Kur «i njëjti» kryn «vepër penale»

Ka diçka që nuk shkon me fjalët vepra penale dhe i njejti (ose i njëjti).

Së pari, ajo që quhet vepra penale mund të jetë veprim dhe mosveprim (e vret dikend edhe tue mos i dhanë bukë kur e ke për detyrë). Kështu, kur thomë vepër, mendojmë shkelje (e ligjit).

Së dyti, mbiemnin penale, që ka rrajë të huej, nuk e kuptojnë njerëzit çka domethanë. Nëse mendojmë diçka me penale, mendojmë e ndëshkueshme? Pra, shkelje e ndëshkueshme!

Por kjo fjalë asht term arti, shprehje e fushës së caktueme dhe me kuptim të caktuem. Dhe për me e zavendësu, duhet me e ndërru ligjin, të paktën kodin penal, kodin e procedurës penale e akte të tjera.

Çka mujmë me ndërru që sot asht me heqë dorë prej zhargonit. Për dallim nga termat e artit, zhargoni asht thjesht fjalë a shprehje e nji fushe të caktueme, por që nuk ka ndonji vleftë të veçantë e që asht ngulitë ma fort pamendimthi si shprehi e keqe ose si përpjekje e vetëdijshme me shitë mend.

Qe, fjala i njejti/njëjti ja të ngatrron krejt, ja s’vyn kurrgja. Shih çfarë hutimi: «I pandehuri është paraqitë në gjykatë dhe i njëjti do të ankohet…»!

Në do vende mjafton me thanë «ai», «qai tipi», ose «qëky ilsan». Por shpesh qebesa, mjafton me e fshi «i njëjti» dhe mos me shtu send: I pandehuri është paraqitë në gjykatë dhe do të ankohet…!

Fol shkurt e shqip.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.