Ç’domethanë në gjuhën shqipe fjala ‘e-kioska’?

Kur nisi përdorimi i postelit (electronic mail, e-mail e masandej edhe email dhe imejll) më erdhi në mendje që në përkthimin shqip do të duhej me qenë postë elektronike, ashtu qysh nisi me u përdorë në fillim ma dendun e tash përdoret ma rrallë. Tue e pa se janë dy fjalë mendova se tue ndjekë shembullin e shkurtimit në anglishte e me logjikën e shqipes, fjala email mun bahej post + el. U shkrova disa miqve dhe shumica e pëlqyen atëherë ose veç ma banë qejfin. Por, me kohë, prap mbizotnuen trajtat në anglishte te përdoruesit shqiptarë. Çuditërisht, një ditë e pashë që edhe francezët kishin propozu të njëjtën trajtë të fjalës postel, tue qenë se edhe frangjishtja ndjek rend të njëjtë sintaksor të fjalëve sikurse shqipja (emën + mbiemën). Por as ndër francezë punët nuk qëndrojnë ma mirë në përdorimin e kësaj fjale.

Në kohën kur unë e kisha farku këtë fjalë dhe e kisha qitë në pazar, një djalosh ka qenë krejt i ri dhe një ditë, tue u rritë e tue mësu, i kishte ra në sy kjo fjalë. I ka pëlqy dhe një ditë — kur tashma e kisha qitë në harresë këtë punë — e shoh në një shkrim në internet bashkë me emnin tem si farkues i saj. Më erdhi mirë gjthë ky kujdes krejt i pazakonshëm ndër ne. Jo vetëm kaq, ky djalosh bani, dhe ban edhe sot, ma shumë përpjekje se unë që kjo fjalë të përdoret sa ma shumë. Quhet Getoar Mjeku dhe vazhdon me përpjekjen e tij; tash edhe bashkë me mue sepse tash iu bashkova në këtë punë.

Sidoqoftë, kjo nuk asht arsyeja kryesore pse po shkruj. Po shkruj për pasojat e mundshme të këtij parimi të ndërtimit të fjalëve. Problemi asht që sajimi jem nuk ka të bajë vetëm me një fjalë. Ashtu si në anglishte përparimi teknologjik sjell shumë fjalë me mbiemnin electronic + emën: e-mail (electronic mail), e-fit (electronic fit), e-skin (electronic skin), e-bike (electronic bike), e-book (electronic book), etj. Në anglishte mbiemni electronic shkurtohet dhe bahet parashtesë e- dhe lexohet i: email [imejll], e-fit [ifit], e-skin [iskin], e-bike [ibajk] etj.

Tashti, asnjë fjalor i randësishëm i anglishtes nuk e ka fjalën e-kiosk(a) (Oxford, Cambridge, Merriam Webster, Collins etj.), por fjala e-kiosk(a) shfaqet në midis të Prishtinës, në makinën e vendosun në një godinë të Bashkisë së Prishtinës që nxjerrka ekstraktin e lindjes. Shumë mirë. Çka duhet me kuptu një shqiptar me e-kiosk(a)? Electronic kiosk(a)? Problemi asht që shpjegimi për këtë fjalë nuk egziston as në anglishte! E-kiosk(a) asht fjalë fantazmë. Çudia asht qysh sosi e mbaroi në një makinë zyrtare në Prishtinë! Nëpunësit e Bashkisë së Prishtinës — si duket — ma parë po e pasunojnë fjalorin e anglishtes sesa atë të shqipes! Dhe qysh nuk u gjet një fjalë shqipe, qoftë edhe e shkalafedun?! Me e-kiosk(a) a i thuhet shqiptarëve përdorni electronic kioska-n? Apo ikioska-n? Çfarë kupton, vërtet, nëpunësi i Bashkisë së Prishtinës me e-kiosk(a)? Jo vetëm kaq. E kemi edhe me fjalën ekstrakt që del me një kuptim të panevojshëm e të ri. Fjalën ekstrakt kështu e shpjegon fjalori i shqipes:

ekstrakt, -i m. sh. -e(t) kim. lëndë që nxirret nga bimët, nga kafshët etj. me anë të proceseve kimike a fizike.” (FGjSh, 2006)

A do me thanë kjo që qytetari i Prishtinës në makinën e bashkisë nxjerr lëndë-bimësh-e-kafshësh-me-procese-kimike të lindjes? A asht e mundun që kurrkujt nuk i shkon mendja me kqyrë një herë në fjalor se qysh i thonë saktë asaj letre ku jepen të dhanat e lindjes? Kësaj here po lëshoj pe dhe po e vendos këtu:

certifikat/ë, -a f. sh. -a(t) zyrt. vërtetim, dëshmi: certifikatë lindjeje (martese, vdekjeje); certifikatë e gjendjes familjare. (FGjSh, 2006)

Pra, certifikatë — burra e gra, zoja e zotnij — nëpunës! Edhe atë me c — vëllazën e motra, shokë e shoqe — jo me ç, qysh ta bajnë nëpunësit në Tiranë! E, sa për e-kioska-n s’dij çka me thanë tjetër pos: “E-kioska u bafshi”!

Le të kthehem te posteli, ku e nisa.

Në kohën kur i nderuemi, z. G. Mjeku, e ktheu dhe po përpiqet me mbajtë në jetë fjalën postel, fjalët e formueme , tash me parashtesën e në anglishte, po shtohen çdo ditë. Mue m’u kujtu një gja edhe ma me randësi: edhe në shqip -el mun me shërby si prapashtesë për fjalët e tjera! Pra, libër elektronik mun me u ba librel, ~ilëkurë elektronike mun me u ba lërkurel, ~imakinë elektronike mun me u ba makinel, ~i etj. Kështu shqipes do t’i shtohej jo vetëm një fjalë por edhe një prapashtesë prodhimtare! Por, gjithë ky muhabet asht i kotë nëse nuk zgjanohet ky rrethi i dashunuesve të shqipes, si z. Mjeku e ndonjë tjetër si aj, dhe deri kur ata zyrtarë përtacë kanë me ba gajret e kanë me çelë fjalorin, qoftë edhe një herë të vetme në jetën e tyne.

Kujdesi për shqipen nis prej gjanash krejt të vogla. Se të madhajave, shyqyr, s’mun i bajmë ballë ashtu se ashtu!

Foto: makina elektronike për nxjerrjen e certifikatave të lindjes në Bashkinë e Prishtinës (apo sipas nëpunësve të bashkisë “e-kioska për nxjerrjen e ekstraktit të lindjes për përdorim intern”).

Nga Agim Morina

Gjuhëtar, artist, poet, dhe mësues shqiptar nga Prizreni. I mërguar në Londër prej viteve 1990. Përkrah Shqipen e Përbashkët me paskajore gege dhe me R-në toske.

3 komente

  1. I dashtun Mësues Agim,

    Shum faleminderit për nderimin që ma paske ba, ndonëse kujtoj se më ke përmendë ma shum se sa duhet. Por po gëzohem që sadopak po ua kujton bashkëkombasve tanë me u kujdesë për Nanën Shqipe.

    Ashtu siç e ke farkëtu fjalën POSTEL për shqiptarët, farkëtojnë përditë fjalë të reja amerikanët e popujt tjerë anglishtfolës. E mbrama që e mësova asht PHUBBING — portmantó (bartengjitje) e fjalëve PHONE + SNUBBING (shpërfillje), pra me shpërfillë dikend dhe me u përqendru në telefon. Wikipedia madje paska nji artikull të posaçëm për kët punë (https://en.wikipedia.org/wiki/Phubbing).

    Fjalë si këto bajnë rinia jonë në Prishtinë e Tiranë, s’asht që s’bajnë, por nuk guxojnë me i përmendë e as nuk kan fuqi me i futë në literaturë, siç ngjet me fjalët e anglishtes. Uroj që nji ditë të rijtë tanë t’i gëzojnë mundësitë me e zhvillu si gjuhën ashtu dhe vendin tonë.

    Të fala,
    Getoari

  2. Florent Rizvanolli: “Fjalën postel e pata propozue para nja njizet vitesh e jo vetëm që nuk ma pat pranue kush, po më patën përqeshë.”

Komentet janë mbyllur.