Cenimi i flamurit dhe liria e shprehjes


Avatar photo

Shqiptar Oseku

U lind në Gjakovë, ku e kreu të mesmen. U arratis si 18-vjeç në Suedi. Studioi shkencat sociale në Universitetin e Stockholmit. Punon si terapist në kryeqytetin suedez dhe shkruan poezi e komente shoqërore e politike.

Cenim i fla­murit quhen, për shembull, djegia, ndry­shi­mi fizik, apo val­vit­ja e fla­mu­rit kokë­poshtë. Në shumë ven­de demo­kra­tike të botës nuk ka ligje që nda­loj­në ce­ni­min e sim­bo­le­ve të shtetit. Liria e shpreh­jes së qyte­tarit çmohet se është më e vlef­shme se mbroj­tja e sim­bo­leve me dhunë.

Suedia bën pjesë ndër ato vende. Fotoja në krye tregon një pro­test artis­tik nga viti i ka­luar (2017). Ligji sue­dez nuk ka sank­sione kundër qyte­tarit per ce­nim simbo­lesh, por mund të të ndjekë ligjë­risht nëse, bie fjala, gjatë djegies me ben­zinë kër­cënon pronën a jetën e njerëzve.

Edhe në Dani­markë është saktë­suar me verdikt gjyqësor e drejta e qyte­tarit që të shprehë pro­testë duke ce­nuar sim­bole, ta zëmë duke dje­gur fla­murin danez Danne­brog. Nor­vegjia anuloi më 2008 një ligj të më­her­shëm që nda­lonte cenim simbo­lesh, me motivim se ai ligj nuk ish për­do­rur as­një­herë, e se binte ndesh me liritë dhe të drejtat e qytetarit, që janë ligj suprem i demo­kracisë.

I njëjti qën­drim mba­het edhe nga një numer demo­kracish jashtë Skan­dina­visë. Në SHBA, Gjy­kata Sup­reme ka kon­fir­muar, në rastet Texas v. Johnson, 491 U.S. 397 (viti 1989) si dhe United States v. Eichman, 496 U.S. 310 (viti 1990), se Amen­da­men­ti i Parë i Kush­te­tutës nda­lon ndjek­jen li­gjore për cenim sim­bo­lesh, pse ta zëmë djegia e fla­mu­rit ame­rikan (por edhe e fla­mu­rëve tjerë) qu­het ush­trim i së drejtes së shprehjes së lirë të qy­tetarit amerikan.

Vijë identike ndjekin edhe vendet tjera me traditë anglo­ame­rikane të juris­pru­den­cës, si Kana­daja e Au­stralia. Në Bri­tani, as e drejta në Angli-Uells as e drejta sko­ceze nuk ka­në kon­cep­te të mbroj­tjes li­gjo­re të sim­bo­leve, meqë ob­jek­tiv i ligjit është mbroj­tja e lirive dhe të drejtave të qy­te­tarit.

Natyrisht, ka edhe shem­buj ven­desh që ndjekin ligjë­risht qy­te­tarin nëse ky bën pro­testë duke ce­nuar sim­bole. Bë­het fjalë për dik­ta­tu­ra si Kina o Ara­bia Sau­dike, ose për demo­kra­ci me të kaluar dik­ta­to­ri­ale a ko­lo­nia­le, si Gjer­ma­nia, Ita­lia, Ru­sia, a Franca.

Është pri­vilegj i rrallë i ligj­vënës­ve të një shteti të ri si Ko­so­va kjo që mund të vendosin vetë, pa mbaj­tur mbi supe barrat e një tradite të më­her­shme, se ç’qën­drim do të mbajë shteti kar­shi lirive dhe të drejtave të qy­te­tarit. Dhe unë shpre­soj se ky shtet do të vlerë­sojë të drejtën e shpreh­jes së lirë për­mbi kon­si­de­ra­ta legalistike simbolesh.

Teke­fundit, ajo që e bën një sim­bol të shenj­të nuk është dhu­na që ush­tro­het në emër të tij. Po da­shu­ria e loja­li­teti që mund të frymë­zo­jë ai simbol në ra­dhët e qy­te­tarëve pikë­risht duke mbroj­tur të drej­tat dhe liritë e tyre.