Prestigji si parakusht e si pikësynim
Çdo shoqni vjen e shtresëzueme në hierarki. Gjuha, mjeti themelor i komunikimit shoqnor, vjen vetë e shtresëzueme krahas. Shtresëzimi shoqnor dhe shtresëzimi gjuhësor janë nji dhe e njejta gja, sepse kategorizimet sociale, raportet mes shtresave, paragjykimet, fërkimet, parapëlqimet, favorizimet, të gjitha dalin në pah nëpërmjet gjuhës. Pozicionimi, avancimi ose zhvleftësimi i nji varianti gjuhësor asht i lidhun drejtpërdrejt me pozicionimin dhe lëvizjet mbrenda hierarkisë sociale të vetë përdoruesve t’atij varianti. Nji variant gëzon prestigj mbrenda shoqnisë ku përdoret, kur përdoruesit e tij gëzojnë prestigj mbrenda asaj shoqnie. Varianti dominant imponon mbi variantet e dominueme.
Kjo, mbase shum ma lehtë sesa ndërmjet folësve të të njejtës gjuhë, vërehet në bashkësi etnikisht të përzieme, ku ndeshen e bashkëjetojnë disa gjuhë. Në Maqedoni, fjala vjen, ku shqipja bashkëjeton me maqedonishten, gjuhë komunikimi nëpër grupe etnikisht të përzieme asht përherë maqedonishtja, gja që e shpërfaq statusin ma të privilegjuem social të maqedonëve në këtë shtet. Maqedonët zene se kurrë nuk marrin mundin ta përvetësojnë shqipen, shqiptarët pothuejse papërjashtimisht e zotnojnë maqedonishten. E kështu, jo veç maqedonët, por edhe gjuha e tyne, gëzojnë status të privilegjuem. Prandaj reklamat në qendër të Shkupit i gjejmë veç në maqedonisht, ani që ato i shohin edhe shqiptarët shkupjanë. Shqipja vernakulare në Maqedoni merr nga maqedonishtja.
E njejta vlen edhe me variantet e ndryshme të të njejtës gjuhë. Prestigjit që i mveshet nji varianti nga njani krah, automatikisht i kundërvihet paragjykimi për variantet e tjera. Kjo prandaj ban që raporti mes varianteve rajonale të mos jetë ma veç raport horizontal mes dialektesh të ndryshme gjeografike, por të jetë edhe raport vertikal, mes sociolektesh,variantesh sociale të gjuhës. Me fjalë tjera, tetovarçja e bartun në Prishtinë nuk shihet ma si variant i ndryshëm veç gjeografikisht, a si dialekt tjetër, por edhe hierarkikisht, si sociolekt ma i ulët. E njejta ndodh p.sh. edhe me tropojançen, të vendosun në Tiranë. Në kushtet e sotme, kur kryeqendrat po tërheqin banorë prej visesh ma të ndryshme, dialektet janë sociolekte, ndonëse ma e drejtë asht me thanë se ato kështu kanë [me] qenë gjithmonë, sa kohë gjuha asht vetë mjeti i ndërkomunikimit shoqnor.
Ky raport hierarkik vijon kështu deri në nivelet mikrolinguistike, pra të vetë njisive gjuhësore. Sa për ilustrim, aoristi me trajtë bëra i foljes me ba gëzon prestigj kundrejt trajtave bana, bona, e bera, të cilat përdoruesi i trajtës bëra mund t’i shohë, po deshti, edhe me paragjykim. Kjo varet edhe nga bindjet që përdoruesi ka për shtesën sociale ku përket ose të cilës mëton t’i përkasë, për mirëkuptimet ose paragjykimet që ka ndaj të ndryshmes shoqnisht e gjuhësisht. Kjo sepse e ndryshmja gjuhësisht lehtësisht etiketohet si e ndryshme në rangun social, nëse identifikohet me nji shtresë ma të ulët/naltë.
Në nivel variantesh fonologjike, vetë rotacizmi, kalimi i tingullit n në r ndërmjet zanoreve (syni ~ syri) mveshet me prestigj, meqë asht tipar i ngritun në shkallë të shqipes standarde. E mbasi udhëzohemi të thomë e të shkruejmë syri, vera, tyre… automatikisht i kemi mveshë kësodore me paragjykim variantet e parotacizueme të secilës prej këtyne fjalëve (syni, vena, tyne). Kjo asht edhe vetë arsyeja pse në përpjekjet për ta ndjekë standardin ndër folësit e dialektit verior (i cili nuk rotacizon), hasim edhe trajta të stërkorrigjueme (hiperkorrekte) sipër ta zërë (për zënë), është vërë (për vënë) e tjera si këto. Stërkorrigjimet vijnë nga njohja e përdoruesve se rotacizmi asht njisi e privilegjueme, dhe gjenerohen nga besimi i përgjithshëm mbrenda arealit verior të shqipes se meqë rotacizmi vepron mbi hundoren nndërmjet zanoreve, ai duhet me u shtri edhe në rastet e masipërme, mbasi ato ia krijojnë kontekstin e nevojshëm fonetik. Pra, përdoruesit veprojnë me analogji, në mungesë të kontaktit të drejtpërdrejtë me folësit e variantit jugor të shqipes, meqë standardi, në çështjen e njisisë në fjalë, modelohet sipas tij.
* * *
Nocionet e prestigjit dhe paragjykimit janë thelbsore për me i kuptue ma drejt mundsitë për çfarëdo reformimi të standardit që do t’ishte ma dashamirës ndaj elementeve tipizuese të gegnishtes. Vetë përpjekjet për me e ngritë gegnishten në nji nivel shoqnisht ma prestigjoz mundemi me i pa nga dy kandvështrime të ndërlidhuna e të ndërvaruna:
- gjuhësor: si tendencë për t’i paraqitë variantit ma prestigjoz njisi gjuhësore që e tipizojnë variantin verior të shqipes
- shoqnor: si tendencë e folësve të variantit verior për ta avancue prestigjin social vetjak.
Këto të dyja janë të ndërlidhuna si mish e thue dhe janë bash si dy fytyrat e nji monedhe. E këto përpjekje për gegnishten janë në thelb jo aq për nji variant “përfundimtar” të saj, sa rrjedhin prej faktit të thjeshtë se kurrkush nuk don me qenë i nënrendituni i kulturës së vet. Kjo ma tej prej nji të vërtete edhe ma themelore: kurrkush nuk don me qenë i nënshtruem. Janë në thelbin e vet përpjekje për avancim, dhe këto përpjekje, sa kohë vepron edhe interesi tjetër në shoqni, ai i avancimit të tosknishtes, s’kemi pse tutemi se po ia dalin me sosë në ‘hegjemoni’.
* * *
Mbasi avancimi i cilësdo njisie gjuhësore, shprehie a varianti gjuhësor varet nga prestigji që kjo arrin me e krijue në shoqni, atëherë avancimi i elementeve tipizuese të gegnishtes në njisi të shqipes standarde ma së lehti kuptohet po e pamë se si mund të mveshen konkretisht me prestigj këto njisi gjuhësore. Kuptohet, të mveshunit me prestigj i njisive gjuhësore – dhe i trajtave të tyne – ngërthen elemente gjuhësore dhe jashtëgjuhësore.
Kryemjeti jashtëgjuhësor asht vetë zotsia e nji grupi interesi për t’i ba ma gjanësisht të pëlqyeshme njisitë gjuhësore të përdoruna prej tij. Kjo varet nga pushteti që zotnon ky grupi interesi, politik e/o kulturor, aftësia për t’i diktue ‘modat’ e orientimit mbrenda nji shoqnie. Mënyra tjetër jashtëgjuhësore asht me e shprehë shqetësimin mbi ndjenjën e pabarazisë sociale që shkakton pabarazia gjuhësore, çka, si fillim, në mos tjetër, do të krijojë tolerancë të shtueme për të ndryshmen gjuhësisht, me çka njisitë “gege” vetvetiu, sado gradualisht, nisin të bahen ma konkurruese.
Ekonomizimi si kahe drejt pajtimit gjuhësor
Kur trajtat “gege” të njisive të bahen ma konkurruese shoqnisht, atëherë tiparet mbrendagjuhësore të trajtës bahen përcaktuese. Rrymat vepruese mbi njisitë gjuhësore janë dy të përkundërta. Njana synon me e pru lehtësimin e përdorimit të njisisë nëpërmjetekonomizimit, i cili sjell risim të saj. Tjetra, dallueshmënia, e gjen rahatinë e përdorimit tek shprehia ekzistuese e përdorimit të njisive. Ekonomizimin dhe dallueshmëninë do t’ish e udhës me i kuptue si termakrejttë gjanë e që do të duheshin perceptue si dy forca që tërheqin në kahe të kundërta; këto janë dy ligjet themelore të zhvillimit gjuhësor dhe hasen në çdo gjuhë.
Tue u ndalë ma ilustrativisht te ekonomizimi, përshëndetja ‘tungatjeta’ e shkurtueme në ‘tung’, ‘natën e mirë’ e shkrutueme në ‘natën!’, ose edhe ‘kalofsh mirë!’ në ‘kalo mirë!’ s’janë veçse do shembuj që dëshmojnë se si, me reduktimin e njisive gjuhësore, përdoruesit komunikojnë të njejtat sasi njisish kuptimore/ndijore. Pra, për saktësim të matejmë, mjafton fakti që me shqiptimin e ‘natën!’ folësi përçon tek ndigjuesi përzemërsinë e përshëndetjes së fundit të ditës, sa kohë fjala e shqiptueme kuptohet dhe pranohet kësodore prej të dyve.
Ekonomizim mund të jetë edhe analogjia, procesi nëpërmjet të cilit trajtat e fjalëve që perceptohen si të shmanguna prej rregullsish, riformësohen sipas trajtash ma të shpeshta e të qeverisuna prej rregullash që mbasi përsëriten shpesh, edhe njihen ma mirë. Lehtësitë e të kaluemit prej nji trajte të parregullt në nji të rregullt janë të shumta. Shkurt e shqip, ekonomizimi asht thjesht emën tjetër për dembelinë, zvogëlimin e çdo mundi a përpjekjeje gjuhësore.
Nji ekonomizim i randësishëm i gegnishtes asht njai që ky dialekt ia ban pjesores (pritun~pritë). Ky zhvillim tipizues për gegnishten mund të bahet pjesë e shqipes standarde. Përfitimi i drejtpërdrejtë mbrendagjuhësor i këtij ekonomizimi asht se pjesorja, kësisoj e shkurtueme, ia hap rrugën paskajores së aqshumpërfolun, mbasi aty ku ka pritë, kam pritë,duke pritë, pa pritë, e formime tjera me këtë pjesore, do të ketë natyrshëm edhe me pritë. Paskajorja mandej sjell dobi strukturale e stilistike. Në rrafshin semantik, bjen me vete mundsinë e të shprehunit abstrakt, të ndryshëm nga ai i lidhores kuptimisht ambige, me çka strukturat me lidhore do të liroheshin gradualisht nga funksioni abstraktues, madje për gjithë folësit e shqipes. Prirjet e mëdha drejt ekonomizimit të pjesores i hetojmë në të dyja kryeqendrat, Prishtinë po e po, madje edhe në gjuhën publike të saj gjithnji e ma dendun, por edhe në Tiranë dukshëm të shtueme kundrejt dekadave paraprake, përfshi këtu gjuhën publike të saj, e kjo për shkak se asht shtue ndjeshëm numri i përdoruesve të pjesores së shkurtueme në jetën publike në raport me periudhën socialiste.
Njisitë gjuhësore që përhapen e hyjnë në kryerrymën e kryeqendrave, meqë kapin prestigjin e majës
së shoqnisë, me lehtësi përhapen nëpër periferitë kulturore të saj. Prandaj, në rrafshin shoqnogjuhësor të gjuhës, pjesorja e shkurtueme hap mundsi të reja për sheshime dallimesh gjuhësore/sociale mes folësve të skajshmënive. Sheshimet e dallimeve gjuhësore janë sheshime diferencimesh sociale. Kjo për arsye se humbet nji element i randësishëm dallues. Janë dallimet ato mbi të cilat zanë fill pabarazitë.
Përfitimi tjetër asht, kuptohet, vetë ekonomizimi: në rrokjen e fundit të pjesoreve të plota nuk ka gja gramatikisht (strukturalisht) ose kuptimisht (semantikisht) të randësishme a të domosdoshme, që ta bajë atë të domosdoshme. Khs:
- 1a. Të kam pritur, por s’ke ardhur.
- 1b. Të kam pritë, po s’ke ardhë.
Të dyja fjalitë e masipërme japin të njejtën informatë gramatikore (koha e kryeme) dhe kuptimore (mosardhjen e Y përkundrejt pritjes së X). Fakti asht se toskënishtja (dhe standardi, që në këtë pikë modelohet sipas saj), e komunikojnë këtu të njejtën cilësi gramatikore e semantike me ma shum sasi materiali gjuhësor. Ekonomizimi i tillë do të dëshmohet si praktikë gjithnji ma e dendun në epokën e e-komunikimit përherë e ma dinamik.
Porse, forca e përkundërt me ekonomizimin, dallueshmënia (prirja për ta ruejtë tiparin dallues) asht ajo që do ta frenojë, ndër folës e situata, shkurtimin e pjesores. Kuptohet, kjo vjen prej vetë insistimit të përdoruesve të pjesoreve të gjata për të mos i shkurtue ato. Prandaj, rrokja e fundit, ndonëse gramatikisht e kuptimisht e panevojshme, vazhdon të ngulmojë. Prestigji që ajo gëzon (përfshi të gjitha variantet e veta: prit–ur, fillu–ar, shërby–er,ble–rë) iangalëson bjerrjen. E vetmja mënyrë përshpejtimi asht me mjete jashtagjuhësore. Nga njana anë, propaguesit e pjesores së shkurtueme munden me e etiketue rrokjen si parazitare, e me e promovue si trajtë prestigjoze pjesoren e shkurtueme nga tjetra, sipas dikotomisë prestigj/paragjykim. Kjo gja nis e krijon ndjesinë e përhapun sociale se rrokja asht disi “e kotë”. Mundsia tjetër – ndryshe nga e para moralisht e drejtë – asht me dhanë sqarime të hollësishme e të sinqerta se pse shkurtimi i pjesores ndihmon në sheshimin e dallimeve gjuhësore e sociale, dhe si kjo mandej e shton kohezionin shoqnor.
Megjithatë, ndryshe prej disa zaneve që ngulmojnë ma fort për nevojën e ringjalljes së gegnishtes në trajtën letrare të saj të dikurshme, prirjet mbizotnuese synojnë që pjesoret me –ue (fillue), –ye (kthye) dhe –ie (përzie) t’i ekonomizojnë deri në fund, tue dhanë variantet sot larg ma të përhapuna të pjesoreve me –u (fillu), –y (kthy) dhe –i (përzi), në të shqiptuemit e të shkruemit e të gjithë asaj që përmbledhtazi perceptohet si ‘gegnisht’. Kjo për arsye të dyfishta:
- a. gjuhësore – trajtat ma të shkurta janë t’ekonomizueme deri në fund; dhe
- b. jashtëgjuhësore – asht e madhe damka shoqnore ndaj trajtave –ue, –ye e –ie, sidomos kur të shqiptueme në fund të pjesoreve: fillue, kthye, përzie.
E damka ndaj përdorimit asht edhe damkë ndaj përdoruesit, kambëngulëse te këto njisi deri aty sa asht tepër e vështirë me e zhdukë. Vërtet, sikur ta kërkonim nji “mesatare matematikore”, pra njifarë të ndërmjetme asnjanëse ndërmjet trajtave filluar dhe fillu të pjesores, mesi do të na dilte fillua, dhe këtë trajtë të pjesores (me fillua, kam fillua) menjimend e ndiejmë n’arealin që kap shqipen e Mbishkodrës, të Malit të Zi e të Rugovës. Por kjo ‘mesatare’ (fillua) nuk asht variant që përdoret nga qendrat me ndikim kulturor, pra në zonat urbane (me në krye Tiranën) dhe e ka krejt të vështirë me u ba trajtë e pëlqyeme a e përhapun në to. E ka, pra, të vështirë ngjitjen në piramidën e hierarkisë sociale. Ndryshe prej saj, trajta fillu përdoret dendun si në Tiranë, ashtu dhe të gjitha qendrat e randësishme përreth dhe, kuptohet, në veri të saj.
Përmbledhje e përmshelje
Në debatin rreth standardit e gegnishtes dimë se ende nuk ka asnji lëvizje për t’ia afrue të parin të dytës. E ashtuquejtuna “gegnishte” sot asht ma parë çashtje shoqnore e krijueme prej pakënaqësisë që shkaktoi zgjidhja politike për ta bazue standardin gjuhësor aq randshëm veç mbi shtyllën jugore të shqipes. Ky vendim krijoi pabarazi shoqnore, ose mbase edhe u nis prej saj. E randësishmja sot për të ashtuquejtunën çashtje “gegnishte” asht pakënaqësia nga fakti se ky raport pabarazie i nji periudhe paraprake sociopolitike po ngulmon ende, kur vendimet e përbashkëta do të duheshin me u marrë vërtet bashkë dhe ma lirshëm sesa në sistemin paraprak.
E vërteta asht se me vetëdijesimin në shtim lidhun me vendimet e qëllimshme politike që diktuen ftohtësinë e marrëdhanieve mes standardit dhe gegnishtes, njifarë afrimi herëdokur do të bahet i domosdoshëm. Kjo varet mjaft edhe nga fuqizimi i grupit të interesit që synon ta jetësojë këtë çashtje. Në nivelin konkret të pjesores së prekun në këtë prezentim, afrimi arrihet ma së lehti tue ra në emnuesin ma të vogël të përbashkët. Dhe ajo që dimë nga shoqnogjuhësia na ndihmon me kuptue se njisia e ngritun në nivel normativ, nis me u perceptue si prestigjoze (bahet e parapëlqyeme), dhe kësisoj fare lehtë do ta aktivizonte ekonomizimin edhe ndër folësit që ende ngulmojnë për ta mbajtë atë të plotë. Futja në normë e këtij ekonomizimi, në rastin ma të mirë do t’ishte evolutiv, qoftë si pjesë e politikës gjuhësore, qoftë si realitet gjuhësisht i dëshmueshëm në vetë toskërishten. Ai së pari do të mund të niste me ato folje që nuk dalin me –uar, -yer, -ier, për t’i lanë këtokrejt në fund.
Interesimi i përgjithshëm shoqnor për t’i përvetësue e zbatue me përpikmëni rregullat e standardit, të caktueme në periudhën socialiste, qysh mundet me u marrë me mend, asht dukshëm ma i ulët sot. Madje, asht ne ramje. Kjo tregon se zbatueshmënia e atyne rregullave gjuhësore do të vijë tue u ulë, çka do të sjellë doemos pranueshmëni ma të madhe për shum nga trajtat gjanësisht të përhapuna në realitetin e ri shoqnogjuhësor. Tue qenë pjesorja e shkurtueme nji trajtë e tillë në përhapje dhe ekonomike, prirjet e vetvetishme shoqnore në Tiranën e përplasjeve të varianteve gjuhësore po orientohen drejt saj.
Integrimi i njisisë në fjalë nis prej tolerancës në përdorim prej të tjerësh me gojë e deri te përvetësimi i saj vetjak në shkrim. Nivelet e pranueshmënisë së pjesores së shkurtë vijnë progresivisht kështu:
- Me e tolerue në përdorim gojor prej të tjerësh.
- Me e përvetësue në përdorim gojor vetë.
- Me e tolerue në përdorim me shkrim prej të tjerësh.
- Me e përvetësue në përdorim me shkrim vetë.
Kuptohet, saktësimet “gojor” dhe “me shkrim” ma sipër mund të përimtohen edhe ma, tue i përfshi regjistrat e domenet e gjuhës së folun e të shkrueme. Edhe diskutimi rreth asaj se si e ku qëndron ma shum e ku ma pak shoqnia shqiptare sot në këtë rangim kërkon një shtjellim më vete. Asht e vërtetë ndërkohë se stadin 1 e kemi arritë dukshëm, tek pakkush merr mundin me e korrigjue pjesoren e shkurtë të shqiptueme nga goja e tjetrit. Për ma tej, në ndërkomunikimet jopublike mes folësve të Shqipnisë me ata të Kosovës, hetohet se folësit prej Shqipnisë, edhe kur janë vetë nga ata që përdorin pjesore të plota ose i ndërkëmbejnë me të shkurtat, rëndom priren me i shtue trajtat e shkurta, si nji hap përafrimi me bashkëbiseduesin, çka na fut tek stadi 2 i renditjes së masipërme. Në ditoret e Kosovës, pjesorja del shpesh e shkurtueme mbrenda citateve që japin prononcimin e personazhit të cituem nga gazetari. Del edhe nëpër motot e reklamave nëpër pankartat e qytetit, kjo sepse moda aktuale synon që të dyja, citatet dhe motot, t’i japë në vernakularin vendor. Jashtë këtyne domeneve të përdorimit (citate gazetash e moto reklamash) nuk dalin me shkrim aq shpesh në regjistrat publikë elementet e gegnishtes lokale, por kjo kallxon se, në raport me njësinë e hetueme, pjesoren e shkrurtë, Kosova ka nisë me e prekë pragun e stadit 3 të radhitjes së masipërme. Shqipnia, për arsyet e veta që diktohen nga tjetër kontekst gjuhësor, nuk e prek aq fort këtë prag, ndonëse pjesorja e ekonomizueme shfaqet nëpër artikuj, kur regjistri
i synuem i autorit nuk asht doemos ma i nalti, ose kur varianti gjuhësor i përdorun asht qëllimisht “gegnisht”.
Asht prandaj përgjithësisht herët për shoqninë mbarëshqiptare me e pranue gjanësisht operacionin për shkurtimin e pjesores, madje mjaft gjuhëtarë e intelektualë vazhdojnë ta përjetojnë vetë çashtjen si hapje të kutisë së Pandorës. Por, asht edhe e vërtetë se me gjithë ndryshimet sistemore që do t’i tërhiqte, ky operacion i vogël ortografik do të sillte edhe risi cilësore, madje dukshëm ma shum. Standardi përfundimisht nuk do të perceptohej ma si organikisht i lidhun me nji variant rajonal të privilegjuem, dhe realisht do t’i ngërthente mundsitë shprehëse të gjithë shqipes.
(Paraqitë në Konferencën ‘Gegnishtja sot’, organizue nga Instituti për Promovimin e Vlerave në Gjuhë Shqipe, Tiranë 17.12.2011)
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1kXL1pd