Penj drite nga lëmshi i errësirës

Shikoj shumë veta në Facebook që ngulmojnë se ky s’qenka islami i vërtetë. Do të jetë çështje definicioni se ç’quajmë këtu “të vërtetë”, Muhamedi vetë luftoi e vrau njerëz për të forcuar e përhapur fenë e vet. Kjo është goxha relevante, meqë çdo musliman është i udhëzuar të ndjekë shembullin e Muhamedit, “njeriut të përsosur”.

Unë për vete s’guxoj të mendoj se e njoh islamin më mirë se Osama bin Laden, që e dinte kuranin përmendsh qysh fëmijë, apo imamët në al-Azhar të Kajros, apo udhëheqësit e lutjeve në xhaminë al Aksa në Jerusalem. Ata dallojnë në shumë aspekte, dihet kjo, dhe gjykojnë ethshëm njëri-tjetrin me fatwa të ndryshme. Por të gjithë syresh duken dakord te një pikë, se islam dtth nënshtrim i njeriut ndaj zotit, i gruas ndaj burrit, e i jomuslimanëve ndaj muslimanëve përmes xhizjes, një lloj haraçi. Dhe kjo e fundit, të kuptohemi, është një akt mëshire ndaj “popujve të librit”, kristianëve e hebrenjve, se hinduistët, taoistët, a ateistët si unë, as mos të lodhen.

Ekziston një mori jetëshkrimesh hadithe për Muhamedi ku ky përshkruhet si fisnik e zemërgjerë e mbrojtës i të pambrojturve. Por ka edhe plot syresh ku ai përdor dhunë e kërcënime kundër poetëve e satirikëve të kohës së vet që guxonin ta kritikojnë atë personalisht dhe sistemin e tij të besimit. Xhihadistët i motivojnë krimet e veta duke u thirrur te këto të fundit. Por një analizë kritike e kuranit, apo e jetës dhe ideve të Muhamedit, thënë më së buti, nuk është diçka që trimërohet në islam. Këtu islami u ngjan të gjitha feve tjera, vetëkritika nuk është direkt ana e fortë e religjioneve.

Prandaj nuk është çudi pse fundamentalistët janë aq ekstremë, kur fundamenti përbëhet nga një miks aq eksploziv i ideve e tabuve.

Shyqyr njerëzit e kanë zhvilluar falë psikologjisë evolucionare një busullë të brendshme morale, e cila na pajis me empati e na frenon nga mizoritë. Nëna ime është muslimane, por as mizën s’e vret. Gjatë jetës sime kam takuar plot njerëz që thonë se kanë bindje të forta fetare, të cilat i kanë shfrytëzuar ato si frymëzim për qëndrim etik, e për t’u ndihmuar bashkënjerëzve të vet. Unë s’do të isha sot gjallë pa ndihmën e tyre.

Si humanist që i gjen shpjegimet e veta te njeriut, unë për vete konsideroj se kjo është një dëshmi e shkëlqyer per natyrën beninje të njeriut. Ne thjesht kemi një aftësi të pashoq për të kthyer në gjëra pozitive e jetëmbajtëse gjithçka, përfshirë lliqet fetare. Si kam thënë në një prej poezive të mia, të tjerrim penj drite nga lëmshi i errësirës.

‪#‎jesuischarlie‬

Nga Shqiptar Oseku

U lind në Gjakovë, ku e kreu të mesmen. U arratis si 18-vjeç në Suedi. Studioi shkencat sociale në Universitetin e Stockholmit. Punon si terapist në kryeqytetin suedez dhe shkruan poezi e komente shoqërore e politike.