Fjalori i shqipes i vitit 1954 shënon fjalë si mëshel e i mbramë ose edhe nalt. Botimi i radhës i leksikografisë, fjalori i vitit 1980, nuk e ka asnjërën nga këto leksema. Secila prej tyre mbetet kësisoj e papërfaqësuar në fjalorin e gjuhës që këto fjalë i përdor. E qartë, vendimi për heqje vjen për shkak se zërat nuk i sugjerohen fare përdoruesit në përdorimin zyrtar të gjuhës.
I mbramë për i fundit u zhduk në fjalorin e vitit 1980, por mbeti zëri tekembrama. Cili mund të ketë qenë vendimi me e heqë kur figuron si fjalë e vetme, por të njejtën me e mbajtë kur fjalëformon? Apo është thjesht zgjedhje arbitrare e redaktorëve? Hiqet edhe nalt, por mbeten rrafshnaltë e furrnaltë. Kjo sepse ishin ngulitë kështu si fjalëformime, e nuk i kishin alternativat korresponduese me -lartë.
Është interesante se te fjalori i vitit 2006, ndonëse nuk kthehen asnji nga këto tri leksema, figuron megjithatë kosovarizmi hajgare, të cilin nuk e shënonte kurrë më parë leksikografia e të njejtit organ, Akademisë së Shkencave në Tiranë. E kuptueshme, rrethanat më 2006 tashmë ishin bë të tilla që shqipnitarët ta kishin përthithë mirë lemën, rrjedhojë kjo e ndërkomunikimit të shtuar me kosovarët, prandaj zëri hajgare edhe shënohet edhe në leksikografinë zyrtare.
Por, nga ç’kushtëzojnë rrethanat për përditësimin e shqipes në nivel gjithëkombëtar, leksikografia mbetet ende shum larg, jo veç në raport me fjalë prej truallit kosovar a gjetiu prej trevash gege. Më 2016 ende nuk kemi arritë me mbledhë e sistemu përtej se tek-tuk ndonji hajgare nga ai krah i shqipes të cilit periudha socialiste po i shmangej, nuk e përfillte më si degë ushqyese për nevojat e standardizimit të gjuhës. Prandaj edhe hetohen lëvizjet për mënjanimin e zërave si mshel nga fjalori zyrtar, mosregjistrimin e sa të tjerëve si p.sh. kokëdhimbje, madje edhe nëse ky fjalërformim kosovar i kohës socialiste bëhej në përputhje me vetë orientimet e gjuhës standarde, e cila parapëlqente kokë përpara se krye.
Mungesa e zërit në fjalorë vjen nga fakti se leksikografia e periudhës socialiste në Tiranë i kishte mundësitë të diktuara nga rrethanat politike që po i jetonin Shqipëria e Jugosllavia dhe raportet që kishin qeveritë përkatëse. Bashkëpunimi me Kosovën e shqiptarët e tjerë në Jugosllavi njohu shkëmbim tejet të kufizuar. Po sot, cili është arsyetimi?
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1TK2bB3