Kosova është republikë parlamentare. Për këtë s’ka mëdyshje, ani pse studentat e juridikut ndëshkohen pa faj nëse përgjigjen kështu në provim.
Kur administratorët ndërkombëtarë dhe udhëheqësit vendorë ngritën institucionet e vetëqeverisjes në Kosovën e pasluftës, ata zgjodhën sistemin parlamentar. Thelbi i tij nuk ka ndryshu as pas pavarësimit të vendit më 2008.
Neni 4 i Kushtetutës e përkufizon formën e qeverisjes sipas shembullit ma të përhapur në Evropë: Kuvendi 120-anëtarësh është organi përfaqësues dhe ligjvënës i republikës, qeveria e zgjedhur me votë të Kuvendit është trupi ekzekutiv, kurse presidenti si krye i shtetit përfaqëson njëshmërinë e popullit.
Por kjo nuk ka shkuraju mendimin ndryshe dhe polemikën e panevojshme mes akademikëve tanë. Njërit tabor i prin profesor Arsim Bajrami, pjesëtar i komisionit hartues të Kushtetutës dhe bashkautor i tekstit universitar E drejta kushtetuese. Në anën tjetër ndodhet profesor Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe autor i një libri kritikë ndaj tekstit të kolegut.
Prof. Bajrami beson se kompetencat e presidentit janë tejet të gjera për kreun e një demokracie parlamentare. Por prof. Hasani thotë se kjo pikëpamje shpërfill doktrinën e literaturën ndërkombëtare. Madje shton se vetë Bajrami luhatet në përshkrimet që i bën Kosovën: herë e paraqet si republikë tipike parlamentare, herë si sistem hibrid, e herë republikë gjysmëpresidenciale.
Sipas nenit 84(10), kreu i shtetit «udhëheq politikën e jashtme të vendit», çka ka nxitë argumentin për tiparet gjysmëpresidenciale të republikës sonë. Presidenti i tanishëm ka shfrytëzu këtë interpretim me negociu me Serbinë për kufijtë shtetërorë dhe çështje të tjera jetike. Asokohe, paralajmëronte një «kompromis të dhimbshëm». Ndonëse u pengu, një marrëveshje e tillë joparimore do të mund ta copëtonte vendin ose të pranonte njësi sovrane brenda shtetit, duke e zhbë karakterin unitar dhe duke e ndryshu përfundimisht identitetin kushtetues të Kosovës.
Argumentet laike për presidencën ekzekutive bien ndesh me të kuptuarit tradicional të parlamentarizmit dhe mënyrën si ky sistem është zbatu në Kosovën e pavarur. Vendimmarrja në demokracinë parlamentare ka evolvu drejt një ecurie zinxhirore, ku kreu i shtetit u përgjigjet veprimeve, por nuk i nis ato. Krejt vendimmarrja buron nga organet e tjera të republikës. Qeveria si ekzekutiv nis veprimet në politikën e jashtme, ndërsa Kuvendi ndërhyn përmes mbikëqyrjes parlamentare. Presidenti, që është i ngarkuar të nënshkrujë traktate dhe të shpallë ligje, përbën hallkën e mbrame të zinxhirit.
Kështu që Dardania është republikë e thjeshtë parlamentare. Asnjë nga 30 kompetencat e radhitura në nenin 84 nuk e bëjnë presidentin zyrtar ekzekutiv. Sipas prof. Hasanit, tagri i presidentit është pësor (pasiv) për nga natyra, dhe i përket rolit të ndërmjetësit që kreu i shtetit ka në sistemin parlamentar.
Kryetar i republikës sonë ka për detyrë ta mbrojë demokracinë nga keqpërdorimet që mund t’i bëjnë pushtetet ligjvënës, përmbarues e gjyqësor. Presidenti mund t’i kërkojë Kuvendit të rishqyrtojë projektligjet, mund të refuzojë emërimin e zyrtarëve për shkaqe të caktuara, por dhe të falë personat e dënuar sipas ligjit. Ai është jopartiak dhe u shërben të gjithëve, duke përfaqësu Kosovën denjësisht brenda dhe jashtë.
Kreu i shtetit është i rëndësishëm për demokracinë tonë. Andaj ne duhet t’ia kuptojmë drejt rolin që ka, të tregojmë maturi kur e zgjedhim, dhe të veprojmë prajshëm kur i kërkojmë të veprojë.
Foto: Kuvendi i Kosovës (Arian Selmani, 2009, me licencë CC BY-SA 3.0)
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6403