Ç’është analfabetizmi funksional? Qe ç’thotë Wikipedia në anglisht:
Analfabetizëm funksional janë aftësi shkrimi e leximi që nuk mjaftojnë “me ia dalë mbanë në përditshmëri dhe nëpër detyra punësimesh që lypin aftësi leximi përtej nivelit themelor. Analfabetizmi funksional kontrastohet me analfabetizmin në kuptimin e ngushtë, që do me thënë me të qenët i paaftë me lexu a shkrujtë fjali të thjeshta në çfarëdo gjuhe”.
Për më tej Wikipedia pohon se:
Analfabetizimi funksional nuk ka përkufizim përfundimtar dhe kriteret ndryshojnë nga shteti në shtet, madje nga studimi në studim. Megjithatë, mund të bëhet nji dallim sqarues ndërmjet analfabetizmit të plotë dhe analfabetizmit funksional.Personat krejtësisht analfabetë nuk munden me lexu a shkrujtë fare, për kurrfarë qëllimesh praktike. Ndryshe nga këta, personat funksionalisht analfabetë mund të lexojnë e deri diku madje të shkrujnë fjali të thjeshta me fjalor të kufizuar, por nuk mund të lexojnë a shkrujnë aq sa të munden me ia dalë mbanë me kërkesat e jetës së përditshme në shoqërinë e vet.
Shembulli që na jepet thotë se:
nji person analfabet mund të mos i kuptojë fjalët macë a qen kur këto i has të shkruara, mund të mos i njohë germat e alfabetit dhe mund të mos dijë as me e shkrujtë emrin e vet. Ndryshe prej tij, personi funksionalisht analfabet mund t’i kuptojë fare lehtë këto fjalë e të tjera, por të mos jetë i zot me lexu e kuptu shpallje pune, fatura që duhen pagu, artikuj gazetash, shkresa bankare, shenja komplekse e posterë, e kështu me radhë.
Të pajisur me këto përkufizime e sqarime do e shqyrtojmë “ndryshimin e standardit”. Na ofrohen të dhënat që alarmuan shqiptarët vjet: “57% e 15-vjeçarëve shqiptarë janë analfabetë funksionalë (raport i Bankës Botërore, 2013)”. Ç’kuptim ka kjo? Brezat plus minus 5-6 vjeç nga kjo moshë nuk janë fort larg kësaj përqindje(-je). Sepse 15 vjeçarët janë veç nji pikë në atë lakoren e grupmoshave në diagramin e analfabetizmit funksional, prandaj ‘rreziku’ vjen jo veç nga fakti se kjo pikë kap amplitudë të naltë, (më shum se 1 në 2 tek 15-vjeçarët e vjetshëm) por pikëpyetja më e madhe është: shënon majën e lakores apo do presim ngritje të reja të saj?
Kjo në anën tjetër ka kuptimin se kur kjo grupmoshë të jetë vënë nëpër poste vendimmarrëse e drejtuese, administrative, gazetareske, juridike e arsimore të vendit, ajo do të detyrohet të udhëheqë shtet e administratë, arsim e media, pra gjuhë publike e standarte. Dhe kuptohet, ‘standarde’ a ‘standarte’ janë nji ilustrim i asaj se si 15-vjeçari mbas 20 vjetëve do të jetë diku në nji zyrë duke shkrujtë pavëmendshëm njërën e/o tjetrën trajtë të fjalës, nji realitet sociolinguistik ky i venerueshëm edhe në gjuhën që po shkruhet e lexohet qysh sot.
Sot gjuha që shkruhet e lexohet nuk është vetëm standardi. Madje edhe kur është“standarte” për nga pretendimet gjuha që na servohet, nuk është fort edhe për nga gatimi. Ç’kuptim tjetër ka krejt kjo? Edhe standartdi vetiu do ndryshojë, sepse nëse 57 në 100% janë analfabetë funsionalë, tek 43%-shi i mbetur zor se do të ketë fort autoritete kompetente që me ua hekurosë a orientu gjuhësisht prirjet krahut të 57%-shit. Kjo gjeneratë do sjellë në gjuhën e ndërkomunikimit të saj elemente që tipizojnë modën e saj të komunikimit, e që sipas përkufizimit në Wikipedia del se është kod i thjeshtuar komunikimi, përderisa vetëm i “nivelit themelor”.
As krahu i 43%-shit, që për vete nuk bie nën vijën e kuqe të analfabetizmit funksional, nuk është krejt ‘elitist’. Edhe ky ka spektrin e vet: në nji anë, përqindjet minimale që mezi e kalojnë vijën e kuqe. Mbasi analfabetizmi funksional nuk mund të përkufizohet krejt njejtë as prej studimi në studim, vija e kuqe do të lëvizë varësisht nga metodat, parametrat, përmasat, saktësitë gjatë planifikimeve të matjeve dhe nga po të njëjtat gjatë analizimit e studimit të gjetjeve. Prandaj do të jetë në fillim nji përqindje e mjaftueshme shqipfolësish e shkruesish, që ndonëse jo krejt analfabetë funksionalë, njaty afër dikund po. Në skajin më ‘elitar’ të spektrit nuk do ketë më shum shkrues/lexues të zhdërvjelltë të shqipes, kjo edhe për shkakun se qysh sot shtresat më të pasura të shoqërisë priren me i çu fëmijët në shkollim në gjuhë të huaja, anglisht kryesëpari, mundësisht që nga fillorja. E pakta, për studime, master, doktoraturë. Dhe nuk ka me ditë me shkrujtë farë shqipe të hajrit as pjesa e popullatës që di me hartu studime doktorature, magjistrature, e të paktën ka nji formim teorik e praktik në nji fushë të studimeve, qoftë edhe veç në nivelin Bachelor, sa me ditë me u shërby kënaqshëm me kërkesat e shkrim-leximit.
Të gjithë këta ish-studentë do të kenë aftësi për t’i shprehë konceptet e fushave përkatëse në gjuhën e tyre të studimeve, por jo në shqipe. Dhe do synojnë poste ku nuk detyrohen të shkrujnë shum në shqip. Shqipja si gjuhë shumice katandiset në njohuritë që ekzistojnë mes analfabetëve funksionalë, nji dëshmi kjo se përfaqja e brendshme “gjuhë” (langue) nuk mundet me ekzistu e pavarur nga e jashtmja “e folura” (parole). Gjuha është abstraksioni i përbrendësuar i të folurit. E shumta nji shtresë e mesme dhe e mesme e naltë do të komunikojnë me shqipen e shkruar/lexuar, meqë gazetarë që të shkrujnë lajme, juristë që të hartojnë ligje, nëpunës që do hartojnë raporte për qeverinë nuk pritet të punësohen nga përqindja e 15-vjeçarëve të vjetshëm që dalin analfabetë funksionalë (57%).
Me rritjen e analfabetizmit funksional nuk vdes nevoja për komunikim; ajo që ndodh nuk është ‘vdekje’ por shpërndërrim i kodit të komunikimit, nji kalim i tij në shumsi nënkodesh që sado të ngjashme, janë të ndryshme. Bash si kalimi prej latinishtes në nji shumsi bijash të saj sot. Në rastin e breznisë funksionalisht analfabete, pra që nuk din me u shërby me gjuhën e shkrim/leximit në nivel të kënaqshëm, përdegëzimi i kodit “standard” do të japë, qysh po jep, nji shumsi nënkodesh të thjeshtuara, e bash si bijat e latinishtes, edhe këto të ngjashme po të ndryshme. Varet së pari nëse shqipja do funksionojë në disa shtete shqiptare të drejtuara prej breznish me mbi 50% analfabetë funksionalë (pra, më se 1 në 2), shërbyesish civilë, gazetarësh, mësimdhënësish, ligjvënësish, e që ndër pritshmëritë e përshkrimet e punëve do ta kenë nevojën me komuniku nëpërmjet nji a tjetër përballje(-je) me gjuhën e shkruar/lexuar. Analfabetët funksionalë që futen në poste me kërkesa të tilla, do të jenë tek profesionet më së ulti të pagueshme, pra media lokale para se qendrore, shkolla publike para se private, administrata komunash para se dikastere qendrore e kështu me radhë.
“Kod i thjeshtuar komunikimi” po ashtu nënkupton vdekjen e ngadaltë të do fushave të interesit, që kërkojnë “aftësi leximi përtej nivelit themelor”, sepse tekstet fort librare jo veç që nuk do të dijë me i lexu kush nga analfabetët funksionalë, po pakkush do të dijë edhe t’i shkrujë, në shqip nemose. Pakkush edhe do synojë t’i shkrujë. Tekstet, si gjithçka, kërkojnë treg qarkullimi.
Por kjo s’do me thënë vdekje e komunikimit, por thjeshtim i kodit në shum nënkode pasardhëse. Analfabetizmin funksional mund ta kalojmë nga nevoja për me i kuptu e riporodhu kuptimisht tekstet e shkruara në nevojën tjetër, që pasqyron të parën: me i hartu tekstet vetë. Kështu shohim anën tjetër të medaljes. Në ekstrem, kjo i bie mi ra trup e me shkru teton qshtu qysh dim, pa kurrfarë korrigjimi a orientimi veç intuitës sonë, sepse rregullat keq na i kanë mësu, edhe më keq i kemi nxënë, e të vënë para detyrës me i shkrujtë vetë, do t’i japim njashtu si na vjen ma fort për mbarë. Kodet e thjeshtuara, e të thjeshtueshme më tej, nuk do ndjekin kurrfarë rregullash veç nevojës themelore me e përçu mesazhin. Por, ceshte e thjesht x mu sesht x ty, dhe anasjelltas.
Wikipedia po ashtu na tregon se studimi ‘Shkrim-leximi në punë’ i Northeast Institute i vitit 2001 “ka gjetë se humbjet e bizneseve që u faturohen mangësive në aftësi themelore kapin miliarda dollarë në vit për shkak të produktivitetit t’ultë, gabimeve e aksidenteve që i ngarkohen analfabetizmit funksional”.
“Gabimet” e “aksidentet” janë njilloj me zhurmën në komunikim; pengojnë përçimin e të dhënave, sepse nuk arrijnë në destinacion. E nëse humbjet nga analfabetizmi funksional i vujkan bizneset, qysh thotë studimi, bizneset do synojnë me i rregullu që të mos humbin shum prej tyre.
Në komunikim, rëndësia bazë është me përçu mesazhin me sa më pak zhurmë komunikimi. Zhurmë në komunikim është pjesa e mesazhit, kuptimi i të cilës nuk na vjen, o pse nuk e kemi pranu mirë, o se pranu e kemi, por nuk e njohim “shenjuesin”, ndaj nuk dimë ta zbërthejmë kuptimisht “të shenjuarin” e tij.
Prandaj thirrjet e tipit “si guxoni ta mendoni se u dashka prekë standardi?” tingëllojnë për vete shpërfillëse kundrejt lakores në rritje të trendit të analfabetizmit funksional. Wikipedia jep se në dekadën 1994-2003, e matur ndërmjet 16-64 vjeçarëve të Italisë, përqindja e njerëzve “me mangësi të aftësive për shkrim-lexim funksional” kap shifrën 47, në Meksikë për këta parametra matës 43.2, e madje edhe në Britani përqindja shkon deri në 21 (mbi 1 në 5 vetë). Këto të dhëna pak a shum dëftojnë edhe ç’masa e mekanizma mbrojtës do të munden me ngritë shtetet që shërbehen me shqipen si gjuhë zyre e shkolle. E pakta që realisht mundemi me e bë me shqipen është me e afru me shqipfolësit dhe me e thjeshtu ortografie e rregullash, në mënyrë që të mos ngarkojnë edhe këto përmbi nevojat për komunikim të brezave pasardhës.
(Ky shkrim u botua për herë
të parë në blogun vetjak të autorit më 13 maj 2014.)
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1kXKUtJ