Edhe diçka tjetër bezdisëse për Parisin, për krizën shumë-orëshe që kaloi qyteti. Të dedikohet pikërisht ty që çështjen e Parisit e sheh si të ekzagjëruar, të mbivlerësuar nga ne, disa qytetarë të këtij vendi.
Facebook na ka krijuar shumë mundësi për të njohur njëri-tjetrin. Shoh se je shqetësuar pse unë dhe ca të tjerë po merremi me Parisin e jo me problemet e brendshme që kemi në Kosovë. Nuk do shqetësohesha, por domosdo do e konsideroja komentin tënd sikur ti, i dashur mik, të kishe një standard, të ishe i sinqertë me veten dhe me mua. Nuk e di pse të shqetëson postimi im për Parisin e jo këngët, fotografitë e komentet tjera që postoj unë në Facebook? Pse duhet të ma kujtosh se Kosova ka probleme shumë më të mëdha dhe që duhet të brengosemi më shumë për to? Çfarë ndodhi me postimet tua për jetën e lumtur që ke, për klubet e futbollit, për pasarelat e modës, për luftën në Siri? Si është e mundur që nuk merr forcën të na i përkujtosh problemet kur ne shfaqim qindra postime për lojë futbolli? Apo ndoshta, kur flitet për klube futbolli problemet e Kosovës shuhen?
Unë jam thjeshtë njeri që shqetësohet kur një qytet i lirë sulmohet nga terrorristë dhe kur e di që ti mendon se ky sulm na qenka i provokuar dhe ia mveshë arsyetimin terrorit. Unë shqetësohem sepse ata të cilëve druaj se ti u jep të drejtë, sado që nuk guxon ta thuash, kanë vrarë lirinë, tolerancën, respektin. Kanë ngacmuar vrerin e urrejtjes. Shqetësohem sepse bota e lire gjithnjë e më shumë po bëhet vend i pasigurt për të jetuar. Shqetësohem edhe për mosshqetësimin tënd!
Përpara se të më paragjykosh për brengën time, merr pak kohë e kthehu disa vite pas, atëherë kur nuk ishe i sigurt si sot. Kur ndjeheshe në ankth se do të të përpinin plumbat. Kujtoj që do të të bëhej qejfi po të kuptoje se ka njerëz të thjeshtë në Francë që përkrahin lirinë tënde. Po more hiç më larg, ty sot të bëhet qejfi kur disa tifoz të huaj e përmendin Kosovën në stadione e fusha sporti në botë. Nëse Franca diti të të ndihmonte në kohën kur ti kërkoje lirinë, pse s’mundesh ti të paktën të durosh e ta përmbash ironinë për disa miq në Facebook që dënojnë terrorin e Parisit?
#jesuischarlie nuk është thjeshtë përkrahje për revistën, nuk është thjeshtë Parisi. Është më shumë se kaq. Personalisht nuk kam dëgjuar asnjëherë për revistën, nuk kam takuar asnjërin. Ata s’janë më, e unë personalisht nuk do ua ndjejë mungesën. Por, shqetësimi im shkon përtej brengës për individin. Është thjeshtë shqetësimi për lirinë.
I dashur, Facebooku ka krijuar shumë mundësi, dhe jo vetëm për të të njohur ty më mirë. Me Facebook janë bërë edhe revolucione. Prandaj #jesuischarlie! Sepse ti duhet të vetëdijësohesh, duhet te çmosh mikun, duhet të luftosh për fjalën e lirë e të tejkalosh standardet e dhjetëfishta që ia ke krijuar vetes. Sepse shqetësimi im për Parisin është njësoj si shqetësimi yt për Sirinë, futbollin, modën.
Sepse ti duhet të mësosh të mos pengohesh nga shfaqja e shqetësimit tim.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=467