Pas 15 vjetësh të pranisë ndërkombtare në Dardani, nuk asht heret ma me folë për dialektin kosovar t’anglishtes. Amerikanët kishim me i thanë “Kosovo English.” Se ç’gjuhë tjetër flasin vendasi e i huaji kur midis Prishtine bërtasin, “Hej, ju wanë gou tu dhät qebaptore fër mëngjez?”
S’kan faj. Do e përziejnë gjuhën prej kuvendese. Se njimê tash, qysh i thonë qebaptores anglisht? Do tjerë e kujtojnë edhe kaftjallin si shujtë të veçantë, që s’i ngjason aspak ushqimit që e hanë në t’esëll britanikët e amerikanët. Dove iu doket edhe “kjutë” me folë qashtu.
Por përtej atij pixhini – ta quajmë “rurbal” – e gjejmë anglishten zyrtare që e përdorin ngrehimet tona botore. Me shqipen që e marrin vesh të huajt, atyne iu thomë “institucione publike.”
Qe, ta zamë, Universitetin e Prishtinës. Ma i vjetri, ma i madhi, ma i miri në vend. Zyrtarisht, emni anglisht i këtij ngrehimi asht: University of Prishtina “Hasan Prishtina.”
Diçka nuk më flejti kur e pashë at emën të shkruem ashtu, ndërsa lexova nji lajm për kandidatët e masterit (se ç’ma kujton ky emën fjalën “maistor”) që s’kan mujtë me i dorzue aplikimet e tyne. Me rregullat e anglishtes standarde që e has përditë n’Amerikë thuhet e shkruhet (pa thojza): Hasan Prishtina Prishtina University.
Por a jam në vete unë me kujtue se nji ngrehim me nam nuk e din anglishten? Me më shkue mendja se për këto punë nuk këshillohet kush me dijetarët e UP-së?
Emni në logo s’asht thjesht nji gabim picimul që kalon pa u vërejtë dhe mandej e prish sajtin nji natë para afatit për aplikime; logoja mishnon fytyrën e universitetit. Andaj, s’un thom unë që UP-ja s’din anglisht. Por ajo asht institucion kosovar. Dhe si e tillë, shkruan “English Kosovar.”
Këte e ban qëllimisht. Emnat e gjatë alasovjetikë na kujtojnë përherë lavdinë e së kaluemes. Qe, p.sh., “Universiteti Federativ i Uralit i emërtuar për nder të Prezydentit të Parë të Federatës Ruse Boris Njidreqoviq Jelcin.”* A s’asht emën madhështor ky?
Si popull kursimtar, amerikanët do ta quanin “redundant” – dmth., i tepruem. N’ekonominë e tregut, ata kursejnë edhe fjalët, kohën, dhe nervat nga shkërdhimi i panevojshëm. Qebesa, germat kushtojnë me u shtypë. Prandej, në kryeqytetin e Juesejit ndodhet thjesht George Washington University.
Thojzat n’Amerikë i përdorin për nofka, jo emna të njimendtë. Por atje nuk ka “English Kosovar.” Këte nji amerikan do ta quante “Kosovo English.”
[*Emni i saktë rusisht asht: Уральский федеральный университет имени первого Президента России Б.Н. Ельцина (Uraljskij federaljnji universitet imeni pervogo Prezidenta Rosii B.N. Jeljcina)]
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=147