Udhëheqësi ynë demokrat Midhat Abdyl Frashëri vdiq papritmas më 3 tetor 1949, në Nju-Jork.
Verën e atij viti, ai qe zgjedhë kryetar i Komitetit Kombëtar «Shqipërija e Lirë», dhe kishte udhëtu në Amerikë për t’i bashku mërgimtarët kundër regjimit komunist në Tiranë. Njëherësh, punonte pa pra për ribashkimin e trojeve tona, duke kundërshtu shtypjen e shqiptarëve në Jugosllavinë e Rankoviqit.
I njohur në letra me nofkën Lumo Skëndo, Midhati ishte rilindas i dalluar, që i fali një jetë të tërë lirisë dhe mbrothësisë së kombit tonë. Drejtoi klube të ndryshme dhe botoi një sërë revistash për kulturën shqiptare, përfshi të përkohshmen «Diturija». Më 1908, kryesoi Kongresin e Manastirit që njësoi alfabetin e shqipes, kurse më 1912, përfaqësoi vise të Kosovës në Kuvendin Kombëtar që shpalli pavarësinë në Vlorë.
Mes dy luftave botërore iu përkushtu albanologjisë, duke punu për ngritjen e një akademie shqiptare. Librat që grumbulloi gjatë dekadave u bënë më pas themel i bibliotekës kombëtare në Tiranë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, udhëhoqi Ballin Kombëtar, organizatën përparimtare që u angazhu për një republikë shqiptare të bashkuar e demokratike. Më 1943, përfaqësuesit e Ballit dhe të partizanëve komunistë lidhën Marrëveshjen e Mukjes, për luftë të përbashkët çlirimtare. Por udhëheqja komuniste, e shtyrë nga të dërguarit serbë që nuk pranonin bashkimin kombëtar, e prishi marrëveshjen. Kur komunistët morën pushtetin më 1944, Midhat Frashëri u detyru të largohej nga Shqipëria.
Vdekja e dyshimtë e Midhatit, në moshën 69 vjeçe, qe humbje e madhe për lëvizjen e çlirimit dhe bashkimit kombëtar.
Pranë trupit të tij të pajetë, në këtë foto, janë Hasan e Luan Dosti, Xhevat Kallajxhiu, Nuçi Kota, Talat Karagjozi, Feim Kokolari dhe disa veprimtarë të tjerë të mërgatës shqiptare në Amerikë.
* * *
Burimi: Shaqir Salihu, Rrëfime lirie: Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës (Faik Konica: Prishtinë, 2017) f. 206.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6958