shqip
Edhe pse tradicionalisht janë afru njana me tjetrën, fjalët shqip/shqiptar (për gjuhën dhe popullit) dhe shqipe (shpendi, shqiponja) nuk kanë lidhje.
Në shkrim, gjuha shqipe osht përmendë për herë të parë në vitin 1284 si lingua albanesca në gjuhën latine. Pra, gjuha dikur quhej arbënisht prej termit arbënesh, si i ka thanë vetes dikur populli (shqiptarët e Italisë dhe Zarës ende e rujnë kit emërtim).
Fjalët shqipe për gjuhën dhe shqiptar për individin kanë nisë me u përdorë mes shekullit XVI e XVII, qi pak a shumë përkon me përhapjen e islamit te populli.
Ndajfolja shqip vjen prej foljes shqipoj (variant i vjetër i shqiptoj («prodhoj tingujt e një gjuhe me anë të organeve të të folurit»), qi ma tutje vjen prej foljes latine excipō qi domethanë «ndiej, dëgjoj, kuptoj». Edhe fjalori i sotëm ka kit kuptim për fjalën shqip («Qartë, kuptueshëm; copë, troç; haptas»).
Pra, kjo fjalë fillimisht ka pasë kuptimin «qartë, kuptueshëm, „fol shqip!“», e toni ka fillu me u përdorë për gjuhën mes shqiptarësh, për të cilët «gjuha e tyne» osht «e qartë».
Kjo fjalë osht përdorë veç ni herë nga Gjon Buzuku, në fjalinë «Embasandaj thuo, prift, Pater Noster, qi vjen me thashunë shqip: Ati ȳnë qi je ëmbë qiellt».
Buzuku e bon dallimin me fjalën shqipe (shpendi), qi e shkrunë si shqype, p.sh. në fjalinë «aty ëmbëlidhenë edhe shqypetë».
Topalli e nxjerrë kit fjalë prej emnit qep (sqep, kaçep) me parashtesën intensive sh- dhe formatin -e të emrave femnorë (deputet, deputete). E-ja në *shqepe osht disimilu në i si në shteg-shtigje dhe ka dhanë shqiptimin e sotëm.
arushë
Arushat sot i shohim rrallë, po shqipfolësit e hershëm duket se kanë pasë punë me to goxha fort meqenëse fjala për kit kafshë nuk osht e huazume prej ndoni gjuhe tjetër, po osht e trashëgume prej gjuhës së përbashkët indoevropiane.
Në Kosovë përdoret veç fjala për femnën e kësaj kafshe, e cila sot i përfshin edhe meshkujt, edhe femnat. Kjo ndodh shpesh në gjuhë të ndryshme, sidomos kur nuk shihet nevoja me i dallu në bazë të seksit (për shembull dhelpna, vjedulla, bukla, etj.)
Forma ma e vjetër e dokumentume (te Buzuku) osht ar/ári me shumësin arínj (simas paradigmës shkámb-shkambínj), dhe forma e sotme standarde e njajsit arí/aríu osht e derivume prej shumësit.
Kjo fjalë osht kusherinë me fjalën greke άρκτος (ártkos), fjalën armene արջ (arǰ) e fjalën italiane orso, të cilat vijnë prej një rraje të rindërtume *h₂ŕ̥tḱos të indoevropianishtes.
Simas gjuhëtarëve, ḱ-ja e rindërtume e indoevropianishtes ka dhanë th në shqipen moderne, pra zhvillimi ka mujtë me kanë: *h₂ŕ̥tḱos > *arḱos > *artsa > *arth > ar > arí.
Arsyja pse ka ra th-ja osht fort interesante: masi osht përfundu shndërrimi *ts > *th në shqipe të lashtë, shqipfolësit kanë mendu gabimisht qi th-ja në arth osht prapashtesë zvogëluse/përkëdhelëse (për shembull fjalorth për fjalor i vogël), edhe si rrjedhojë osht hjekë duke e shndrru në ar.
Vyn me u përmen, në kuptimin figurativ, ari domethanë «njeri i rëndë e i ngathët, njeri i pagdhendur, që sillet në mënyrë të vrazhdë», kurse arushë domethanë «njeri i fuqishëm e i guximshëm, njeri që nuk lodhet kurrë».
me ninu
Agjëroj osht prej atyne fjalëve fetare qi s’osht ekskluzive veç për ni fe, pra përdoret edhe prej t’krishtenëve, edhe prej myslimanëve.
Përderisa fjalëve engjull, djall, e parriz të traditës krishtene u përgjigjen melaqe, shejtan e xhenet të traditës myslimane, agjëroj gjinet në dy anët e gardhit.
Për nga prejardhja, folja vjen prej latinishtes jejūnare (Miklosich) me kuptim të njojtë. Trajta e parë mas gjasash ka qenë *gjënonj, dhe, ngjashëm, te Buzuku del si engjënonj me ni n– protetike. Budi ka angjinonj (me një a- e cila mun me kanë prej përngjitjes së a ngjinon?), kurse Bardhi ka me ngjinuem.
Trajta ninoj e Kosovës vjen prej asimilimit të /ngj/ > /nj/ (sikur te ngjit > njit) e ma tutje depalatalizimit të /nj/ > /n/ (sikur te nji > ni e njeri > niri).
Kjo rrajë osht trashëgu në vllahishte si agiunari, spanjishte si ayunar, frangjishte si jeûner, italishte si digiunare, etj.
loçkë
Më shkrim, fjala loçkë osht përdorë për herë të parë nga Pjetër Bogdani në vitin 1685 në fjalinë «i votte ndè lockete εemeressè [dmth., i shkon në loçkë të zemrës]». Osht fjalë e dy dialekteve, si dhe e arbëreshëve të Italisë.
Ky kuptim figurativ «pjesa më e brendshme e diçkaje, thelbi; njeri shumë i dashur e i shtrenjtë për dikë» pason kuptimin fillestar: «kokërr e rrumbullakët» qi manej ka dhanë edhe «kokërdhoku i synit, bebja e synit».
Sa i përket prejardhjes, Arjolli (Vladimir Orel) thotë se lidhet me fjalën loc (mik i dashur), e cila ma tej vjen prej fjalës lot, duke e zatetë me synin si diçka i çmuem.
Topalli thotë se osht kompozitë e emnit loqe (kokërr) dhe prapashtesës -kë, si dhe ndërrimit të q-së në ç. Pra, sipas tij, kuptimet tjera janë zhvillu prej kësaj.
Vyen me u përmend, Topalli e shënon foljen loçkoj (brengos në shpirt).
apostafat
Ndajfolja apostafat, qi domethanë enkas, me qëllim të caktum, mundet me u dokë fjalë e re në shqipe, po në fakt osht përdorë në shkrim për herë të parë në vitin 1555 prej Gjon Buzukut në formën empostafa. Osht huazim italian – apposta fatto (e bame me qëllim).
kafshë
Çka osht dallimi mes shtazës e kafshës? Edhe pse sod nuk kanë kurrfarë dallimi në kuptim, kafshë ka pasë krejt kuptim tjetër në ni fazë ma të hershme të shqipes.
Buzuku ka shkru «shtansë qi të fluturonjënë për qiell», domethanë kjo fjalë e ka pasë kuptimin e njajtë si sod. Në standard përdoret forma gege, kurse në toskë osht e dokumentume shtëzë te arbëreshët.
Në anën tjetër, kafshë ka pasë kuptim krejt tjeter. Si huazim latin nga causa (shkak, arsye, çashtje), autorët e vjetër e kanë përdorë me kuptimin send, gjë. Në Meshar, Buzuku shkrun «ban këtë kafshë, e aj e ban» qi domethanë «bëj këtë gjë, e ai e bën».
Kit kuptim e kanë të gjithë autorët e vjetër. Në gjuhët romane, fjala e trashëgume latine (vulgare) ende e mban kuptimin «send, gjë», për shembull italisht cosa, frangjisht chose, spanjisht cosa, portugalisht coisa, etj.
Kuptimi i sotëm menohet qi osht perftu permes barazimit sematik (kuptimor) me fjalën gjë/gjâ e cila përdoret edhe për kafshët: bagëtisë i thojnë gja e gjallë.
Edhe gja, edhe kafshë, janë dy prej fjalëve ma të hershme të dokumentume në shqipe. Arnold Von Harffi (1497) ka gjakafshë për gja me kuptimin send. Kjo fjalë, si dhe kuptimi i vjetër i fjalës kafshë, ende ruhet në standard dhe në të folmet toske si gjëkafshë (1. Ndonjë gjë, diçka, gjësendi. Ke gjëkafshë për të ngrënë? Jepi gjëkafshë me vete!)
sodom
në shqipe ekziston ni folje, sodom, të cillën fjalori e shpjegon kshtu:
1. vjet. I rrafshoj shtëpinë, i shkul nga rrënjët pemët përreth dhe i shkatërroj çdo gjë tjetër një vrasësi, i cili arratiset nga fshati për të shpëtuar prej ndëshkimit (sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit).
Në Kanun dëshmohet me formën me sodumë, sikur në fjalinë: «Ka tagër me sodumë e me xjerrë prei vendit».
Kah prejardhja, Topalli e shënon si huazim kishtar nga fjala për qytetin e Sodomës në Palestinë, i cilli simas shkrimeve fetare abrahamike osht bo shkrum prej zotit për shkak të mkatit. Megjithatë, si term i posaçëm ligjor, kjo folje nuk shënohet kurrkund në shkrimet e vjetra shqipe mes shekullit të XVI dhe XVII.
Jokli e nxjerr prej një rraje sllave *dъmǫ (fryj) por e cilla, simas tij, mun me e pasë edhe kuptimin mshoj, bie, qëlloj; sodom, sodum e sheh si formë parashtesore prej sllavishtes *sъdъm-. Skoku po ashtu merret me kit fjalë: thotë se vjen prej shqiptimit lashtobullgar të ni *sъdъmǫ.
Koftë qysh koftë, Svane dyshon se kjo formë vjen prej bullgarishtes së vjetër sepse kish me kanë e dëshmume edhe në toskërisht, e nuk osht. Po ashtu, ai s’pajtohet me Joklin për kah aspekti kuptimor i *dъmǫ, qi simas tij s’don me thanë kurgjo tjetër pos fryj, duke e bo të shtirë kalimin semantik në sodom, sodum. N’fund Svane e konsideron si fjalë të veçantë ligjore të shqipes me burim të mjegullt.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5279