Ky lajm u botue të martën, më 14 tetor. Por nuk kam dashtë me e postue ma heret, meqë s’ish punë me e përmendë, ndërkohë që shteti dhe rrugaçët sërbë ushtrojshin dhunë mbi futbollistat tanë. Se gjindje të dhunshëm ka edhe ndër ne, s’e mohojmë. Vetëm se ne nuk u japim hapsinë me e mbizotnue gjith shoqninë tonë.
Çka po më dhemb te ky lajm, megjithate, asht mënyra qysh gazetari (i portalit dhe i televizionit) e përçmon të folmen e futbollistit të mllefuem. Dhe qebesa, qysh mediat tona e përbuzin gjuhën shqipe sikur t’ishin degë të RTS-së!
Ka do fjalë që pa qare se duhet me i mbulue me ylltha e pipza kur i qesim në tëvë. (Njimê, a thuhet televizion a televizor në kët rast?) Por pse duhet me ia përkthye fjalët tjera? Edhe pse duhet me ia shkrue gabim?
Qe lista e huqeve të mediave me kët lajm:
- Tëvëja ka lejue n’ekran nji tekst me nji kerr gabime gjuhsore. Hajt thot njeri, “kom,” “mrena” dhe “ropt” paraqesin ma mirëfilli shqiptimin e lojtarit. Por lajthitjet tjera nuk kan të bajnë me dialektin e sportistit rrebel. Fjalët futbolltari i ka thanë me gojë; nuk i ka çue me esemes, ku s’hyn në punë lektori.
- Portali që e përcjell lajmin na i përkthen fjalët e lojtarit, thuese po flet ai sërbisht a arabisht. Çka e frymzoi kët titull: “Futbollisti kosovar, gjyqtarit: Do të ta djegë[sic] shtëpinë me ty në të brenda”? Pse duhet me i toskëzue fjalët “kom me ardhë e me ta kallë shpinë, e me të kallë me shpi mrena”? (Unë veç ua shtova ë-jat e mungueme.) Jo që ka të keqe toskërishtja, por të keqe s’ka as gegnishtja. Tue iu shmangë shprehjeve gege, portali sikur po i fut ato më nji thes me të shamet e fjalët e ndyta. Por dorën në zemër, folja “me kallë” ka edhe kuptim erotik.
- Tëvëja shkruen “kall” pa Ë në fund? Shkruhet “me kallë.” Edhe shqiptohet /me káll/ – pra me A të gjatë, për ata që i dallojnë zanoret përkah gjatsia. Por për kët gabim fajet i kan shkollat, të cilat ma para të mësojnë sërbisht sesa qysh shkruhet paskajorja me+ (pra, “me ardhë,” me kallë” e “me **” në fjalinë e kërcënuesit).
- Tëvëja përdor hapsinë para presjes. (Madje, e fut presjen në nji rast ku s’asht gjithaq e nevojshme.) Në gjuhën shqipe, hapsina nuk përdoret para shejave të piksimit, por pas tyne. Edhe për arsye shum praktike, se kur e ndrydh hapsorin në tastierë para pikës ose presjes, kjo e mbramja mundet me dalë në rresht të ri si jetime. Teksti i tillë asht vështirë me u lexue. Të nxërcon!
- Tëvëja i kallxon Shqiptarisë, dhe në radhë të parë Sami Frashërit, se germa Ë asht tepricë n’alfabetin tonë. Përdor E në vend të Ë-së: “ne,” “shpine,” “te,” etj. S’kan faj amerikanët që s’e kan mbarue nji prekël të veçantë në tastierë për kët shkronjë që s’po na u dashka ma.
- Tëvëja s’e përdor ku duhet apostrofin. Shkruen “ti” në vend të “t’i.” Apostrofi këtu e zavendëson ë-në. Pra: T’I = TË + I. “Të” domethanë ty (referit), kurse “i” domethanë ata (robët e shpisë). “T’i” dallon nga “ti,” që kish me u përdorë në rastin: “Ti kâke i poshtër. Kam me t’i…” Tash e mbas do e kemi leht me mbajtë mend dallimin.
- Portali ban gabim drejtshkrimor në përkthimin pedant. “Kush qesh e vesh,” thonë, a qysh ke ajo fjala e urtë? Sajt-gazeta pren pa nevojë me presje “Futbollisti kosovar, gjyqtarit” dhe shkruen “Do të ta djegë” në vend se “do të ta djeg.” Qysh e ka përdorë portali, folja asht në vetën e tretë njajës: ai ose ajo “[d]o të ta djegë.” Por veta e parë ban: unë “do të ta djeg.” Futbolltari po tregon çka ka me i ba vetë referit, jo çka do t’i bajë ndonji gjaknxehtë tjetër.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=452