Vëre maskën apo vendose maskën? Pyetje si kjo na kujtojnë se kovidi po na sfidon mënyrën si komunikojmë me njëri-tjetrin. Dhe kjo punë s’ka të bëjë veç me gjuhën — shpërfaq njohuritë, përvojat dhe paragjykimet e tona për shoqërinë, ligjin, ekonominë, teknologjinë, mjekësinë e thujse çdo fushë tjetër.
Prandaj ia vlen me e shtjellu.
Me folë me gramatikë
«Halit, vëre maskën. Zonja Hajdari, të lutem, maskën», u drejtohej kryeministri Edi Rama deputetëve të padëgjueshëm në Kuvendin e Shqipërisë këtë korrik. «Maska është tanimë e detyrueshme në ambiente të mbyllura», rikujtonte kreu i qeverisë në Tiranë.
Por sivëllai i tij në Prishtinë porosiste qytetarët me tjetër fjalë. Postimi i Avdullah Hotit në Facebook mbaronte me hashtagun #vendosemaskën.
Kuptimi është i qartë në secilin rast. Por Rama ka folë ma shqip.
Fjala vëre është folja me vu apo vë në trajtë urdhërore. E thotë kështu gjithë Shqipëria. Toskërisht bën vëre, kurse gegnisht e hasim si vene e ma rrallë si veje. Kosova e përdor me karar, por e kupton gjithsesi.
Kurse vendose është tjetër folje. Mund të përdoret me kuptimin vë apo qes: vendos vazon mbi tryezë. Por domethënien e parë — sidomos në Dardani — e ka me marrë vendim. Populli vendos fatin e vet, por qytetari vë ose vnon maskën.
Hashtagu i Hotit shmang gjuhën që përdor populli në Kosovë, dhe kështu shpërfill pasurinë e gjuhës shqipe në tërësi. Janë në pyetje tri folje: me vu (vë), me vnu (vnoj) dhe me vendosë (vendos). Këto ia vlen me i njohë dhe me i përdorë për me kumtu lehtë e mbarë.
Secilën nga tri foljet e gjejmë në Fjalorin e Akademisë së Tiranës, ndonëse me ndryshime. Kuptohet, asnjëra folje nuk jepet në paskajoren (me+), sepse dialekti standard ka përjashtu padrejtësisht këtë trajtë. Kurse folja vnoj del në trajtën ma pak të përhapur vendoj, sepse qysh më 1917 është vendosë me u rujtë në të shkruar togjet nd e mb. Se vnoj rrjedh nga vendoj na e kujton trajta që e hasim në Pejë e gjetiu: ndoj.
Shqiptarët gjithandej pra thonë: vëre maskën, vene maskën, veje maskën, vendoje maskën, vnoje maskën, ndoje maskën. Thonë edhe: qite maskën, ngjite maskën, barte maskën, mbaje maskën, báje maskën. Por shumë rrallë dëgjojmë: vendose maskën.
Këtë e thotë rëndom ai që ia rreh vetit si ma i dijshëm, dhe dijen mundohet me e tregu tue folë me gramatikë — me gjuhën e ngatërruar që e hasim në libra, por që s’do duhej me e përdorë as aty. E thotë qebesa shpesh kosovari që mendon se duhet me folë ose me shkru patjetër në dialektin standard dhe duke e korrigju veten i bën me qeshë të tjerët.
Gjuhëtarët vërejnë dy dukuri në këso rastesh: purizmi, që është prirja e vetëdijshme me e pastru gjuhën ose dialektin prej elementeve të cilat i cilësojmë të huaja, të këqija ose të papërshtatshme, dhe stërkorrigjimi, që nënkupton me zbatu pahiri rregulla të caktuara edhe aty ku s’duhet.
Të dyja janë të këqija.
Purizmi na e lëndon gjuhën si zbardhuesi që na i njollon teshat. Veçanërisht dëmton kur puristi përdor ose përjashton fjalë pa ua ditë kuptimin. Kështu bëhet si një çmontues bombash që pren telin e gabuar dhe i merr në qafë ata që e shikojnë për hero.
Stërkorrigjimet, që ndodhin prej tute se po na pshton një fjalë gegnisht ose kur s’e dimë qysh thuhet diçka toskërisht, e varfërojnë njëlloj gjuhën tonë.
Foljet me vu, me vnu e me vendosë dallojnë. Me to thurim fjali të veçanta: Brukseli vuri kushte. Unë e vnova maskën. Gjykata vendosi çështjen.
E kur nga tri zbresim në një folje, përftojmë fore si kjo (rëndom në pësore): U vendos të vendosen maskat. Tingëllon interesant, por jo gjithë!
Kështu dallon edhe rri te shpia nga qëndro në shtëpi. Sepse duke ndejtë larg njëri-tjetrit, i qëndrojmë — i bëjmë rezistencë — ma lehtë sëmundjes që po na sfidon të gjithëve.
Virusi dhe sëmundja
Sëmundja quhet kovid, kurse virusi thjesht koronavirus, ani pse vetë Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ia huq dallimit në të shumëpërmendurin Manual për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19.
Ngjashëm me koronavirusin që shkakton kovidin, virusi hiv shkakton sidën apo aidsin, sëmundjen tjetër që Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilëson pandemi.
Emrat e viruseve dhe sëmundjeve po i shkruj shqip. Ato tashmë janë bë pjesë e gjuhës sonë të përditshme, dhe drejtshkrimi i shqipes lyp me i shkru fjalët ashtu siç shqiptohen: k për k, jo c për k. Ndonëse burojnë prej anglishtes, fjalët kovid e hiv tani i kemi asimilu plotësisht, ashtu siç kemi përbrendësu huazimet kompjuter, laser e vaksinë. Andaj s’kemi pse i dallojmë ma.
Emrat e viruseve dhe sëmundjeve po i shkruj gjithashtu me germë të vogël. Ndonëse fillimisht janë saju si akronime të emrave ma të gjatë, askush nuk ua kujton brendinë. Edhe gazetat e Britanisë tani shkrujnë covid në vend se COVID, ashtu siç e shkrujnë laser në vend se LASER.
Kovid vjen nga CoViD-19, që bashkon nistoret e emrit të plotë anglisht coronavirus disease 2019 — pra, sëmundja e koronavirusit 2019, sipas vitit kur janë zbulu sëmundja dhe virusi.
Mediat dhe institucionet tona, që ngurrojnë me ndjekë gjuhën e popullit, ende përdorin trajtën COVID-19. Por populli ka nisë me thënë kovid: Kovidi i ra Feridit. P’e lypin testin e kovidit në kufi. E mujti kovidin. Ia pamë sherrin kovidit.
Për shqiptarët, fjala kovid tani është emër shqip që shquhet e lakohet nëpër rasa si çdo emër tjetër. Andaj dhe mediat e institucionet do bënin mirë me folë e me shkru siç bëjnë shqiptarët.
Gjuhëtarët edhe këtu vërejnë dy qasje: preskriptive dhe deskriptive. Qasja preskriptive apo paracaktuese i bie me vendosë se qysh duhet me përdorë gjuhën; qasja deskriptive apo përshkruese domethënë me pranu gjuhën qysh e përdor populli.
Mediat dhe institucionet tona po i përzijnë dy qasjet, duke nënkuptu se duhet me e shkru COVID ashtu qysh shkruhet anglisht. Por këtu po anashkalojnë qytetarin tonë dhe traditën e shqipes. Unë gjithashtu po i përzij qasjet: po them se duhet me e shkru dhe me e laku emrin kovid me germa shqip dhe me rregulla të shqipes, ashtu qysh i shkrujmë dhe i lakojmë emrat e tjerë.
Kovid sëmundja, koronavirus shkaktari.
Për të qenë ma të saktë, mikrobi i kovidit quhet në shkencë koronavirusi i sarsit 2 (anglisht: SARS-CoV-2) ose me emra të tjerë të ngjashëm. Kështu e dallojmë nga lloje të tjera të viruseve, përfshi koronavirusin e sarsit 1, i cili qe përhapë në fillim të këtij shekulli, duke shkaktu sëmundjen e frymëmarrjes të njohur si sars. Koronaviruset pra janë një familje e tërë e llojeve të viruseve, por kur flasim për koronavirusin, e mendojmë këtë që deri tani ka prekë mbi 17 milionë njerëz anekënd rruzullit.
Tash ma ndryshe
Ata kanë dalë pozitivë (mbiemër, me ë në fund, sepse është në shumës) ose pozitiv (pa ë, nëse kjo mund të quhej ndajfolje). Janë diagnozu me kovid. Shqipëria thotë janë diagnostikuar, e disa në Kosovë e Maqedoni diagnostifiku(ar). Unë po zgjedh trajtën ma të shkurtë: diagnozu. Diçka si prognozu. Shkurt, sepse kjo është prirja e natyrshme e gjuhës, jo vetëm tani që shkurtimet, rrudhjet, ngushtimet e mbylljet po i përjetojmë në çdo rrafsh.
Jemi prekë të gjithë, jo vetëm 17 milionët pozitivë. Jetesa dhe gjuha kanë ndryshu përshtatshmërisht.
«Mos u fshihni, se sot jemi me maska por kurrë më të zhveshur nuk e kemi pasur dinjitetin», thoshte deputetja Mimoza Kusari-Lila në një mbledhje të Kuvendit të Kosovës, kur kundërshtarët e saj u bënë tok me e rrëzu qeverinë popullore të Albin Kurtit.
Ish fillimi i pandemisë, dhe fjala maskë ende barte si kuptim të parë çorapen a cohën që mbulon fytyrën e një bakeqi.
Sot maskë qujmë mburojën nga virusi. I dallojmë edhe llojet e maskave: kirurgjike, N95-she, e pëlhurës a tekstilit etj. Kryekuvendarja kosovare Vjosa Osmani ka kohë që flet për maska njëpërdorimëshe dhe shumëpërdorimëshe, duke përvetësu fjalë të vyeshme, që deri tash kemi ngurru me i përdorë në mjedise formale.
Të gjithë kemi nisë me u mësu me fjalë të reja ose me mënyra të reja të përdorimit të tyre.
Huazumë shprehjen distancë sociale. Zumë me folë për karantinën, për izolimin e vetizolimin, për inkubacionin, infektimin, infeksionin, simptomat, dezinfektimin, higjienën dhe kujdesin ndaj të tjerëve si asnjëherë në shekullin XXI. U përpoqëm dhe u shtymë me njëri-tjetrin se kush mundet dhe kush duhet me punu prej shtëpisë — prej distancës, largësisë — dhe pamendimthi ia gjetëm shoqen shqipe shprehjes remote work.
Kur Evropa urdhëroi qytetarët të rrinë në shtëpi, dhe gazetarët tanë raportonin për lockdown si «mbyllje e madhe», vërejtëm se kishim harru fjalën shqipe ngujim. Kur qeveria vendosi që qytetarët me mujtë me dalë prej shtëpie vetëm në orë të caktuar gjatë ditës, m’u kujtu fjala frëngji, për dritaren e ngushtë të kullës prej ku qitet me pushkë gjatë rrethimit. Por kështu e mendova veç unë, tue bë një krahasim që s’e përçova dot tek të tjerët.
Ndryshe ishte puna e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në një vendim të famshëm, ajo vlerësoi se nuk bën me e shti Prizrenin në karantinë, por se mund të kufizohen hyrje-daljet në komunë — ani pse Ministria kish synu me i kufizu bash hyrje-daljet kur e kish shpallë Prizrenin zonë karantinë. Kështu Ministria doli se e ka shkelë kushtetutën, shkaku i gjuhës, pa çka që kish urdhëru atë që Gjykata e qunte të lejueshme. Për këtë arsye gjyqtari Bekim Sejdiu nuk u dakordu me kolegët, dhe shkroi mendimin e vet mospajtues.
Edhe në Ministrinë e Ekonomisë kishim sfidën e fjalëve, kur nisëm me i kufizu veprimtaritë sherri i virusit. A me i shqipëru dhe si me i shqipëru termat e gastronomisë takeaway e delivery? A mjafton me thënë me vete dhe me porosi? Si me përkufizu çarshinë ose qendrën tregtare? A mjafton me i rregullu veprimtaritë ekonomike vetëm sipas kodeve që kanë në katalogun evropian NACE, pa përshkrime shtesë? Si me i dallu veprimtaritë nga objektet afariste? Si me ua shpjegu bizneseve se një aktivitet i lejuar tjetërkund nuk lejohet në qendër tregtare? Dhe si me i përkthy në masa për ekonominë udhëzimet e epidemiologëve?
Kosova ka Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kurse Shqipëria Institutin e Shëndetit Publik. Puna e tyre por dhe emërtimi që bartin ka zgju kërshërinë tonë sivjet: thuhet shëndet publik apo shëndetësi publike?
Për dallim nga gjuhë të tjera, shqipja dallon shëndetin nga shëndetësia. Fjalori i Akademisë së Tiranës përkufizon këtë të mbramen si «veprimtaria për ruajtjen e shëndetit të popullit; institucionet që punojnë për këtë veprimtari». Prirja kursimtare e gjuhës dhe ndikimi i gjuhëve të huaja mund të ndikojnë që togfjalëshin public health ose santé publique ta përkthejmë shkurt si shëndet publik. Veçse IKShP-ja e Kosovës, që ka gati një shekull histori, s’ka pse e nguc emrin e vet.
Fundja gjuha është plot larmi dhe secila fjalë ka tregimin e vet, për kohën, rrethanat e mënyrën si ka zënë vend në gjuhë. Këtë na e ilustrojnë mirëfilli testet e testimet që po na mungojnë e s’po kemi ku t’i bëjmë për sëmundjen. Nëse deri dje kemi bë analiza me mësu për shëndetin tonë, për kovid tani po testohemi. Me shumë gjasë, themi kështu sepse kështu thuhet anglisht: Analizat e gjakut janë blood tests. Testi ose testimi për kovid është gjithashtu test ose testing. Dhe testi, rëndom në shumës testet, si produkt mjekësor që porosit qeveria, quhet test kit.
Kosova sot s’i ka punët mirë, dhe menaxhimi përtokë i pandemisë s’na jep luksin me soditë gjuhën. Por pandemia po len vragë në çdo cep të jetës, përfshi fjalët e shprehjet tona. «Vërehet në sy» se po ndikon!
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/33aFzsz