Arie «L’amour est un oiseau rebelle» (Dashuria është zok rreban), e njohur shkurt si Habanera, nga opera Carmen (1875) e Georges Bizetsë:
Dashuria është zok rreban
që askush s’mund ta zbusë dot,
kot e ke po e ftove pranë,
do të bëjë shpirti ç’i thotë.
Lutja s’bën, kërcënimi s’vlen,
njëri flet shumë, tjetri zë s’nxjerr:
e mua ky tjetri më pëlqen,
gjë s’ka thënë, por zemrën ma ther.
Dashur—Dashuria! Dashur—Dashuria!
Dashurinë ciganët mbrunë,
si cull i tyre rendin përqesh;
ti mos më duaj, të dua unë.
E po të desha, drojë të më kesh!
Zogu që the se kishe zënë
rrahu krahët në fluturim u tret…
po e prite, lark ka për të shtënë;
kur më s’e pret, t’avitet vetë!
Rreth teje qark, shpejt fluturon,
vjen e shkon dhe sërish vjen…
mendon ta kesh, por s’të lejon,
mendon t’i ikësh, ajo të zên.
Dashur—Dashuria! Dashur—Dashuria!
Dashurinë ciganët mbrunë,
si cull i tyre rendin përqesh;
ti mos më duaj, të dua unë.
E po të desha, drojë të më kesh!
Ti mos më duaj — ti mos më duaj, të dua unë,
E po të desha — po të desha, drojë të më kesh!
Libreti: Henri Meilhac dhe Ludovic Halévy, 1875
Përktheu: G. Mjeku, 2013
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4804