A me livdu kapitalizmin?



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Kapitalizmi nuk për­mendet kurrkund në kush­te­tu­tën ameri­kane. As ekonomia e tregut. Gjykata Sup­reme e ShBA-së i shqyrton krejt sipër­faqsisht çashtjet e rregu­llimit ekono­mik, se Jueseji ligjnisht nuk asht shtet kapi­talist. Por Gjykata i kqyr me stan­dardin ma të rreptë, për shembull, ankesat se qeve­ria e ka qitë dikend prej pune. Se theksin e ven te të drejtat theme­lore të njeriut.

Këte po e rikujtoj nën ethet e 1 Majit, ndërsa shoqnia jonë s’po pran tue folë për meritat e dështimet e kapi­talizmit dhe kujtimet e bukura të kohëve shoq­noriste. Kot deba­tojmë për rendin eko­nomik pa i zanë në gojë të drejtat e patjetër­sueshme të njeriut.

Vendet për­parimtare kanë mbërri pse i kanë respektu ato të drejta. Shtetet tjera kanë dështu pse i kanë shpërfillë.

Njani sistem ekonomik mundet me qenë ma i mirë se tjetri, e posaçërisht mun u shërben ma mirë të drej­tave të njeriut. Por asht çashtje ansore dhe e kotë kur shoqnisë e individëve u mungon ndërgjegjja.

Unë e çmoj tregun e lirë, se u jep hapsinë njerëzve me vyjtë. Vetë fjala biznes pak a shum ka lidhje me fjalën me vy. Me ba me iu përzi qeveria, kishe po ndihmon diçka, ajo veç i ngatrron dhe i shku­rajon me punu. Njerëzit e dijnë çka kanë nevojë, edhe çohen e bajnë. Nëse bajnë ndonjiherë diçka që s’vyn, nuk e bajnë ma, se nuk ua blen kush. Tregu i rahaton këto punë.

Por tregu nuk asht krejt i lirë. Në treg mbizotojnë peshqit e mëdhaj. Këta e kanë kapë tregun. E kanë kapi­talin, dhe e për­dorin ate me grum­bullu edhe ma shum kapital. E mbërrijnë njifarë monopoli. Bahen pak a shum si qeveria, e shpesh ma zi se qeveria, se kanë ma shum pare dhe nuk u për­gjigjen qyteta­rëve me të drejtë vote.

Ka kompani botnore që kanë pasë zyrtarisht reparte të ryshfetit. ShBA-ja, me ligjet e forta që i ka, ua ka mbyllë këto reparte, qashtu qysh i ka pri luftës kundër korrup­sionit n’orga­nizata botnore si Fifa.

Veç kompanitë e mëdha po punojnë që qeveritë me u mvarë prej tyne. Dojnë me e kapë shtetin. Tash edhe ShBA-ja asht nën mëshirën e tyne, ndërsa bizneset mujnë me dhanë sa të dojnë pare për me financu fushata zgjedhore.

Ka ma keq: Filani e shpik nji pajisje të re, të mirë e të lirë. Njerëzve u pëlqen. Peshku i madh ndihet i rrezi­kuem. Ia ofron Filanit nji çmim marra­mendës për me ia ble patentën. Ia pagun qebesa shum­fishin e vleftës që e ka. Veç me ia ble. Edhe ia blen. Edhe e shtin në fjokë. Nuk e prek ma. E zhvillon pajisjen e vjetër, ma të keqe e ma të shtrejtë.

Kështu paret tubohen në nji xhep. Populli rangon për nji kafshatë. Do marrin rroga të mira, kanë viza, shkojnë në deti në Maldive, por nuk janë të lumtun. S’mujnë me e pa shoqninë përreth tue u dergjë. Shkollat mbesin sa me thanë, e rinia shkon tue u ba ma e pa­knaqun e ma e zhgë­njyeme. Kend e kanë pa ata që me punë e me korrektësi mundet me u mbërri në jetë?

Gjithçka bahet biznes, por jo asi që vyn ndojçka. E për­men­din shpesh sesi Danielle Bregoli fiton famë anembanë mbasi për­lahet me nanën e vet në nji emision në tëvë, dhe bahet milionere me 14 vjet. Per­spek­tivën që nuk ia ka dhanë dot familja e hjekun dhe shkolla e dështueme, Danielles ia jep show­bizi. Në tregun gjysmë të lirë, ate e ndjekin mosha­tarët e saj të vorfun e me telashe famil­jare e shoq­nore si vetë Dani­ella dikur. Mediet e mëdhaja blejnë e shesin.

Dhe na i bijmë në sexhde kapitalizmit. E falënderojmë ekonominë e tregut për të gjitha të mirat mate­riale që i gëzojmë. E livdojmë tregun (s’i thomë aq «tregu i lirë», si me e pranu që s’asht i lirë). Besojmë se tregu na i ka prodhu smart­fonat. Pa çka që shkencë­tarët e qeverisë e kanë shpikë kom­pju­terin, që ushtria e ka kriju internetin, e që nji djalë i ri e ka ba falë kryeprogramin e mbi 80 për­qind të fonave tanë. Kurse Applei i ka shkru softverat që na detyrojnë me ble produkte tjera t’Appleit, dhe nji tjetër e ka ba lojën Candy Crush.

Unë s’dij qysh ndreqet kjo punë. Me dijtë, e kisha ndreqë. Por e dij se të drejtat theme­lore të njeriut janë vetë themeli i nji shoqnie të shën­doshë e të lumtun. Dhe të drejtat theme­lore për­fshijnë ndër­gjegjen e lirë, mundësitë e bara­barta, mundë­sinë e arsimit, dhe lirinë me vyjtë. Këto të drejta u ta­kojnë pikësëpari individit, njeriut të vogël. E peshqit e mëdhaj — qofshin qeveritë, qofshin bizneset — e hajnë individin.

Andaj, para se me denu socializ­min dhe me i thurë lavde kapitalizmit, ndoshta duhet me e glorifiku ndërgjegjen e njeriut. Dhe kësaj ndërgjegjeje me ia largu pengesat që ia kemi vu ndër shekuj.

Thomas Jeffersoni, kryetari i tretë i ShBA-së dhe autor i Deklaratës së Pamvar­sisë, pat thanë se qy­tetari ma i mirë asht katun­dari i lirë që ka kry shkollë dhe ka tokë të veten. Ai asht mjaft i arsi­muem sa me i dallu e me i shmangë dallaveret. Dhe e ka tokën e vet për me e ngi barkun. Katun­darin e lirë s’e kon­trollojnë sindi­kalistat siç bajnë me puntorët e fabrikave, s’un e çnjerë­zojnë latifun­distat siç i shfryt­zojnë bujk­robët, as e shanta­zhojnë bankierët siç ua hedhin klientave, as e mashtrojnë aris­tok­ratët siç e rrejnë vetveten se janë dikushi.

Por me e jetsu amanetin e Jeffersonit, duhet me ia nisë në shkolla. Me e arsimu rininë. Me ia ndërtu ndër­gjegjen e shën­doshë. Dhe kjo pastaj do t’i çmojë e mbrojë të drejtat e patjetër­sue­shme të njeriut. Dhe këto do të na bajnë me jetu të lumtun e me nder — në nji treg të lirë, në nji shoqni të lirë, në nji botë të lirë.

Lexoje anglisht