Nëse afro gjysma e ekonomive familjare paguajnë një mesatare prej 100 eurosh në vit taksë mbi pronë, ekskluzivisht për arsim, atëherë buxhetit për arsim do t’i shtoheshin së paku 15 milionë euro. Kuvendi i Kosovës duhet t’i përkrahë punëtorët e arsimit apo bërësit e brezave të rinj.
Seguin, Texas — Prej më se 15 vjet arsimi i Kosovës mezi ekziston; për 15 vjet është shpresuar shumë dhe bërë shumë pak për arsimin, ndërsa këtë e ka mbajtur gjallë optimizmi dhe atdhetarizmi i mësuesve tanë. Thjesht, arsimi i Kosovës ka ecur pa para. Si një nga sferat më të rëndësishme të shtetit, arsimi kërkon përkrahje. Vitet e fundit janë bërë përpjekje për reforma dhe ristrukturim të shkollës kosovare në model evropian-perëndimor, mirëpo në kuptimin financiar, arsimi i Kosovës është shafitur edhe më tej në humnerë. Nevoja për të ndërmarrë diçka prek kulmin, ndërsa zbatimi i taksës në pronë për shkollat paraqitet si shpëtim dhe burim i sigurt i mjeteve në mungesë.
I shtyrë nga shembujt e parë në SHBA dhe nga dëshira për një ndarje më të barabartë të pasurisë kombëtare, kujtoj se një pjesë e mirë e qytetarëve kosovarë mund të paguajnë taksë të veçantë mbi pronat e patundshme në mënyrë që të sigurohen mjete për arsim. Kjo lloj takse është e ndryshme nga tatimi mbi pronë dhe është e destinuar për arsim. Nga obligimi do të liroheshin familjet që posedojnë hapësirë banimi në një thyesë fikse 20 metër katror për anëtarë, ndërsa kryefamiljarët do të paguanin vetëm për çdo metër katror shtesë që mund të konsiderohet luksoz apo fitimprurës. P.sh. nëse kreu i një familje pesanëtarëshe ka në pronësi një shtëpi prej 500 metrash katrorë, 100 sosh do të cilësoheshin si të domosdoshme për një jetë normale (20 për kokë) dhe për to nuk do të llogaritej kurrfarë detyrimi, ndërsa për 400 metrat tjera që qartazi janë luks atëherë do të paguhej taksë. Kësisoj do të siguroheshim se me taksë nuk rëndohen familjet në kushte të vështira financiare, mirëpo thjesht ato familje në rrethana solide. Një taksë e tillë e paraparë për shtëpi do të mund të vendosej edhe mbi patundshmëri si lokale, punëtori zejesh, hotele, fabrika etj.
Sipas vlerësime të Entit Statistikor, në Kosovë janë afro 326 mijë ekonomi familjare. Dhe nëse afro gjysma e ekonomive familjare paguajnë një mesatare prej 100 eurosh në vit taksë mbi pronë, ekskluzivisht për arsim, atëherë buxhetit për arsim do t’i shtoheshin së paku 15 milionë euro. Këto euro të mbledhura do t’u ndaheshin në mënyrë lineare 27.016 punëtorëve të arsimit parauniversitar, secili do të përfitonte mbi 550 euro më shumë për çdo vit. Sidoqoftë, duke llogaritur edhe prona të tjera në Kosovë kjo shifër duhet patjetër të dalë edhe më e lartë.
Një shumë e tillë e dhënë neto në formë regresi në çdo fillimviti shkollor, punëtorëve të arsimit do t’iu lehtësonte dukshëm përgatitjen për hyrje në dimër, për blerjen e druve, zahireve dhe nevojave të tjera. Kjo nxitje pa mëdyshje do të ishte edhe arsye që prindërit të kërkojnë një qasje shumë më serioze dhe punë më të madhe me fëmijët e tyre. Ndërsa padyshim, nxënësit kosovarë do të qëndronin një hap më përpara në nxënien e diturisë në krahasim me sot. Për zbatimin e kësaj takse do të duheshin analiza më të mirëfillta dhe aprovimi ligjor nga Kuvendi i Kosovës. Dhe ky i fundit duhet ta shfrytëzojë rastin për ta përkrahur këtë shtresë aq të nevojshme, por gjithnjë të lënë pas dore–punëtorët e arsimit apo bërësit e brezave të rinj.
Botu në «Koha Ditore» më 9 qershor 2007
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=64