Tash që u kry festa, mos të harrojmë:
1. Kur asht shpallë pamvarsia më 2008, RTK-ja s’ka pasë kamera HD. Më 2018, vijon me tejçu video në përmasa të paraluftës. Këto ditë lejoi që kanali 2 në gjuhën sërbe mos me e shkru «10 vjet shtet» nën logo sikur kanalet tjera. Edhe siç e përmendët i madh e i vogël, e ndali transmetimin e koncertit të Ritës. RTK-ja merr pare prej populli gati sa marrin gjykatat, dhe qe qysh e zezat popullin.
2. Bororamizin apo Pallatin e Rinisë e kena kallë mbas lufte edhe nuk e kena ndreqë ma kurrë. Palestrat ma të mira që i kemi pasë ndonjiherë në Dardani janë ndërtu sa ka qenë gjallë shoku Tito.
3. Godinën e Bibliotekës Kombëtare e kena lanë mbas dore. Natën dhezen dritat veç në gjysmën e plisave/kupolave. Edhe ato duken pa la ditën. Pllakat n’ecetoret përreth janë të thyeme, e përgjat shtegut që shkon kah Rektorati i vjen era kanalizimit.
4. Rrymën a më doket jena hala tue ua pagu bashkëqytetarëve në Severni-Kosmet?
5. Telekomi i Kosovës, që dikur ka qenë kompania ma fitimprumëse e vendit, tash po thotë se «po operon me humbje». Kah po avullohen paret?
6. Shum jurista sivjet kanë me hy në provim të jurisprudencës. Ligji thotë se komisioni i provimit përbahet prej njerëzve që e kanë dhanë provimin. Por për kryetar të komisionit tash e kanë propozu nji njeri që me shum gjasë s’e ka dhanë provimin.
7. Sa njeri asht çu me shti pare në bitcoin e kriptovaluta tjera, tue pritë se do pasunohen mbrenda nate. Ka edhe që i kanë shitë shpijat e veta për me ble kriptopare. Shum kanë me u zhgënjy, pastaj me iu gju në qafë qeverisë, si shqiptarët e Shqipnisë Londinare mbasi dështunë fajdet më 1997.
8. Inspektorati i Policisë po i ndëshkon policët që po e kryjnë detyrën. S’po i nguc ata që po shkojnë në shkërdhimtore n’orar të punës ose po i rrehin qytetarët midis rruge.
9. E tek u përmend rreha, burrat po vazhdojnë me i rrehë gratë. Kur s’po u sjellin, po i ngucin. Nuk i lanë rahat as me punu, as me u shkollu. Gjithkund kqyrin «me i nxanë» për seks, me arsyetimin banal se «qashtu p’e lypin».
10. Ndoshta shoqnia jonë e lyp të keqen e nuk e meriton ma mirë. Kqyrim veç me e mashtru njani-tjetrin. Pritojmë me punu mbarë. Ia marrim për budallaki atij që ec udhës së drejtë. E saherë na thotë dikush me i grahë simbas rregullave, përgjigjemi me «hajt». Qëky hajti na mbyti!
11. Po na mbysin qebesa dhe qentë e rrugëve. Na kafshojnë, se janë ba shum. Kemi dështu me kontrollu shtimin e tyne. Në shpi nuk i mbajmë se janë «llaskuca». Kurse vetë llaskucohemi tue ble qej prej Sërbie.
12. Shqiponja në flamur i ka 12 krahë në nji anë. Na kena ma shum probleme. Por këtu i njeha disa. Qashtu qysh m’u kujtunë në këto orë të vona. S’jemi qaq të këqij prej zemre. Por na ka hupë guximi me besu në të mirën dhe me pa andrra të mëdha si dikur. E kjofarë tute tash don me na prishë moralisht e kombtarisht.
Andaj, nuk ban me u dorzu. T’e dojmë kët vend e të punojmë. Përpara, vllamotra dardanë!
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4890