Gëzimologji…


Avatar photo

Shqiptar Oseku

U lind në Gjakovë, ku e kreu të mesmen. U arratis si 18-vjeç në Suedi. Studioi shkencat sociale në Universitetin e Stockholmit. Punon si terapist në kryeqytetin suedez dhe shkruan poezi e komente shoqërore e politike.

Unë e di veten që kam rënë në dashuri
kur nis e sajoj fjalë krejt të reja, të pafolura më parë

gëzimologji pasionizim afshografi
epshifikim hypozjarmi pikëllonjë dashurnajë

të them gjëra si “ke trup aq të përqafueshëm”
apo “e dashur, buzët i ke shumë të puthshme”

jam si bishë e trallisur që ka ndezur crack kokainë
i mbytur në dopaminë në norepinefrinë

më ndihmo kur më sheh ashtu se në vete s’jam tamam
më ço në shtëpi mos më lë ashtu se s’di më se ku jam

gjuhëtarët më ndjekin të më djegin në stiva drunjsh
por e dashura ime qesh e më puth e më quan i marrë

emrin e saj kur nis ta përdor në mënyra kreative
për t’ia vjelur tërë valën goditëse

nëse them gjëra si “Parisi do ta ketë shpikur fjalën ‘helenizim’
për ta kapur efektin e Helenës së Menelaut”

unë atëhere veten e di se kam rënë në dashuri
por s’i ndihmoj dot vetes amanet ndihmomë ti

më shkul nga ajo grua butësisht por vendosmërisht
thuaj që tash jam i rrezikshëm për veten e për publikun e gjerë

(sidomos për gjuhëtaret, për to biles as të mos flasim:
më ndjekin netve pa hënë më pjekin mbi stiva drunjsh)

amanet më ndihmo kur më has ashtu se hiç hiç në vete s’jam
më merr më ço në shtëpi mos më lë se vetë s’di ku jam