12 pyetje prijësit të kombit

Edi Rama në Berlin, 2015 (Edi Rama Press, CC BY-SA 4.0)


Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Shqiponja në flamur ka 12 krahë në njanën anë. Unë po i baj 12 pyetje për «presidentin mbarëkombëtar» që e propozoi kryeministri shqiptar Edi Rama:

1. Pse ke me pasë titullin president e jo ma shqip kryetar a prijatar? Dhe president i çkafit ke me qenë: Besëlidhjes Shqiptare, Republikës, apo i filan organizate shtetesh sovrane?

2. Në cilin qytet ke me e pasë zyrën kryesore? A ke me e pasë të madhe aq sa me kry punë, por jo qaq sa me shti farefisin në rrogë e me ba zullum?

3. Qysh ke me i nderu themeluesit e Shqipnisë moderne, Abdyl Frashërin e Hasan Prishtinën? Qysh ke me i nderu burrat e mëdhej të kombit që kanë punu për bashkim e përparim, ndër ta Midhat Frashëri, Ernest Koliqi, e Rexhep Mitrovica, që diktatura i ka shpallë padrejtësisht tradhtarë?

4. Ç’simbolikë ka për ty 2 korriku 1990? A ke me pritë që Prishtina ka me e kremtu ditën e turpit kombtar 29 nandorin si festë të çlirimit? Qysh ke me e shkri ndërgjegjen kombtare dhe me nxitë njishmëninë e popullit?

5. Çka ke me ba për mbasaardhësit e viktimave të masakrës së 51-tës në Shqipni, që thonë se as falje s’u ka kërku kush e le ma me i kompensu për vujtjet? Ç’përgjigje ke me u dhanë mbasaardhësve të viktimave të masakrës së Tivarit?

6. A guxojmë me t’u drejtu ty me paskajore, apo ke me reagu si Bamir Topi që e qortoi Jozefina Topallin se gjoja nuk po e flet gjuhën zyrtare?

7. Qysh ke me e tkurrë zhbalancin tregtar? Qysh ke me luftu kusarinë e grekëve të Sharrcemit që e ndalojshin importin e cementit shqiptar në Dardani? A ke me mujtë me i gjujtë kompirat e Dardanisë përmbi kufitarët e Republikës së Shqipërisë, që ua ndalojnë hymjen?

8. Qysh ke me e rahatu Veriun, ku bandat sërbe ende s’ua marrin në dorë autoriteteve shtetnore të Kosovës? Çka ke me ba me andartët grekë që vijnë e na i rrotullojnë gurët e vorreve?

9. Qysh ke me negociu me Sërbinë? Qysh ke me u marrë vesh me Greqinë për detin? Çka ke me ba për Çamërinë? Po për shqiptarët në Maqedoni? Po për ata në Luginë e në Mal të Zi? Qysh ke me ia pre hovin ndikimit rus?

10. Qysh ke me e ndalë drogën? Qysh ke me i shti në burg hajnat që e kanë kapë shtetin andej e këndej kufinit?

11. Qysh ke me i shti shqiptarët me bashkëpunu edhe në fusha ku s’na u ka përzi kush, por na vetë s’jemi angazhu qaq, si n’arsim, kulturë, e sport?

12. Qysh ke me u siguru që, nëse ti na qëllon i poshtër dhe ta marrim inati ty, nuk ia marrim inati kombit ose trevës prej nga vjen ti?

Foto: Kryeministri Edi Rama në një ekspozitë në Berlin, 2015 (Edi Rama Press, licensë CC BY-SA 4.0)