Kapitalizmi nuk përmendet kurrkund në kushtetutën amerikane. As ekonomia e tregut. Gjykata Supreme e ShBA-së i shqyrton krejt sipërfaqsisht çashtjet e rregullimit ekonomik, se Jueseji ligjnisht nuk asht shtet kapitalist. Por Gjykata i kqyr me standardin ma të rreptë, për shembull, ankesat se qeveria e ka qitë dikend prej pune. Se theksin e ven te të drejtat themelore të njeriut.
Këte po e rikujtoj nën ethet e 1 Majit, ndërsa shoqnia jonë s’po pran tue folë për meritat e dështimet e kapitalizmit dhe kujtimet e bukura të kohëve shoqnoriste. Kot debatojmë për rendin ekonomik pa i zanë në gojë të drejtat e patjetërsueshme të njeriut.
Vendet përparimtare kanë mbërri pse i kanë respektu ato të drejta. Shtetet tjera kanë dështu pse i kanë shpërfillë.
Njani sistem ekonomik mundet me qenë ma i mirë se tjetri, e posaçërisht mun u shërben ma mirë të drejtave të njeriut. Por asht çashtje ansore dhe e kotë kur shoqnisë e individëve u mungon ndërgjegjja.
Unë e çmoj tregun e lirë, se u jep hapsinë njerëzve me vyjtë. Vetë fjala biznes pak a shum ka lidhje me fjalën me vy. Me ba me iu përzi qeveria, kishe po ndihmon diçka, ajo veç i ngatrron dhe i shkurajon me punu. Njerëzit e dijnë çka kanë nevojë, edhe çohen e bajnë. Nëse bajnë ndonjiherë diçka që s’vyn, nuk e bajnë ma, se nuk ua blen kush. Tregu i rahaton këto punë.
Por tregu nuk asht krejt i lirë. Në treg mbizotojnë peshqit e mëdhaj. Këta e kanë kapë tregun. E kanë kapitalin, dhe e përdorin ate me grumbullu edhe ma shum kapital. E mbërrijnë njifarë monopoli. Bahen pak a shum si qeveria, e shpesh ma zi se qeveria, se kanë ma shum pare dhe nuk u përgjigjen qytetarëve me të drejtë vote.
Ka kompani botnore që kanë pasë zyrtarisht reparte të ryshfetit. ShBA-ja, me ligjet e forta që i ka, ua ka mbyllë këto reparte, qashtu qysh i ka pri luftës kundër korrupsionit n’organizata botnore si Fifa.
Veç kompanitë e mëdha po punojnë që qeveritë me u mvarë prej tyne. Dojnë me e kapë shtetin. Tash edhe ShBA-ja asht nën mëshirën e tyne, ndërsa bizneset mujnë me dhanë sa të dojnë pare për me financu fushata zgjedhore.
Ka ma keq: Filani e shpik nji pajisje të re, të mirë e të lirë. Njerëzve u pëlqen. Peshku i madh ndihet i rrezikuem. Ia ofron Filanit nji çmim marramendës për me ia ble patentën. Ia pagun qebesa shumfishin e vleftës që e ka. Veç me ia ble. Edhe ia blen. Edhe e shtin në fjokë. Nuk e prek ma. E zhvillon pajisjen e vjetër, ma të keqe e ma të shtrejtë.
Kështu paret tubohen në nji xhep. Populli rangon për nji kafshatë. Do marrin rroga të mira, kanë viza, shkojnë në deti në Maldive, por nuk janë të lumtun. S’mujnë me e pa shoqninë përreth tue u dergjë. Shkollat mbesin sa me thanë, e rinia shkon tue u ba ma e paknaqun e ma e zhgënjyeme. Kend e kanë pa ata që me punë e me korrektësi mundet me u mbërri në jetë?
Gjithçka bahet biznes, por jo asi që vyn ndojçka. E përmendin shpesh sesi Danielle Bregoli fiton famë anembanë mbasi përlahet me nanën e vet në nji emision në tëvë, dhe bahet milionere me 14 vjet. Perspektivën që nuk ia ka dhanë dot familja e hjekun dhe shkolla e dështueme, Danielles ia jep showbizi. Në tregun gjysmë të lirë, ate e ndjekin moshatarët e saj të vorfun e me telashe familjare e shoqnore si vetë Daniella dikur. Mediet e mëdhaja blejnë e shesin.
Dhe na i bijmë në sexhde kapitalizmit. E falënderojmë ekonominë e tregut për të gjitha të mirat materiale që i gëzojmë. E livdojmë tregun (s’i thomë aq «tregu i lirë», si me e pranu që s’asht i lirë). Besojmë se tregu na i ka prodhu smartfonat. Pa çka që shkencëtarët e qeverisë e kanë shpikë kompjuterin, që ushtria e ka kriju internetin, e që nji djalë i ri e ka ba falë kryeprogramin e mbi 80 përqind të fonave tanë. Kurse Applei i ka shkru softverat që na detyrojnë me ble produkte tjera t’Appleit, dhe nji tjetër e ka ba lojën Candy Crush.
Unë s’dij qysh ndreqet kjo punë. Me dijtë, e kisha ndreqë. Por e dij se të drejtat themelore të njeriut janë vetë themeli i nji shoqnie të shëndoshë e të lumtun. Dhe të drejtat themelore përfshijnë ndërgjegjen e lirë, mundësitë e barabarta, mundësinë e arsimit, dhe lirinë me vyjtë. Këto të drejta u takojnë pikësëpari individit, njeriut të vogël. E peshqit e mëdhaj — qofshin qeveritë, qofshin bizneset — e hajnë individin.
Andaj, para se me denu socializmin dhe me i thurë lavde kapitalizmit, ndoshta duhet me e glorifiku ndërgjegjen e njeriut. Dhe kësaj ndërgjegjeje me ia largu pengesat që ia kemi vu ndër shekuj.
Thomas Jeffersoni, kryetari i tretë i ShBA-së dhe autor i Deklaratës së Pamvarsisë, pat thanë se qytetari ma i mirë asht katundari i lirë që ka kry shkollë dhe ka tokë të veten. Ai asht mjaft i arsimuem sa me i dallu e me i shmangë dallaveret. Dhe e ka tokën e vet për me e ngi barkun. Katundarin e lirë s’e kontrollojnë sindikalistat siç bajnë me puntorët e fabrikave, s’un e çnjerëzojnë latifundistat siç i shfrytzojnë bujkrobët, as e shantazhojnë bankierët siç ua hedhin klientave, as e mashtrojnë aristokratët siç e rrejnë vetveten se janë dikushi.
Por me e jetsu amanetin e Jeffersonit, duhet me ia nisë në shkolla. Me e arsimu rininë. Me ia ndërtu ndërgjegjen e shëndoshë. Dhe kjo pastaj do t’i çmojë e mbrojë të drejtat e patjetërsueshme të njeriut. Dhe këto do të na bajnë me jetu të lumtun e me nder — në nji treg të lirë, në nji shoqni të lirë, në nji botë të lirë.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4954