Fjalë 8–14: shkenca, sekreti, dragoi…



Plator Gashi

Gazetar, gjuhëtar, shkrimtar, dhe muzikan i ri prej Prishtinës. Shkrun letërsi, këndon shqip, dhe i intereson mënyra qysh njerëzit e përdorin gjuhën, e veçmas gjuhësia krahasimtare.

Për shënimet 1–7, shih shkrimin «7 fjalë, prej kah kanë ardhë». Shih dhe shpje­gimet për emrat e pemëve: «Fjalë të omla».

Fjalë #8

Janë interesante disa njësi gjuhësore që thirren «binjakë etimologjikë», fjalë të të njajtës gjuhë që tingllojnë ndryshe, duken ndryshe, e shpeshherë kanë edhe kuptim tjetër, por e kanë rrajën e njajtë.

Në gjuhën shqipe ekziston ni numër relativisht i madh i këtyne, sidomos prej latinishtes dhe gjuhëve bija të saj, për shkak të ndikimit tejet të madh dhe të gjatë të tyre në shqipe (shqipja dhe latinishtja kanë fillu me pasë kontakt disa qindra vjet para krishtit). Po i përmendi disa:

Fjala shkencë, me prejardhje prej latinishtes scientia (kjo prej lat. scīre, me ditë) ka hy në gjuhën shqipe relativisht vonë, me gjasë si huazim akademik me shqip­tim të përshtatun. Por, shqipja e ka huazuar kët rrajë ma heret: fjala shqisë e ka të njajtën prejardhje, po osht huazu në kohë ma të lashtë (dëshmohet edhe te Bu­zuku).

Fjala sekret asht poashtu relativisht e re, e inkuadrume në gjuhë përmes itali­sh­tes apo frangjishtes, por e ka një «binjak» ma të vjetër: mbiemri i/e shkretë apo ndajfolja shkret vijnë nga e njajta rrajë latine secrētus (kjo prej lat. sēcernō, ndaj, veçoj), të cilat po ashtu dëshmohen te Buzuku.

Fjala kalendar ka thujse përdorim të gjithmbarshëm ndër shqiptar sot, dhe ka hy përmes italishtes calendario (me kuptim të njajtë) e cila ka rrjedhë prej latini­sh­tes calendārium (kjo prej lat. Kalendae). Sidoqoftë, kjo rrajë osht huazu në shqip ma herët: e kemi fjalën kallnor (shprehje e vjetër për mujin janar) që vjen drejt­përdrejt prej latinishtes, ku e ka pasë kuptimin «dita e parë e mujit në kalendarin e vjetër». Te Buzuku dëshmohet si kallënduor.

Çka osht fort interestant me kit rrajë, osht se paraqitet edhe në dy forma tjera në shqip: kolendra dhe kullana. Kësaj here, të dyjat kanë kuptim të njajtë «Festë fe­tare një natë para darkës së krishtlindjeve ose një ditë para Vitit të Ri; kënga që këndonin fëmijët në këto festa» (anglisht carol), por kanë hy në kohë dhe mënyra të ndryshme.

Kullana, e dialektit gegë, vjen prej latinishtes apo ndonjë bije të saj të ma­von­sh­me, kurse kolendra/kolendër, e dialektit toskë, vjen prej sllavishtes së vjetër kish­tare kolęda me kuptim të njajtë dhe rrajë të përbashkët latine.

Fjalë #9

edhe pse fjala makinë, me kuptimin machine ose kerr a veturë get se ka hy në shqipe jo ma herët se në shekullin e kalum, fjala burimore osht huazu në shqipe edhe ni herë ma parë, shekuj para lindjes së Krishtit.

Duke u mbështetë në shqiptim, makinë osht përvetësu prej fjalës italiane ma­cchina me kuptime të njojta. E funda osht huazu prej fjalës latine machina, po me kup­timin machine, e cila ka hy në latinishte prej greqishtes së lashtë dorike μᾱ­χα­νᾱ́ (mākhanā́) «mjet, vegël, pajisje, mënyrë».

Grekët e lashtë kanë vendosë koloni në trojet e paraardhësve të shqipfolësve qysh në shekullin e shtatë para lindjes së Krishtit (Apollonia, Durrësi, Arta), dhe si rrjedhojë e tregtisë dhe bashkëjetesës janë pranu ndër huazimet e para greke të shqipes.

Mᾱχανᾱ́ (mākhanā́) e greqishtës së lashtë dorike osht marrë drejtpërdrejt prej shqipfolësve, dhe sot del si mokër/mokën, me kuptimin «gur mullini», pra me shmangie kuptimore kundrejt makinës.

Fjalë #10

Edhe pse termi δράκων (drákōn, gjarpën i madh, bollë) i greqishtes së lashtë osht përftu ne gjuhë të ndryshme me kuptimin «figurë mitologjike e përbindshme si gjarpën i stërmadh me krahë, kthetra, etj.», në shqipe s’ka dalë e tillë.

Pra, dra(n)gue/dragua e shqipes së sotme, e cila vjen mas gjasash prej fjalës latine dra­cōnem (me burim nga termi lashtogrek i përmendun ma nalt) nuk e ka kup­timin e fjalës angleze dragon, po të fjalës dragon-slayer, pra xhelat i ktyne për­bindëshave.

Pra, dragoni/dragoi osht njeri, i fuqishëm e trim, qi e vret kuçedrën/kulshedrën pas ni lufte epike kundra saj.

Për pasojë, kuçedra/kulshedra – e cila vjen prej fjalës latine Chersydrus (Orel), kjo prej ni përngjitjeje të fjalëve greke χέρσος (khérsos, tokë e thatë) dhe ὕδρα (húd­rā, gjarpën ujor) e cila ka përcaktu ni lloj gjarpni amfib – osht përkthimi i saktë për fjalën dragon të anglishtes.

Fjalë #11

Emni jem vjen prej ni personazhi të romanit Kalamajtë e pallatit tim të Bedri Dedjes, botue në vitin 1975. Sidoqoftë, sa i përket shpjegimit të matutjeshëm, gjithë m’osht dashtë me u pajtu me foren «osht emën ilir».

Edhe osht, sagllam. E njohim ni Plator të shekullit të dytë para Krishtit, i cili ka jetu diku në Mbretninë Ardiane – edhe jo çfarëdo Platori. Emnaku jem i asaj kohe o kanë vetë vllau i mbretit Gent.

S’e dimë çfare o kanë, a çka i ka pëlqy me bo t’dilleve n’sabah, po e dimë qi o mytë tradhtisht prej dorës së vllaut t’vet pijanec se ka dashtë me vu kunorë me çikën e Monunit – mretit të Dardanisë – qi Genti e ka da për veti. Domhâ kjo i bjen tamon praud tu bi illirën.

Simas John Wilkes, emni Plator – bashkë me motërzimet Pletor, Platino, Pletoris, Plaetor – koka kanë fort i përhapun në trojet e fiseve ilire, sidomos te Delmatët, Panonët edhe Liburnët.

Tash, n’koftë ky emën me gurrë ilire, gjasat janë që fatkeqësisht, kurrë n’jetë s’kom me e marrë vesh se çka saktësistë do me thanë. Kjo sepse ilirët – siç e dimë po s’dojmë me e pranu – kurrë s’kanë mrri me i shkru gjuhët e tyne. Boll keq, po ça me i bo, jeta hec para.

Prapseprap, po ashtu e dimë se ni emën i ngjashëm osht përdorë si emën fa­mil­jesh (gens) në Perandorinë Romake; jo bash qysh e kom une sot, po si Plae­torius. S’e dimë saktësisht se a ka naj lidhje mes tyne, po ni shpjegim – i pakonfirmuem – osht se varianti latin munet me pasë lidhje me mbiemnin laetus, qi në latinisht do me thanë i gzuem, i lumtun.

Osht edhe ni gurrë tjetër e mundshme, s’paku për nga tingëllimi. Edhe filozofi – ose, e kisha propozue fjalën llomotitësi, jo për naj arsye të veçantë dashakeqe, po veç me e zgjanu kuptimin e ni fjale të lezetshme – Platoni osht nifar siemnaku për mu.

Prapë s’e dimë a ka lidhje të drejtpërdrejtë me Platorin, po masi veç ja nisa me çkepë kso gjanash, po ju diftoj se çka don me thanë ky emën. N’fakt, Platon, apo Πλάτων osht nofkë – emni i vërtetë i filozofit o kanë Aristokli (edhe ky, si shumë shqyptar, e ka trashëgue emnin e babgjyshit. Kumeditë sa shumë kanë keshë shokët e vet me to).

Menohet qi ia kanë lanë ofiqin Platon – prej fjalës lashtogreke platytēs, qi do me thanë gjanësi – sepse i ka pasë krahët e gjanë, ose ballin e gjanë. Dikush-dikush thotë se e ka pasë për shkak të «gjanësisë së menjes», po tanë e dimë qi nofkat nuk lihen për naj veti të mirë të njerit, shumicën e rasteve.

Burimi tjetër, por ma pak i besueshëm, osht prej ni personi të mirënjohun nër shqiptarë – ni Plator Gashit qi përkthen filma në internet. S’shkon java pa e marrë ni porosi prej dikujt tu m’vetë se a jom qai, a jo. Mozallah, ka punë për­para për me mrri deri aty un.

Koftë qysh koftë, emni osht përjetë. A osht latin, romak, a ilir, tekefundit nuk o fort me randësi. Me randësi osht me pru në kujtesë sene t’mbara kur të thuhet emni yt – koftë për naj t’bame t’mirë, a për naj film t’përkthyem n’internet.

Fjalë #12

Shpeshherë s’mujmë me i ra në fije se prej ku vjen ni fjalë në pamje t’parë. M’u kujtu njo shumë e thjeshtë, që nuk m’ka shku menja me e zbërthy ma herët, edhe që i jep ma shumë kuptim shprehjes.

Fjala arsimim, qi domethonë dhanie e dijes, vjen prej foljes arsimoj – akti i dha­nies së dijes, apo arsimit. Tash, fjala arsim, sikur edhe emnat e tjerë foljorë (vep­rim, mashtrim), rrjedhë prej ni foljeje.

Edhe pse në Kosovë nuk përdoret, folja që e formon arsimin asht arsej, me kup­timin «jep arsim, dituri; mësoj, arsimoj». Prapë, ka shumë raste kur foljet e këtilla nxirren prej emnave kuptimplotë në shqip (për shembull vlej-vlerë).

Arsej formohet prej arsye, domethonë me dhanë arsye, me pajisë me arsye. Qito sene s’na i msojnë n’shkollë

Fjalë #13

Për me i kuptu disa ndryshime të caktueme gjuhësore në shqipe, edhe me ua ditë prejardhjen, duhet shkoqitë procesin e etimologjisë folklorike. Po e marr ni shem­bull të qartë.

Secila gjuhë pranon fjalë prej gjuhëve të tjera si rrjedhojë e natyrshme e kontak­teve me popuj e kultura të jashtme. Kur ni fjalë apo trajtë huazohet, ajo sigurisht njihet si huazim nga brezi huazues: për shembull, tetanë e dimë që fjala telefon nuk osht e trashëgueme, po e përvetësueme (prej naj gjuhe evropiane).

Sidoqoftë, kur kalon kohë ma e gjatë e ndërrohen brezat, huazimet kaniher fi­llojnë me u llogaritë si formime të mrenshme gjuhësore, kryesisht si rrjedhojë e ndryshimeve fonologjike (tingullore) të cilat i e bajnë huazimin ma pak të krahasueshëm me fjalën burimore.

Shembull për ktâ osht shumësi i fjalës kuvend te shkrimtarët e vjetër shqiptarë. Simas gjuhëtarëve, kuvend osht huazu prej latinishtes conventus me kuptim të njajtë (prej saj ka dalë edhe fjala rumune cuvânt (fjalë). Sot, shumësi i kësaj fjale osht kuvende, po Pjetër Bogdani në Çetën e Profetëve e përdor niher shumësin kuvise: «Fjala giξξè herè ndè Cuvissetè Nijereεet ka sdrippunè».

Pse? Sepse fjala kuvend osht rianalizu si vend me parashtesën ku-, e si rrjedhojë, shumësi ka marrë formën supletive vise (në ni kohë kur kundërvenia vend-vise osht ndjekë ma fort). Edhe pse vetë fjala nuk ka lidhje me emnin vend, folësit e kanë zbër­thy në elemente kuptimplota në gjuhën shqipe, duke ia ndërru trajtën e shumësit.

Fjalë #14

Nëse ke Instagram, ndiqna te @fjaluer_, nëse ke nge me msu diçka të re!