Dhentë brinamëdha të Sierra Nevadas — që anglisht u thonë bighorn sheep e në gjuhë shkence Ovis canadensis sierrae — janë nji lloj delmesh të egra që gjinden në malet e Sierra Nevada, në dy shtete, atë të Nevadas dhe të Kalifornias.
Simbas nji studimi të gjenetikës krye në vjetën 2016, u konfirmue se ka tri nënspecie delmesh brinamëdha që jetojne në Amerikën e Veriut: delmet brinamëdha të Sierra Nevadas, delmet brinamëdha të Maleve Rocky dhe delmet brinamëdha të shkretëtinës. Dhentë e egra të Sierra Nevadas janë të shpalluna nënspecie e rrezikueme dhe janë në mbrojtje të qeverisë federale nga viti 2000. Mbrojtja ka pasë efekt pozitiv: më 2000, kish rreth 200-250 krenë, kurse më 2016 jane numerue mbi 600 delme brinamëdha në Sierra Nevada.
Nga studimet gjenetike ka rezultue se këto dhen t’egra kanë ardhë në Amerikën e Veriut nga Siberia, duke kalue nëpër ngushticën e Beringut shumë kohë përpara, sepse kjo specie i ban ballë edhe kushteve klimatike ma të ashpra. Asht i njati lloj me paraardhëset e dhenve që kanë sot blegtorët kudo në botë, që rrjedhin nga dhentë e egra Ovis orientalis — dhentë që kemi edhe na në viset shqiptare.
Siç dihet, delmet janë ndër të parat kafshë t’egra që ka zbutë njeriu. Njeriu i parë ua ka ditë randësinë dhe i ka çmue shumë. Prandaj ka edhe nji shenjë të Zodiakut që perkon me kohën kur në Euro-Azi dhentë e egra pjellnin qingjat — dhentë e egra që në agshollin e njerëzimit gjindeshin në tufa nëpër Euro-Azi. Delmja e egër, Ovis orientalis, gjindej kudo nëpër pllajat e atyne anëve, njeriu i parë normalisht që e ka njoftë këtë kafshë, ka mësue çdo gja rreth saj.
Për njerezit e parë, kjo kafshë ishte dhuratë e rrallë. Aq e randësishme ishte madje, saqë koha kur mbarështohej kjo kafshë shënonte muejin e parë të Zodiakut.
Nga gjetjet arkeologjike asht konstatue se dhentë u zbutën në periudhën mesolitike (10 mijë deri ne 8 mijë vjet para Krishtit), në Mesopotami. Gjetjet në Iran e Irak datojnë 7 mijë vjet ma para, ndërsa teshat ma të hershme të thuruna me lesh delmje datojnë 4 mijë deri ne 3 mijë vjet para Krishtit.
Nji karakteristikë e këtyne dhenve t’egra asht se ato e ndjekin kullosën, janë shtegtare, dhe verës kur thatësina vyshk barin, ato ngjiten në naltësi të bjeshkëve me kullotë barin e njomë. Kjo të ban me mendue se blegtorët e kanë krijue traditën e verimit në bjeshë pse u asht dashtë me u vojtë mbas dhenve, me i ngjitë në kullosa. Nji tradite pa të cilën Malsia nuk mund quhet Malsi.
Në këtë shkrim e përdora emnin Delme, në trajtën dialektore të Malsisë së Gjakovës dhe Malsive të mbi-Drinit, sepse asht nji formë arkeotipore me shumë vlerë. Mjafton me kujtue këtu se emni Dalmaci asht shpjegue prej kësaj trajte — Dalma > Delme — pse ato vise në lashtëshi kanë kenë të përmenduna për delme… për tufa dhensh deri në 10 mijë copë!
Prandaj javës se shkueme sa isha në shtetin e Nevadas, gjeta kohën me shkue e me i pa nga afër këto dhen t’egra. Malsori mbetë tanaheret malsor! Kudo të shkojnë.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6513