Paska ndërru sod jetë gjyqtari Antonin Scalia, 79 vjeç, që ka shërby në Gjykatën e Naltë të Shteteve të Bashkueme për plot tri dekada. I ndjemi njihej për ndërpretimin konservator që i bante kushtetutës së Juesejit, tue ngulë kambë në qëllimin zanafillor të hartuesve dhe tekstin që kanë shkru ata.
Në nji ligjeratë që mbajti njiherë n’universitetin tim, «Southern Methodist» në Dallas të Teksasit, gjykatësi Scalia tregonte:
Shpesh vijnë fëmijë për ta pa Gjykatën e Naltë. Kanë qejf me përsëritë çka u kanë mësu në shkollë: «Kushtetuta është dokument i gjallë…» Jo, kushtetuta asht e vdekun, e vdekët…
Kështu Scalia u kundërvihej gjyqtarëve dhe juristave që mendojnë se ndërpretimi i kushtetutës duhet t’i përshtatet kohës, dhe jo të ngelë peng i qëllimit t’autorëve të saj.
Ma vonë, megjithate, gjyqtari konservator shpjegoi se i kishte ndërru fjalët. Thoshte: «Kushtetuta asht dokument i qëndrueshëm», tue pandehë se kundërshtarët e tij e shihnin kushtetutën si dokument të luhatshëm.
Gjatë punës si gjyqtar, Scalia i ka kushtu randësi ndamjes së tri pushteteve (ligjvenës, përmbarimor, e gjyqsor), tagrit të shteteve kundrejt qeverisë federative, dhe të drejtave t’individëve përballë veprimeve të shtetit.
Megjithate, tue qenë ndërpretues zanafillor i kushtetutës, ka mbajtë edhe shum qëndrime kundraverse. Ka përkrahë, për shembull, ndalimin e poshtimit (abortit) të fëmijëve, tue ngulë kambë se kushtetuta nuk jep nji të drejtë të tillë.
Por nuk asht pajtu as me martesat e gjinisë së njejtë, dhe e ka kundërshtu programin e sigurimeve shëndetsore të kryetarit Obama. Në përgjithsi, gjyqtari i ndjemë mendonte se ato çashtje u përkisnin popullit dhe shteteve veçeveç, jo qeverisë federative.
I diplomuem n’universitetet Georgetown dhe Harvard, Scalia ka punu si avokat për qeverinë amerikane në vitet 1970, dhe më 1982 asht ba për herë të parë gjykatës në Uashington-Disi. Më 1986, kryetari Ronald Reagan e emnoi në Gjykatën e Naltë të Juesejit. Ishte i pari amerikan me prejardhje italiane që bahej pjesë e gjykatës.
Scalia ka pasë nam për rreptësi e madje dhe cinizëm. Por ka lanë vragë në jurisprudencën amerikane dhe do të përmendet për shum kohë si dijetar e intelektual i pashoq. Punën e tij e vlersojnë edhe qortuesit e tij ma të rreptë.
Si avokat i shkolluem në Shtetet e Bashkueme, Antonin Scalinë e kam çmu për fuqinë e shkrimit dhe argumendimit edhe atëherë kur nuk jam pajtu plotsisht me te. Si student, s’kam mujtë pa i lexu mendimet e tij, sidomos mendimet mospajtuese, të cilat thoshte se «i shkrun për studentët».
Scalia u shu paprimtas sod në gjumë, pran nji rançi në Teksas. Do t’u mungojë të gjithë atyne që e kanë njoftë nga afër e nga larg — të nandë fëmijëve të vet, tetë kolegëve në gjykatë, mija avokatëve e juristëve në Juesej, dhe shum bashkantarëve të vllaznisë së nderit të juristëve «Phi Delta Phi», tue më përfshi dhe mue.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4287