Enciklopedi–enciklopedia, Wikipedi–Wikipedia! Jo «Wikipedja». Por ti kishe me thanë: «Media» shkruhet me «i» e shqiptohet me «j». Qysh me dijtë na kur duhet i-ja e kur j-ja?
Epo, komunishtja nuk ka rregulla; ka vetëm teka e qefe. Germa «i» asht punë prestigji:
- Me «i» shkruhen emnat e vendeve ekzotike: Kambóxhia, Zámbia, e Virxhínia. Pak shqiptarë mun i shqiptojnë «sakt» këta emna. Edhe ma pak mun i vizitojnë qato vende. Ata që mbërrijnë me i ba të dyjat mun i thonë vetes «ari-stok-ratë».
- Me «i» shkruhen fjalët që te shqiptarët e ngratë nënkuptojnë status ma të naltë shoqnor: venecian, italian, kristian, mobilie, sedilie, radio, televizion, revolucion, antibakterial, social, socialist, internacionalist, imperialist!
- Me «i» shkruhen edhe fjalët që nuk kan «i», por shqiptari – prej dashunie – ia shton. Qe si puna e «ardhmërisë evropiane». Ky josend s’asht nga «Evropia», por e ka emnin «evropian».
Kurse «j» merr çdo fjalë e thjeshtë:
- Emnat e vendeve që s’na lanë përshtypje shkruhen me «j»: Skivjan, Derjan, e Limjan.
- Profesionet që s’i çmojmë por na mungojnë shkruhen me «j»: mjek, jurist, mjeshtër. Ashtu dhe veprimet që natyra simbas dove i ka lanë vetëm për vajzat e gratë shkruhen me «j»: laj, thaj, gatuaj, pjek, dhe (në do të folme) hjek.
- Dhe ma së mbrami, me «j» – për dallim nga «evropian» e «italian» që marrin «i» – shkruhen krejt emërtimet që qytetari i vetëshpallun i thotë me plot përbuzje. Pra shkruhet e thuhet: llapjan, tropojan, matjan, hasjan, ose hajvan!
(Për çështjen e i-së dhe j-së, shih edhe shkrimin “Shqipnija dhe Sërbija.”)
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=806