«Jemi tue folë për dy Enver Hoxha. […] Një asht Enver Hoxha i Shqipnisë dhe një tjetër asht Enver Hoxha i Kosovës», shkrun Agim Morina, në përpjekje me shpjegu adhurimin e dikurshëm të kosovarëve për diktatorin shqiptar.
Dallimi mes njeriut të njimendtë dhe mitit për te asht mënyra ma e mirë me e rehabilitu nji bindje që nuk gjen mbështetje në të vërtetën historike. E bajnë, për shembull, shum teologë liberalë që flasin për Jezusin e historisë dhe Krishtin e fesë. Njani asht njeri që ka jetu para 2-mijë vjetësh, kurse tjetri mit, që njiherë shfaqet si i biri i njeriut, pastaj i biri i Zotit ose Zoti vetë.
Në thelb, dualizmi i figurave — nëse mund ta quj kështu — ndihmon për me shpjegu nji ideal të sinqertë e dashamirës. Por në të njejtën kohë, len me kuptu se ka veç nji të vërtetë. Nuk pretendon se duhet me i pa të dy anët e medajës, e se ata të Shçipris që nuk e dojnë Enverin e shohin veç njanën anë, siç kish mujtë dikush me keqkuptu ose me keqmendu.
Përkundrazi, ata që nuk e dojnë Enverin gjejnë mbështetje në të vërtetën historike. Na kosovarët s’jemi kurrkah me të vërtetën. Na e kemi kriju nji ideal dhe e kemi dashtë nji Enver që nuk ka ekzistu, por kish qenë mirë me pas ekzistu. Dhe nëse ende shpresojmë që ky Enver të na vijë nji ditë, nuk asht se gabojmë. Thjesht, mbajmë shpresë për ditë ma të mira të kombit.
Të paktën, unë kështu po e lexoj edhe shkrimin e mësuesit Agim Morina. Autori nuk po e mbron enverizmin, aq ma pak enveristat e sodit ose idenë e praptë se Edi Rama ka tagër me folë për Kosovën me Beogradin. Por po e shpjegon të vërtetën historike dhe idealin e sinqertë që e kanë ushqy shqiptarët ndër dekada.
Unë vetë theksin e vej para së gjithash te të drejtat e njeriut. Për mue, ato janë ideal ma i madh se gjaku i dëshmorëve e se fjalimet atdhetare t’Enverit.
Kur folet për demonstratat e 81-tës, kundërshtarët rroken për prapavijën politike, tue i paraqitë udhëheqësat studentorë si marksist-leninista të lidhun me Tiranën komuniste. Por kjo s’çon fije peshe! Asht e drejtë themelore e njeriut me u shprehë lirshëm e me u tubu paqsisht, kurse Jugosllavia e atëhershme e shkeli kët të drejtë, tue i shtypë dhunshëm studentat. Aq ma tepër, e tregoi fëtyrën e poshtër e pushtuesit kur me pretekstin se po lufton separatizmin ua shtroi zullumin shqiptarëve, me shkelje edhe ma të randa të të drejtave të njeriut, siç qenë torturat, izolimet, e burgosjet pa ecuni të drejtë ligjore.
Tash, shkaku i të drejtave të njeriut, nuk muj me i honepsë as vështrimet pozitive ndaj diktaturës enveriste në Shqipni. «Ty Kosovë kur ta kthyem shpinën, e lamë borë e gjetëm dimën», këndonte Dervish Shaqa. Dhe ashtu ka qenë. Njimend, Dervishi në kangë e qortonte regjimin e Zogut dhe i thurte lavde Partisë, por vargu qëndron dhe për Enverin. Rapsodi ynë jetoi në mjerim, ashtu siç mbetëm gjallë shum kosovarë në Qerret të Durrësit e në katunde tjera të Shqipnisë komuniste.
Dikush thotë se Enver Hoxha e zhvilloi industrinë. Por nuk i përmend ndihmat e hueja që i mori Shqipnia prej Lindjes e Perëndimit, dhe sikur don me nënkuptu se nji qeveri demokratike jostaliniste nuk kish me i mbërri kurrë ato rezultate. Mbas Luftës së Dytë Botnore, nji vend i mbrapambetun si Shqipnia asht dashtë patjetër me u zhvillu. Qashtu asht zhvillu edhe Dardania mbas luftës së mbramë, por kjo s’asht meritë e udhëheqjes. Me kohë, u pa përparimi ekonomik i Shqipnisë, dhe u vërtetu sa e padobishme ka qenë ajo industri e ndërtueme jasht nevojave dhe nivelit të tregut botnor. Shqipnia Londinare mbeti vendi ma i vorfun n’Evropë.
Intelektualë kosovarë si Rexhep Qosja e mbiçmojnë letërsinë e artin e asaj kohe, thu se dojnë me e harru robninë e shprehjes dhe përndjekjen e artistave e shkrimtarëve që nuk kanë shkru qysh ka lypë diktatura. Petro Markoja, nji komunist idealist që për mue ka qenë shkrimtari ma i madh i asaj periudhe, e rrëfen të vërtetën, në librin e tij me kujtime, Intervistë me vetveten, ku shpreh dashni të madhe për Dardaninë. Enveri e shtini në burg Petro Markon dhe ia ndaloi botimin për dekada, kurse këndej e krijoi njifarë pasqyre të rreme të zhvillimit kulturor, tue e subvencionu propagandën. Tash kur i largojmë patericat, gjithçka duket keq.
Sot ekonomia, arti, kultura, e shumçka tjetër nuk i ka punët mirë te na, por pse na nuk jemi mirë vetë, dhe diktatura na ka sëmu e na ka lanë keq. Diktatura kurrsesi nuk ka qenë ma e mirë. Ajo i ka shtypë shqiptarët, dhe ua ka mohu denjësinë njerëzore, që asht thelbi i të drejtave të njeriut. Kurse do enverista me paskrupullsinë e tyne e vazhdojnë avazin e fymjeve e të mohimit.
Të paudhëve që e dojnë Enverin e Shqipnisë, u uroj me gjetë udhën — me gjetë të vërtetën për hir të kombit e të shoqnisë. Se me jetu sot në nji shoqni të hapun e të lirë, veçmas në vendet e Perëndimit, e me livdu totalitarizmin, asht ligësi.
Por atyne që e dojnë Enverin e Kosovës, u uroj të kenë jetë me e mbërri o me u ba vetë ai Enver.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5050