Inagurimi i burgut me pesë yje në Reç të Malsisë së Madhe ma kujtoi nji ndodhi të vërtetë që na e ka diftue nji mik shkodran mbas vitit 1992.
Në nji rast qilloi që ishim tue pi kafe me nji zotni nga shtresa e përndjekun. Ky sapo ishte caktue drejtor i burgut në Tiranë, dhe me humorin që e kanë në gjak shkodranët, na diftoi:
Sa kisha marrë detyrën dhe më prezantuen me vendin e punës, me personelin, mjediset, kushtet. Si asht rregulli, u njoftuen të ndaluemit mbi emnimin e drejtorit të ri. Mbas do ditësh më thonë që i burgosuni Hekuran Isai, ministër i mbrendshëm në kohën e diktaturës, i fundit para ndryshimeve, më kërkonte takim. Pse me rrejtë, kisha kureshtje me e pa njiherë. U thashë vartësve: «Ma bini në zyrë». Erdhi, u ul, e fill hyni në temë.
— Zotni drejtor, kur ke ba inspektimin e burgut, a e ke pa nji qeli që ishte ndryshe prej tjerave? Nji qeli që kishte banjo mbrenda, muret e rregullueme, shkurt, qelia me kushtet ma të mira në burgun e Tiranës?
I thashë që po, e kisha pa, sepse vërtet binte në sy ajo qeli e rregullueme ashtu.
— A do me e dijtë pse asht e rregullueme? — më tha ish-ministri.
— Natyrisht që kisha dashtë me e dijtë.
— E pra, të kallzoj vetë, — tha ish-ministri. — Qysh nga fundi i vitit 1989, e pashë që gjanat kishin nisë me ndryshue. Në pranverë 1990, kur erdhën për vizitë Nanë Tereza dhe kryetari i OKB-së, Peres de Kuelar, unë e pashë që sistemi mori fund e do baheshin ndryshime. Nisa me vra mendjen… Ndryshimet nënkuptonin dënimin e atyne që kishin drejtue deri atëherë. Unë isha ministër i mbrendshëm, dhe si rregull, kisha me shkue ndër të parët në burg. Une nuk kisha lidhje të forta në Bllok, ndaj nuk kisha si me i shpëtue burgut. Kështu që sa isha në detyrë, dhashë urdhën me rregullu nji qeli me mendimin që me e pasë për veti. Sa mora vesh që je emnue drejtor, të kërkova takim. Thashë, ta provoj njiherë, a më kishe çue në atë qeli që kam gaditë për veti?
***
Në fakt, ky zotnia shkodran, drejtor burgu, na diftoi që e kishte transferu ish-ministrin në qelinë që kish ba gati për veti.
Me këtë ndodhi që diftova, mos kujtoni se due me nënkuptue që edhe deputetët dhe funksionarët që morën pjesë në përurimin e burgut me pesë yje në Reç, shkuen atje me pa kushtet e qelive e me gjetë naj qeli me hesap… Pritna Zot!
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5215