Gjenocidi në Srebrenicë u krye nga nacionalistë fetarë serbë, me bekimin e kishës kristiane serbe. Viktimë ishte popullsia më sekulariste atëbotë në Europë, boshnjakët. Islamizmi falso i përkujtimeve të sotme e shtrembëron këtë të vërtetë historike, e përbën dhunim të dytë fetar mbi viktimat e një gjenocidi.
Dr Iljaz Pilav ishte 28 vjeç kur serbët hynë në Srebrenica. Ai kish shërbyer aty për muaj me radhë si mjek në kushte pothuaj jonjerëzore, një nga 5 doktorët e mbetur për mbi 50 mijë banorë të enklavës së rrethuar nga serbët.
«S’kishim instrumente, s’kishim anestetikë, s’kishim antibiotikë, s’kishim gjë prej gjëje», kujtohet ai sot. «Tmerri i vërtetë nisi më 5 qershor, kur nisi ofenziva serbe. Unë nisa turnin tim më 6 qershor dhe mbeta aty duke operuar pesë ditë rrjesht, deri kur ra qyteti, më 11 qershor.»
Dr Iljaz Pilav është ndër boshnjakët e fundit që ikën në rrëmujën e pushtimit. Ai u përvodh nëpër duart e terroristëve serbë, pasi kish tentuar të dërgonte një radiogram të fundit për ndihmë drejt Sarajevës. Dy vëllezër të tij, gjithashtu me arsim të lartë, nuk e kishin të njëjtin fat. Ata u kapën dhe u vranë jo fort larg Srebrenicës.
Rasti i dr Pilav përbën një përjashtim të rrallë, pse përshkruan një boshnjak të arsimuar që i ka shpëtuar vdekjes. Shënjestrimi i të arsimuarve është përndryshe një nga tiparet dalluese të gjenocidit kundër boshnjakëve, krim ky për të cilin krerët serbë janë dënuar në Gjykatën e Haagës, shkaku i Srebrenicës.
Një tjetër përjashtim me rastin e dr Pilav është edhe refuzimi kokëfortë që i bën ai diskursit fetar.
Dr Pilav është intervistuar nga shumë burime. Rrëfimi i tij përmendet në faqen zyrtare të të mbijetuarve të gjenocidit. Madje ka shkruar tevona edhe një libër të vetin memoaresh. Por imazhi që ai projekton në këto rrëfime është gjithmonë identik. Ai është humanisti që refuzoi të ikte. Doktori që kreu mbi 3500 operacione pa anestetikë. Dhe ndër banorët e fundit që la Srebrenicën.
Në gjithë këto dëshmi, dr Pilav s’e thekson kurrë, në asnjë rast, përkatësinë e vet fetare. Ai i përmbahet rreptësisht narrativit sekularist.
Në ambientin e helmuar nga feja në Bosnje, ky qëndrim parimor e bën dr Pilav sekularist të rrallë. Sepse feja – këtë do thënë troç – i ka shkërdhyer e vazhdon t’i shkërdhejë boshnjakët edhe sot e kësaj dite.
Gjenocidi në Bosnje u krye nga nacionalistë fetarë serbë, me nxitjen dhe bekimin e kishës së vet kristiane. Viktima e gjenocidit ishte një ndër popullsitë më sekulare që ekzistonin atëbotë në Europë, boshnjakët. Të parët që u vranë shtazarakisht ishin elita intelektuale boshnjake, inxhinierët, mësuesit, poetët, e mjekët si dr Pilav, njerëz që dalloheshin – edhe në Bosnje! – për sekularizmin e vet.
Dhe tragjedia e sekularizmit boshnjak nuk mbaron aty. Sot, mbi 20 vjet pas luftës dhe urrejtjes fetare, përkujtimi i viktimave të Bosnjes sekulare bëhet kryekëput në ngjyra fetare. Përkujtimet zyrtare në Srebrenicë janë «kidnapuar» sot nga kleri musliman, i cila i paraqet të gjitha viktimat thuase të ishin muslimanë të devotshëm. Përkujtimet vishen në ngjyra e ikonografi fetare, përcillen me rituale fetare, e transmetohen si të tilla në botë, në një mënyrë që sigurisht do të fyente shumicën e viktimave sa qenë gjallë.
Në rastin e Srebrenicës, shkurt e shqip, bëhet një islamizim viktimash që ishin me shumicë sekularistë. Sepse ai qyutet, sikur edhe gjithë Bosnja, para dhe gjatë luftës ishin ndër hapësirat më sekulare në Europë. Përqindja e martesave të përziera në Bosnje arrinte 30 përqind, më e larta në ish-Jugosllavi. Boshnjakët, të përmendur për humorin e vet të hollë, thonin me tallje se mishi i derrit në Bosnje kish çmimin më të lartë në botë, pasi veç aty kërkesa e mundte ofertën. Shumica e viktimave të gjenocidit ishin njerëz si dr Pilav, të rritur në familje ku feja qe vetëm ritual karnevalesh, sa për bajram e krishtlindje.
Prandaj fetarizimi i kujtesës së gjenocidit, në ambientin boshnjak, e paraqet një pasqyrë komplet të rremë të viktimave. Dhe kjo një rrenë të rrezikshme biles, pse e konfirmon pas dore ideologjinë e vrasësve. Një herë e një kohë, insistimi maniak i vrasësve se në Bosnje po luftohej kundër islamit, u kundërshtua si propagandë nga boshnjakët e atëbotshëm, nga bota e qytetëruar, madje edhe nga shumë intelektualë serbë. Ata pohuan të vërtetën e dukshme, se në Bosnje (dhe më vonë në Kosovë) kish popullsi kryesisht sekulare, që s’kërkonin xhihad po shpëtim nga tirania e Serbisë. Por sot, nacionalistët fetarë serbë mund të bëjnë me gisht kah ritualet e theksuara fetare gjatë përkujtimit të Srebrenicës. E të thonë, me zgërdhirjen e kriminelit: «Ja, ç’ju thamë ne! Ne kishim të drejtë tërë kohën.»
Ndjeriu s’ka si të mos ndjejë një pështirosje nga ky manipulim i viktimave. Si humanist, them se jo sall të gjallët, por edhe të vdekurit meritojnë një respekt. Kujtimi i tyre, varret e tyre, por edhe botëkuptimet e tyre sa ishin gjallë, ruhen kudo si kujtim sakral, edhe kur përditshmëria ndryshon rrjedhën e vet. Një fjalë e lashtë shqiptare thotë, të gjallët me të gjallë, të vdekurit me të vdekur. Instrumentalizimi që i bën vdekjes, dramës finale të qenies njerëzore, kleri fetar ka qenë gjithmonë i stisur. Por kur instrumentalizohen viktima të një gjenocidi, them se lë shije të neveritshme. Mua gjithë kjo më del si dhunim i dytë, morbid, që religjioni i organizuar kryen kundër viktimave të Bosnjes.
Si shqiptar sekularist, sot gëzohem pse përkujtimet e pasluftës në Kosovë janë mbajtur nën patronatin e shtetit. Gjykuar nga rrëshqitjet e rrezikshme të Bosnjes, kjo praktikë a-la franka duket e urtë dhe largpamëse.
Por boshnjakëve të emancipuar, si dr. Iljaz Pilav, u mbetet të sodisin se si u manipulohen përvjetorët e vdekjeve. Se si kujtimi i familjarëve të vrarëve të tyre, në vend se të shërbejë për t’i thirrur arsyes. Përdoret nga zellotët fetarë të të dy palëve, për të ushqyer njëri-tjetrin me bukë e vrer.
Them se s’është e rastit pse pikërisht dr Iljaz Pilav, heroi sekularist i Srebrenicës, e paditi vite më vonë shtetin e vet të dhembshur Bosnjen, në Gjykatën për të Drejta të Njeriut në Strasbourg. Doktori i shquar akuzoi Bosnjen e vet, për të cilën kish dhënë aq shumë, se kish shpërfillur sakrificat e tij dhe qytetarëve tjerë. Duke krijuar pas luftës ligje që ndajnë njerëzit në baza fetare.
Dhe a di çfarë? Jo fort moti, gjykata në Strasbourg e shpalli aktvendimin e vet. Duke pohuar se po, kjo rrugë ishte e gabuar.
Burimet:
- Remembering Srebrenica: Dr Iljaz Pilav
- Radio Europa e Lirë: Dr Pilav, diskriminim në lista votuese
- Deutsche Welle: Pilav fitoi gjyqin kundër Beh
Botu në Koha Ditore, më 11 qershor 2016
Pamja: Varret në Srebrenicë (Michael Büker, 2009, CC BY-SA 3.0)
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4600