Taksirati ynë

Unë fola para tri orëve. S’vonoi shum edhe kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e tha të njejtën gja: PDK-ja mund ta paraqesë për kryekuvendar cilindo prej 120 deputetëve. Nuk asht e thanun që veç antari i asaj partie të zgjedhet në krye t’organit ligjvenës.

E tani po e thom edhe njiherë se taksirati ynë asht që këto çashtje politike ia lamë në dorë gjykatës. Siç na e kujtoi edhe bashkëhartuesi i kushtetutës, gjykatësi amerikan John Tunheim, “gjykata e ka dhanë mendimin e sajt’arsyetuem” dhe “asht vështirë me thanë se gjykata e ka gabim.”

Tash, “i arsyetuem” s’domethanë domosdo i arsyeshëm. Por simbas kushtetutës, Gjykata Kushtetuese asht organi i fundit që vendos për kët çashtje. Dhe vendimi – meqë domosdo asht politik – zor s’e bjen gjykatën me folë njizani. Prandej i botojnë edhe mendimet e gjyqtarëve mospajtues, që mund të kenë pasë qasje ma të drejtë. Vetë gjyqtari Tunheim anonte nga mendimi mospajtues në rastet kyçe të kësaj vere.

Mirëpo thelbi i gjykimit të çashtjeve të ndërlikueme asht i tillë: njani gjyqtar mendon kështu, tjetri ndryshe. Dhe dikund duhet me pre. Andaj s’ban me u hatrue dhe me i ngjye me faj asnjanin, aq ma tepër kur për mendimet e shprehuna e vendimet që marrin gjyqtarët gëzojnë shlirim prej vetë kushtetutës. Kushtetuta në kët pikë ndjek parimet e drejta që janë dëshmue si të tilla nëpër shum vende të botës. Por në tansi, ligji ma i naltë i Dardanisë asht i shkruem keq, me shum të meta e të liga që duhet të marrin fund, njiherë e mirë.

Nji prej këtyne ligsive po e përjetojmë qysh sod. Në vend se gjykata me qenë oazë e drejtësisë, ajo bahet mejdan për qërim hesapesh të politikanëve. Pse? Sepse kushtetuta vetë ia ngarkon kët punë gjykatës. Kurse politikanët e gjymtë – zgjedhjen e të cilëve e ka mundësue po kjo kushtetutë – nuk kanë kaçik me krye punën e vet dhe për këte e pyesin gjykatën.

Por edhe kur flet gjykata, dhe flet goxha në të mirë të tyne, politikanët e ligë e dredhin e pështjellin sërish. Kësaj radhe, nji kryesuese e rastësishme e Kuvendit e mban peng formimin e ngrehimeve të shtetit. Kurse kryetarja e republikës nuk jep garanci se do të veprojë simbas kushtetutës dhe mendimit këshillues të gjykatës që ajo vetë e ka kërkue.

Mund të mos jetë i vërtetuem, por nji lajm i fundit thotë se blloku Vlan ka shqyrtue mundësinë me heqë dorë prej postit të kryekuvendarit. Si kusht, blloktarët i kanë kërkue Kryetares Jahjaga besën se do ta mandatojë kandidatin e Vlanit për kryeministër mbasi PDK-ja ta shtjerrë mundësinë me ba vetë qeverinë herën e parë. Por kreu i shtetit, edhe pse asht e detyrueme me kushtetutë me veprue kështu, ka ngurrue me dhanë ndonji fjalë.

Qe taksirati ynë. Nji kryetare që duhet përfaqsuese e njishmënisë së popullit, por – tue ia mbajtë anën nji partie e tue ua gjuejtë fajin gjyqtarëve – e merr vendin në qafë.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.