me paragrafin 57.2;
    (2) për të la huanë e dhënë për blerjen e plangut;
    (3) për të përmbushë detyrimet për punime të kryera në plang;
    (4) për të përmbushë detyrimet tatimore;
    (5) për të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga një barrë e vendosur mbi pronën para bartjes së pronësisë;
    (6) për të mbulu shpenzimet e nevojshme për kujdesin ndaj fëmijës së pronarit, nëse fëmija nuk jeton me pronarin; ose
    (7) për të mbulu shpenzimet e nevojshme për kujdesin ndaj prindit të moshuar a të paaftë të pronarit, nëse pronari ia ka besu shtetit kujdesin parësor për prindin.

    3. Në rast të një mosmarrëveshjeje lidhur me cilësimin e plangut, pala që kërkon ta marrë pronën ose ta detyrojë shitjen e pronës ka barrën për të dëshmu se prona nuk cilësohet si plang.

    4. Të ardhurat nga shitja e plangut mbrohen, për të paktën një vit, në të njëjtën mënyrë si plangu.

  • Puna, greva, sindikatat: n. 59–60, 47.2  

    Neni 59. E drejta e punës

    1. Çdonjëri ka të drejtë me punu, duke zgjedhë dhe ushtru lirshëm zanatin dhe duke zgjedhë vendin e punës.

    2. Çdonjëri ka të drejtën e lirisë së sipërmarrjes. Kjo e drejtë përfshin të drejtën me nisë dhe zhvillu veprimtari ekonomike sipas ligjit.

    3. Çdonjëri ka të drejtën e lirisë së punës mendore, që përfshin punën akademike, hulumtimin shkencor, shpikjet e risimet, dhe krijimitarinë artistike, letrare, e shkencore.

    4. Çdo autori ose shpikësi i takojnë, sipas ligjit, privilegje të caktuara mbi veprën ose idenë e vet. Privilegjet e tilla jepen me qëllim që njëkohësisht:
    (1) me i nxitë autorët dhe shpikësit me botu vepra dhe ide të reja; dhe
    (2) me mbrojtë lirinë e të tjerëve për me i përdorë veprat e botuara dhe idetë e njohura.

    5. Çdonjëri që zgjedh me u marrë me bujqësi ka të drejtë me i rujtë, shpërnda, shumu, dhe shitë bimët ushqimore dhe shtazët që i ka rritë ligjërisht.

    Neni 60. E drejta për grevë

    1. Punonjësit kanë të drejtën për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës.

    2. E drejta për grevë mund të kufizohet me ligj për kategori të veçanta punonjësish për t’i siguru shoqërisë shërbimet e domosdoshme.

    Neni 47. Liria e tubimit dhe shoqërimit

    . . .
    2. Punonjësit kanë të drejtë të organizohen në sindikata për t’i mbrojtë interesat vetjake. Kjo e drejtë mund të kufizohet me ligj për kategori të veçanta punonjësish për aq sa kufizimi është i domosdoshëm për t’i siguru shoqërisë shërbimet e domosdoshme.

  • Teknologjia: n. 64  

    Neni 64. Të drejtat teknologjike

    1. Asnjëri nuk mund të detyrohet që, për të gëzu të drejtat e veta, të përdorë ose të paguajë për mjete, ndërtimin e brendshëm të të cilave nuk mund ta qasë, ndryshojë, ose shpërndajë lirshëm.

    2. Çdonjëri ka të drejtë të studiojë funksionimin e një mjeti që ka në pronësi ose ka marrë me qira dhe të botojë atë që mëson rreth atij mjeti. Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm me marrëveshje të lidhur përmes negocimit individor.

  • Zhvillimi njerëzor: n. 56  

    Neni 56. Liria e zhvillimit

    Çdonjëri ka të drejtën të gëzojë shëndetin, të zhvillojë shqisën dhe mendjen, dhe të kërkojë lumturinë vetë dhe si pjesëtar i shoqërisë. Kjo e drejtë përfshin të drejtën me përfitu nga të mirat e artit, shkencës, teknologjisë, dhe përparimit të gjithëmbarshëm njerëzor.

Demokracia

  • Në përgjithësi: n. 48–49, 51  

    Neni 48. Të drejtat zgjedhore

    1. Çdo qytetar që ka mbushë moshën 18-vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka detyrë me hedhë votën e vet dhe të drejtë të zgjedhë ose të zgjedhet përfaqësues, përveçse kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor ose Kushtetuta përcakton ndryshe.

    2. Vota është vetjake, e barabartë, e lirë, dhe e fshehtë.

    Neni 49. Barazia gjinore

    1. Pjesëtarët e njërës gjini duhet të përbëjnë, për aq sa është e mundshme, të paktën një të tretën e anëtarëve të çdo organi shumanëtarësh të shtetit.

    2. Zgjedhja që bëjnë qytetarët mund të shpërfillet vetëm për aq sa e domosdoshme që pjesëtarët e njërës gjini të përbëjnë një të tretën e anëtarëve të një organi shumëantarësh.

    3. Çdo veprim për qëllime të këtij neni duhet të jetë në pajtim me paragrafin 20.3.

    Neni 51. Mbrojtja e demokracisë

    1. Ish-zyrtarëve shtetërorë mund t’u kufizohet me ligj dhe për një afat të arsyeshëm pjesëmarrja në:
    (1) veprimtarinë ekonomike që kishin për detyrë zyrtare ta rregullojnë ose mbikëqyrin; ose
    (2) veprimtari ekonomike që ka për qëllim të ndikojë në punën e qeverisë.

    2. Me përjashtim të shpenzimeve të vogla që bëjnë qytetarët e veçantë, ligji mund të kufizojë shpenzimet private që kanë për qëllim të ndikojnë në zgjedhjet dhe mund t’u kërkojë shpenzuesve të identifikohen.

  • Zgjedhjet e përgjithshme: n. 190–191  

    Neni 190. Orari i zgjedhjeve

    1. Zgjedhjet për Prijetar dhe zgjedhjet vendore mbahen, për aq sa është e mundshme, të njëjtën ditë.

    2. Zgjedhjet për Kuvend mbahen, për aq sa është e mundshme, të paktën një vit larg zgjedhjeve të rregullta për Prijetar dhe zgjedhjeve vendore.

    3. Referendumi, për aq sa është e mundshme, mbahet të njëjtën ditë me zgjedhjet e parapara për atë vit.

    4. Për ta zbatu këtë nen, Prijetari mund ta shkurtojë deri në një vit mandatin e vet, të ligjvënësve, ose organeve të qeverisjes vendore.

    Neni 191. Ecuria zgjedhore

    1. Vota e qytetarit mund t’i njehet vetëm kandidatit që zgjedh qytetari. Vota ose mandati i fituar nuk mund t’i njehen togut ose partisë politike në të cilën bën pjesë kandidati.

    2. Çdo qytetar ka të drejtë t’i kërkojë gjykatës me shqyrtu mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

  • Zgjedhja e kreut të shtetit: n. 72–75  

    Neni 72. Përcaktimi [i zgjedhjes]

    1. Qytetarët me të drejtë vote e zgjedhin Prijetarin në zgjedhje të përgjithshme e të drejtpërdrejta.

    2. Zgjedhjet e rregullta mbahen të dielën e dytë të majit, vitin që i mbaron mandati Prijetarit.

    Neni 73. Cilësimi

    1. Mund të zgjedhet Prijetar çdo qytetar dardan që, ditën që zgjedhet:
    (1) ka mbushë moshën 40-vjeç; dhe
    (2) nuk është përfshi, brenda tri viteve të fundit, në parti ose veprimtari politike.

    2. Mund të kandidohet për Prijetar çdo qytetar që përmbush kushtet për t’u zgjedhë dhe ka përkrahjen e tremijë qytetarëve.

    3. I zgjedhuri Prijetar nuk mund të rizgjedhet më shumë se dy herë.

    4. Nuk mund të kandidohet në zgjedhjet e radhës qytetari që sapo është shkarku ose ka dhënë dorëheqje nga detyra e Prijetarit.

    Neni 74. Votimi i parë

    1. Votuesit mund ta miratojnë, kundërshtojnë, ose shpërfillin secilin kandidat veç e veç.

    2. Për çdo herë që miratohet, kandidati merr një pikë, dhe për çdo herë që kundërshtohet, kandidatit i hiqet një pikë.

    3. Quhet i zgjedhur Prijetar kandidati që ka gjithsej më së shumti pikë dhe e miratojnë mbi gjysma e të gjithë votuesve.

    Neni 75. Dytësimi

    1. Nëse asnjë kandidat nuk zgjedhet Prijetar, mbahet votimi dytësues të dielën e dytë pas votimit të parë.

    2. Në votimin dytësues, votuesit zgjedhin njërin nga dy kandidatët që morën më së shumti pikë në votimin e parë.

    3. Quhet i zgjedhur Prijetar kandidati që merr shumicën e votave të vlefshme.

  • Përfaqësimi në Kuvend: n. 83, 87  

    Neni 83. Përcaktimi [i Kuvendit]

    1. Kuvendi ushtron pushtetin ligjvënës.

    2. Kuvendi ka 60 ligjvënës.

    3. Mund të zgjedhen deri në 10 ligjvënës shtesë, por jo më shumë se ç’është e domosdoshme, për të siguru përfaqësimin e kënaqshëm të bashkësive të nënpërfaqësuara.

    Neni 87. Viset zgjedhore

    1. Me ligj, trualli i Dardanisë ndahet në 20 vise zgjedhore me popullsi të barabartë, por duke i marrë parasysh vijat e njësive të mbarështimit dhe ndarjet e natyrshme mes trevave, bashkive, dhe vendbanimeve.

    2. Banorët me të drejtë vote të secilit vis zgjedhin nga tre ligjvënës.

    3. Qytetarët që banojnë jashtë vendit mund të votojnë si banorë të visit ku janë lindë, kanë banu, ose kanë lidhje të dëshmuara të përcaktuara me ligj.

  • Formimi i qeverisë: n. 110–115  

    Neni 110. Mandatimi nga Prijetari

    1. Brenda 14 ditëve pas ditës që mbahet mbledhja e parë e Kuvendit ose ditës që jep dorëheqje Kabineti, Prijetari cakton një mandatar për ta bërë Kabinetin e ri dhe për të shërby si Kryeministër.

    2. Në caktimin e mandatarit, Prijetari përdor gjykimin e vet dhe nuk është i detyruar ta marrë parasysh përbërjen politike të Kuvendit.

    Neni 111. Miratimi në Kuvend

    1. Brenda 14 ditëve pas ditës në të cilën caktohet, mandatari ia paraqet Kuvendit programin dhe emrat e anëtarëve të Kabinetit të ri. Pastaj, Kuvendi vendos menjëherë, pa debat, me votim të hapur, dhe me shumicën e të gjithë ligjvënësve, nëse do ta miratojë bërjen e Kabinetit të ri.

    2. Brenda shtatë ditëve pas ditës së miratimit nga Kuvendi, Kabineti i ri paraqitet para Prijetarit për ta bërë betimin dhe për ta pranu detyrën.

    Neni 112. Përmbysja e mandatarit

    1. Nëse Kuvendi nuk e miraton bërjen e Kabinetit të ri, ose mandatari nuk është në gjendje ose nuk pranon ta bëjë Kabinetin e ri, mandatari quhet i përmbysur.

    2. Prijetari cakton një mandatar të dytë brenda shtatë ditëve pas ditës që përmbyset mandatari i parë. Mandatari i dytë caktohet në të njëjtën mënyrë dhe ka të njëjtat detyra dhe kushte si mandatari i parë.

    Neni 113. Mandatimi nga Kuvendi

    1. Nëse Prijetari nuk e cakton mandatarin e dytë brenda afatit, ose përmbyset edhe mandatari i dytë, të drejtën me caktu mandatarin e merr Kuvendi.

    2. Mandatari që e cakton Kuvendi ka të njëjtat detyra dhe kushte, por mund të mos ketë të njëjtin afat, si një mandatar që e cakton Prijetari.

    3. Nëse, brenda 14 ditëve pas ditës që të drejtën me caktu mandatarin e merr Kuvendi, nuk paraqitet një Kabinet i ri para Prijetarit, Prijetari mund ta shpërndajë Kuvendin.

    Neni 114. Ribërja e Kabinetit

    1. Kryeministri ose një e treta e të gjithë ligjvënësve mund t’i kërkojnë Kuvendit ta ribëjë Kabinetin. Parashtruesi i kërkesës cakton njëkohësisht një mandatar të ri për ta bërë Kabinetin e ri dhe për të shërby si Kryeministër.

    2. Brenda shtatë ditëve pas ditës që bëhet kërkesa, mandatari i ri ia paraqet Kuvendit programin dhe përbërjen e Kabinetit të ri. Pastaj, Kuvendi vendos menjëherë, pa debat, me votim të hapur, dhe me shumicën e të gjithë ligjvënësve, nëse do ta miratojë bërjen e Kabinetit të ri.

    3. Kërkesa për ribërjen e Kabinetin nuk mund të përsëritet brenda 90 ditëve.

    Neni 115. Dorëheqja e Kabinetit

    1. Nëse Kuvendi miraton bërjen e Kabinetit të ri, Kabineti paraprak quhet në dorëheqje deri në kohën kur Kabineti i ri ta marrë detyrën.

    2. Nëse Kuvendi nuk miraton bërjen e Kabinetin të ri, Kabineti i tashëm mbetet në detyrë.

  • Referendumi: n. 194  

    Neni 194. Kërkesa dhe shpallja

    1. Mund të mbahet referendum për ta miratu ose shfuqizu një ligj ose për çështje me rëndësi të posaçme.

    2. 50 mijë qytetarë, një e katërta e të gjithë ligjvënësve, ose Kryeministri mund ta kërkojnë referendumin.

    3. Mbajtjen e referendumit e miraton Prijetari ose Kuvendi.

Çështje tjera

  • Rastet gjyqësore: n. 121–122  

    Neni 121. Lëndët gjyqësore

    1. Gjykatat shqyrtojnë vetëm lëndë ose mosmarrëveshje të mirëfillta mes palëve kundërshtare që paraqiten para gjykatës.

    2. Një lëndë ose mosmarrëveshje quhet e mirëfilltë kur njëra palë i kërkon gjykatës ta ndalojë një ligj ose veprim që po dëmton ose është gati me dëmtu palën ose kur njëra palë kërkon dëmshpërblim për dëmet që ka pësu.

    Neni 122. Pagjykueshmëria

    1. Pos kur Kushtetuta përcakton ndryshe, gjykatat nuk japin mendime këshilluese as nuk shqyrtojnë raste në të cilat vendimi i gjykatës nuk është i plotfuqishëm.

    2. Gjykatat nuk shqyrtojnë raste politike, përfshi çështjet që u janë besu ose mund të zgjidhen më mirë kur u lihen në dorë organeve shtetërore që u nënshtrohen zgjedhjeve të drejtpërdrejta.

  • Gjykata kushtetutore: n. 135  

    Neni 135. Tagri [i Gjykatës Kushtetutore]

    1. Gjykata Kushtetutore rishikon, pas ankimit të njërës palë, vendimet e gjykatave për çështje që burojnë nga Kushtetuta ose marrëveshjet ndërkombëtare.

    2. Gjykata Kushtetutore bart përgjegjësi tjera që ia cakton Kushtetuta.

    3. Pos kur Kushtetuta përcakton ndryshe, Gjykata Kushtetutore shqyrton çështjet në pajtim me nenet 121 dhe 122.

    4. Gjykata Kushtetutore ka të drejtë vetëm t’i shfuqizojë ligjet, vendimet, ose veprimet që shqyrton.

  • Rendi ekonomik: n. 180, 183  

    Neni 180. Rendi ekonomik

    1. Rendi ekonomik mbështetet në lirinë dhe mundësitë e barabarta për sipërmarrësi të vyeshme.

    2. Shteti kujdeset për mirëqenien e përgjithshme:
    (1) duke siguru mundësi të barabarta për veprimtari të vyeshme ekonomike;
    (2) duke nxitë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe punësimin e qytetarëve;
    (3) duke mbrojtë investuesit dhe pronën;
    (4) duke mbrojtë, sipas ligjit, konkurrencën e lirë;
    (5) duke mbrojtë konsumatorët dhe huamarrësit;
    (6) duke themelu organe të pavarura për rregullimin e tregut kur vetë tregu nuk është në gjendje ta mbrojë interesin botor;
    (7) duke marrë masa me pengu shtrenjtimin afatgjatë të mallrave dhe shërbimeve; dhe
    (8) duke marrë masa me pengu përqendrimin e popullsisë dhe pasurisë në një pjesë të vendit.

    3. Shteti mund të kushtëzojë zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare me respektimin e të drejtave themelore jashtë vendit.

    Neni 183. Privatizimi

    1. Asnjë veprimtari shtetërore nuk mund të privatizohet, përveçse kur entiteti që rrjedh nga privatizimi shet prodhimet ose shërbimet e veta në një treg konkurrues dhe të përbërë kryesisht nga blerës privatë.

    2. Shteti mund të rishtetëzojë çdo ish-veprimtari shtetërore që është privatizu në kundërshtim me këtë nen. Për ta rishtetëzu një veprimtari të tillë, shteti paguan si kompensim shumën që ka marrë nga privatizimi i veprimtarisë minus shumën që entiteti i privatizuar dhe entitetet e ndërlidhura kanë fitu nga veprimtaria e privatizuar.

  • Qeverisja vendore: n. 186–187  

    Neni 186. Përcaktimi

    1. Qeverisja vendore mbrohet dhe rregullohet me ligj dhe mbështet në zgjedhje të lira e të drejtpërdrejta.

    2. Nuk mund të ketë kurrfarë njësie sovrane përpos shtetit.

    3. Njësitë e qeverisjes ose ndarjes tokësore nuk mund të themelohen:
    (1) në vija kombësish ose prirjesh politike a ideologjike; ose
    (2) brenda hapësirave tokësore të shkëputura, të shkapërderdhura, ose të lidhura mes vete përmes korridoreve.

    Neni 187. Bashkitë

    1. Bashkia është njësi themelore e ndarjes tokësore dhe qeverisjes vendore.

    2. Bashkitë kanë tagër që, sipas ligjit:
    (1) të nxjerrin urdhëresa e të marrin vendime brenda fushëveprimit të tyre;
    (2) të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe me palë të treta brenda e jashtë shtetit; dhe
    (3) të mbledhin, caktojnë, e shpenzojnë të hyra dhe të marrin fonde nga qeveria qendrore.

  • Ndryshimi i kushtetutës: n. 199–201  

    Neni 199. Nisma dhe miratimi

    1. Mund të parashtrojë ndryshimin e Kushtetutës kushdo që ka të drejtë t’i parashtrojë Kuvendit një ligj për shqyrtim dhe miratim.

    2. Çdo ndryshim i Kushtetutës bëhet me ligj kushtetues, i cili përtërësohet në Kushtetutë me të hy në fuqi.

    3. Ligjin kushtetues e miraton Kuvendi me dy të tretat e të gjithë ligjvënësve.

    Neni 200. Rishikimi gjyqësor

    1. Pasi ta miratojë ligjin kushtetues, Kuvendi ia paraqet atë Gjykatës Kushtetutore.

    2. Brenda 30 ditëve vijuese, Gjykata Kushtetutore vlerëson nëse ligji pakëson të drejtat themelore ose sovranitetin e popullit dhe:
    (1) nëse vlerëson se po, e kthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend dhe cek arsyet pse po e kthen ligjin; ose
    (2) nëse vlerëson se jo, ia paraqet ligjin Prijetarit [për ta shpallë sipas nenit 202].

    Neni 201. Rimiratimi

    1. Nëse Gjykata Kushtetutore e kthen ligjin, Kuvendi mund ta rimiratojë, me pesë të shtatat e të gjithë ligjvënësve, ligjin të pandryshuar.
    . . .


Tutje:

5 mendime për “Projekt-kushtetutë për Dardaninë”

  1. Kjo kushtetuta juaj shkel rende lirine e besimit fetar, duke mos iu lejuar 98 perqind te muslimaneve ne Kosove per ta zbatuar ligjin islam te Sheriatit, siq i udhezon Krijuesi i tyre. Gjithashtu, insistimi juaj qe shteti te quhet Dardani tregon se ju jeni pjesetar i paguar i sherbimeve te huaja qifuto-katolike qe synojne ta qrrenjosin Islamin nga trojet tona.

  2. I nderuar , nga shfletimi i kujdeseshem qe arrita ti beje kesaj projekt kushtetute , po verehen shenja te nje injorimi mbase te qellimeshem te gjuhes se njesuar Shqipe dhe te nje mosnjohje te pergjitheshme te terminologjise ne pergjithesi ,por asaj shkencoro -juridike te sistemit civil ( kontinental) ne veqanti , si dhe nje tendence nacionaliste qe te zevendesohen principet e rregullimit shteteroro – juridik sipas modeleve europiane dhe demokratike me parulla e slogane populiste antipluraliste ,te cilat nuk jane ne perputhshmeri me projektet dhe aspiratat perendimore te integrimeve rajonale dhe europiane duke perfshire njeherit instancat me te larta Euro-atlantike , per te cilat shprehet kjarte dhe decidivishte Kushtetuta e Republikes se Kosoves e aprovuar me 9 prill te vitit 2008 . Ne nuk guxojme qe te lejojme qe te devijohet ne asnje menyre nga rruga e sigurt qe Republika e Kosoves si shtet i pavarur dhe demokratik ka nisur drejt Europes , sundimit te ligjit , shtetit te se drejtes dhe prosperitetit dhe begatise per te gjithe qytetetaret e saj . Kushtetuta e Republikes se Kosoves eshte kushtetute moderne e punuar nga eksperte vendore dhe nderkombetare qe lejon arritjen e te gjitha objektivave demokratike te popullit te Republikes se Kosoves , por qe nga ne kerkohet vetem respekti i saj , çfare fatkeqesishte nuk eshte duke ndodhur ne kete kohe ne institucionet tona shteterore , posaqerishte ne Parlamentin e Republikes se Kosoves . Prandaj , i nderuar duhet te kihet kujdese ne plasimin e projekteve te tilla si kjo e ashtuquajtur projekt kushtetute per Dardanine ,qe mund ti bejne deme vendit dhe te na sjellin ne rrugen e gabuar .

Le përgjigje