Ju keni harruar të na vëreni!



Rreze Abdullahu

Shkrimtare dhe psikologe nga Dardania. Shkrun për gratë dhe shoqërinë shqiptare. Autore e librit me kujtime, «Nuk du luftë».

Diku lart qiellit një diçka hyjnore dhe e madhërishme ka vendosë që disa prej neve të jetojmë me aftësi të kufizuara.

Shpesh herë thonë se ne jemi të përkëdhelurit e Zotit. Eh, ndoshta edhe jemi…, por kjo nuk po na ndihmon asgjë.

Kjo nuk po e zbeh diskriminimin tonë të çdo ditë, kjo s’po e ndihmon aspak respektimin e të drejtave tona, që janë të drejta njerëzore, dhe të drejta si për çdo njeri.

Edhe unë jam një e re, edhe ne jemi rini, dhe çdo ditë njerëzit flasin gjëra që kurrë nuk i realizojnë. Ata thonë se ne jemi e ardhmja. Por, çfarë e ardhme mund të quhet kur nuk na jipen të drejtat elementare, ato që na garanton ligji! Apo ligji ekziston veç sa për sy e faqe?!

Ju keni harruar të pyesni se a dëshiroj të vazhdoj shkollimin, dhe sa shumë e dëshiroj! Keni harruar të pyesni se a dëshiroj vërtet të jem e pavarur ?

Ju keni harruar të pyesni se për çfarë ëndërroj më së shumti në jetë ? Si mund t’ia dal, e t’iu bëj të shikoni se këtu merr frymë një shpirt, dhe ëndërron poashtu?!

Ju keni harruar të pyesni se a më pëlqen edhe mua, si të gjithë moshatarëve të mi të shkoj festave me muzik nëpër kafenetë e ndryshme ?!

Dëshiroj tu tregoj se dëshiroj të shkollohem, kam ëndrra, dhe mërzitem kur ndahem prej shoqeve. Dhe unë vazhdimisht ndahem prej tyre, sepse problemi më i madh nisë me shkallët.

Për ata që vozisin një karrocë pak herë është menduar, edhe më pak është bërë.

Por unë, se ulë dot kokën, dhe ngre zërin për të drejtat e mia elementare — lirinë e lëvizjes e mundësinë për përfshirje.

Kokën duhet ulur ata që asnjëherë nuk bëjnë asgjë për ne, ata që udhëheqin këto gjëra, e që janë egoistë të pandreqshëm.

Blerina Murtezi