Kërkesë qytetare për ndryshimin e Kushtetutës

[Nënshkrimet e qytetarëve u grumbulluan nga 7 deri më 28 shtator 2014.]

Ne, qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi të shqetësuar për demokracinë tonë. Për gati tre muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, përfaqësuesit tanë nuk kanë qenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre dhe vendi ende nuk ka një qeveri të re. Gjykata Kushtetuese ka vendosë se e drejta me udhëheqë Kuvendin dhe me marrë mandatin e parë për formimin e qeverisë i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Por ajo parti ka vetëm një të tretën e deputetëve. Duke qenë se nuk e gëzon përkrahjen e shumicës së popullit e as të partive tjera, gjasat janë të pakta që Kuvendi të zgjedhë shpejt qeveri të re e të përligjshme.

Ne jemi të vetëdijshëm se ngecjet e herëpashershme janë të natyrshme në demokraci. Por njëkohësisht, vlerësojmë se vështirësitë e tanishme në Kosovë janë pasojë e mangësive të ligjit më të lartë të vendit. Andaj, me dëshirën që ta ruajmë dhe ta zhvillojmë më tej demokracinë dhe t’i shmangim krizat e mundshme institucionale, u bëjmë thirrje përfaqësuesve tanë në Kuvend që t’i shqyrtojnë disa ndryshime të Kushtetutës.

Kësaj kërkese po i bashkëngjisim edhe projekt-amendamentet për nenet 64, 66, 70, 82, 84 dhe 95 të Kushtetutës, në pjesët që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Kuvendit, mandatin e deputetëve dhe formimin të qeverisë. Pa marrë parasysh trajtën përfundimtare që mund të marrë teksti i Kushtetutës, thelbi i kërkesës sonë dhe synimeve tona është:

  1. Rritja e përgjegjshmërisë së përfaqësuesve — Për këtë qëllim kërkojmë përfa-qësimin përmes zonave ose viseve zgjedhore. Qytetarët e secilit vis të zgjedhin disa deputetë dhe të mund t’i mbajnë përgjegjës përmes votës së lirë.
  2. Përfaqësimi i mërgatës — Një numër ulësesh për shtetasit jashtë vendit i nxit ata të marrin pjesë në demokracinë tonë dhe të mendojnë për kthimin në Atdhe.
  3. Kufizimi i pushtetit të partive — Duam që votën e lirë ta japim vetëm për kandi-datë individualë, pa marrë parasysh grupin ose partinë në të cilin bëjnë pjesë. Njëherësh, vota e qytetarit dhe mandati i deputetit t’u njihen vetëm kandidatit ose deputetit të zgjedhur, dhe në asnjë mënyrë partisë.
  4. Formimi i shpejtë i qeverisë — Zgjedhja e ekzekutivit të bëhet pa vonesë e formalitete të tepruara. Kërkojmë që Presidenti i Republikës ta përdorë gjykimin e vet të lirë kur cakton mandatarin për formimin e qeverisë. Kështu, Presidenti ka gjasë të vlerësojë gjendjen në Kuvend dhe t’i shmangë krizat. Në rast se Presidenti nuk arrin ta emërojë një kryeministër të pranueshëm, propozojmë që Kuvendi vetë ta zgjedhë qeverinë.

Projekti për ndryshimin e Kushtetutës

Shih tekstin e projektit

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avokat prej Prishtine të Dardanisë. Banon në Teksas, por s'ka allti të veten. Shkrun për shqiptarët, gjuhën, historinë, e politikën. Lexon çkamos. Ndihmon me mirëmbajtë sajtin për shqiptari, Plisi.org.

2 mendime për “Kërkesë qytetare për ndryshimin e Kushtetutës”

Le përgjigje