S’un e kqyra ma shum



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Sa fillova me kqyrë filmin Luftëtari i Math i Shqi­përisë: Skën­derbeu, të ri­mje­sh­t­ruem dhe ri­dubluem shqip. Pata ndigjue që jan tue punue në te. Dhe e prit­sha m’e pa! Por s’mujta me e durue për ma shum se nji çerek ore.

Tue lanë anash përmirësimet teknike e ansore, sipër­zanimi – përkthimi shqip me zâ – nuk po i vijke as te thembra filmit të vjetër.

Rishkrimi i tekstit fyente shqiptarët. Zak­to­rët e rij as­kund ngat brezit të mo­çëm. Kqy­ra 15 mi­nu­ta film të lodhët. Fjalët trambë e të shqip­tu­e­me gabim ma pri­shën veshin si kanga e nji gjysë­­kangatari që shtingullon.

Prodhimi shqiptar-sovjetik i 1953-ës gjith­monë më ka lanë mbresë për gju­hën shqi­pe të për­krye­me. Ka pak gegnisht e pak tos­kërisht, por mbi të gjitha asht shqip, në nji të folme t’Elba­sa­nit – ate që me shekuj ka gëzue na­min e mesit t’artë dhe emnue­sit të për­bash­kët për të gjithë shqiptarët.

Por “të birtë e shekullit të ri,” ashtu siç e mby­­tën shqi­pen e njisue­me, e çu­puritën dhe dra­mën e kapër­thy­e­­me në pamje lë­vizë­se nji gjys­më­shekull ma parë. Për­­pu­nu­­e­sit e filmit na ki­shin pështyjnë në gojë, tue për­kthye ske­na­rin kin­se në gju­hën stan­darde.

Gjon Kastrioti tash po folte toskërisht. “To­ka e Atdheut tand” ish ba “toka e At­dheut tënd.” Ta­nush Topia, që më 1953 pat “udh­tu,” tani kish “udhë­tuar.” Dhe Sulltan Mu­rati II nuk e kish “pru,” por e kish “sjellë” Gjergjin në sarajet pe­ran­dorake.

Kurse Laoniku, që ma parë ligjeronte në të fol­men e jugut, vetëm e kish vor­f­nue fjalo­rin dhe shtue dy­kuptim­sitë. Simbas kër­ke­sës s’aka­de­mi­kë­ve ko­mu­­nistë, po thoshte “nje­riu lind,” jo “nje­riu len.” (Kjo zgjedhje gjuh­sore nën­kup­­ton se grueja ose pjell ose nuk asht njeri. Kro­ni­kani bi­zantin ka mujtë me besue ashtu.)

Harrnuesit e filmit, dorën në zemër, i ki­shin lanë do bujashka gege e do sikur i ki­shin shtue vetë. Qe ma të parën fjali për she­m­bull: e kan ruejtë edhe paska­jo­ren me+. Dhe mirë kan ba! Pastaj, Gjergj Kas­tri­oti prap e pyet Tanushin se “kush ta ka mësu kët kangë?”

Kish me thanë ndoi dashamir i regjisë së re se asht tre­gue e matun e e ha­pun ndaj geg­nish­tes. Ka gjasë. Por ma parë, rishkruesit e kan tregue mos­dijen e vet.

Në njanën anë, ata bajnë si mos me njoftë qaq as nor­mën letrare të ’72-shit. Kur sull­tani flet e flet toskë­risht e krejt befas thotë se “i ka të kjar­ta planet e hungare­zë­ve,” të ngjet se a kah e le­xon nji esemes që veç sa i ka ardhë prej Prish­ti­ne. Se qebesa, as geg­nish­tja e Dibrës ja e Te­tovës nuk thotë kjartë.

Krejt njisoj, titulli i veprës – Luftëtari i Math i Shqipërisë – dhe titrat që shfa­qen gjat gjithë filmin jan ruejtë të pa­­ndry­shue­me. Jan krye­kë­put në toskë­rish­ten e viteve ’50. Titra që e hap dra­mën shkruen, veç tje­rash, “vëndi ma­lor – Shqi­pë­rija.” Dhe tre­gim­tari, lexuesi i titrave të cilin nuk e ka pasë dub­limi i parë, e shqip­ton fjalën vend tos­kërisht: si vënd. 

Veçse n’anën tjetër, rimjeshtruesit e filmit bahen krejt anakronika – të hu­pët në kohë, siç kish me qenë smar­to­foni në xhepin e sull­tanit. Ani pse Gjergj Kastrioti ka qenë gegë, ata ia endin uar-in jugor nëpër folje sikur t’ish ush­kur me i mbajtë dimitë. Kur i bijnë iks fjalës “pru,” të bindin se s’e dijnë ja ma keq s’e duen at fjalë.

Mos të flasim mbasandej se sa me shpër­fill­je e sheh regji­sori i ri origjinarin. Thue­se vetëm ia kan llupë të moç­mit: Gjergji kru­tan ka folë krejt ras­tësisht nja­nin dia­lekt, ndërsa Donika bera­ta­se nji tjetër. Apo mos dhe kur Teodor Muzaka e qor­­ton me vend prijësin e dheut, ky i kërkon ndjesë s’e nuk ia kupton arbë­nish­ten e matanë-Shkumbinit? Se ndryshe do hidhnohej ma rand?

Për aq sa pashë, filmi kish jo pak melmesa gege. Por ia kishin hedhë sipri si krypë m’ina­ti vjeh­rrit – si Marigoja Vangjelit te Pë­rrallë nga e ka­lu­a­ra. Dro­m­­cat ma mirë mos t’ishin hiç! Nji dramë për kryetrimin shqiptar s’ba­het shqip veç tue stër­pikë me solecizma veriore, mësa e ban noi zaja­ban­ci bosh­njake gjuhën teme sllavisht.

Qebesa, ma shqip tingëllojnë versionet ru­se e gjermane sesa ripërshtatja në stan­dar­din 72. Dhe do tingëllonte shqip sikur me kohë skriptën ta kish shkrue kush na­­tyr­shëm toskërisht. Por ate e ngjyen si flokun e thimë me kanë, andaj i duket të kuqët rreth rrajës e s’ta mbush synin e as s’ta zgjon qaq epshin e rinisë.

E kur të doket se u ba mjaft, gjuhën e ri­dub­­limit ta stër­keq tutje shqiptimi që ia bajnë zaktorët e rij.

“Ti mund të flasësh me mua pa ngurim,” thotë sulltani. Të jepet me kujtue se mo­nar­ku turk s’un e rrehë gju­hën për qiellze qysh e lyp rr-ja e shqipes. Por kur ia ndien th-në e asnji fije të the­k­sit të huej, e kupton që faji s’asht te arbë­ni­sh­t­ja e Muratit, por te këta të tanët që e kanë kra­hue filmin.

Do t’ish në rregull kjo punë, sikur dublimi t’ish në nji shqipe të lirë. Por ai për­ten­don me na i sjellë llafet në gjuhën standarde.

Dhe të mos e mshefi. Aktori që fali zanin për rolin e sulltanit ka qenë dhe mbetet nji prej ar­tis­tëve ma të dashtun për mue. Ko­le­gët që pu­nuen me te në kët dub­lim jan po ashtu mje­sh­tër të zanatit të tyne. Veç as­nji­herë s’i kisha hasë të ngat­rru­em kaq keq prej nji ske­nari të re­daktuem.

Kapakun gjithçkaje ia ven ritmi i çalë i du­b­­li­mit. Zak­to­rët i këndojnë si me turre fja­litë që tëharrësit e skriptës i kan trashë e zgjatë pa kurr­farë nevoje. (Mbas gjys­më shekulli, kishim me thanë se gjuha do ba­hej ma kur­sim­tare.) Dhe stili i lashtë i ar­tis­ta­ve sovjetikë i trum­haz edhe ma keq si­për­­za­nue­sit teksa mun­do­hen me i koh­na­kue (sinkronizue) fjalët me pamjet.

Shndërrimi i filmit të vjetër në formate bash­­kë­­ko­ho­re – jam tejet i vetë­dij­shëm – u ka qitë shum punë për­pu­nues­ve. Për efek­tet ansore e pa­more, iu lumtë! Më pël­qeu kur e ndiejta pas­tër ujin tue rrjedhë prej kronit ku i lante duert historiani os­man që flet me Sken­der­beun. U gë­zova që e kan për­kthye anglisht, gjithashtu.

Mirëpo për dikend që e din përmendsh çdo varg të fil­mit të vjetër, rimjesh­t­rimi i këtij shekulli nuk më duel bindës.

Ndoshta po bahem i ashpër. E kam mësue kan­gën ga­bim dhe tash s’mund të çmë­so­hem. Apo asht thjesht pune shije’ kjo. Si thoni ju?

https://www.youtube.com/watch?v=XtXNR77GICI