Kompleksi sllav: Evropë apo Europë?

Dallas, Texas — Disa puristë, ose siç kam dëshirë t’i quej unë, dëlirtarë të gjuhës, kambëngulin se për hir të pastërtisë së shqipes duhet me iu shmangë v-së në disa fjalë tashma ndërkombtare. Këtu mbizotnon primja e shum shkruesve të gjuhës me përdorë trajtën Europë në vend të formës standarde Evropë.

Tue qenë se unë vetë kam dalë jashtë binarëve të standardit, nuk po u baj kritikë pse nuk e ndjekin normën. Shqetsimi jem ka të bajë me arsyetimin e disave që me shkrue eu në vend të ev, sepse, siç thonë, kjo e fundit asht trajtë sllave.

Për të kanë, asht. Mirëpo shqipja nuk e ka huazue fjalën Evropë prej asnji gjuhe sllave, por si të tillë e ka nxjerrë vetë simbas rregullave të veta.

Ka gjasa që kjo fjalë nuk asht përftue natyrshëm prej popullit (ky ka përdorë edhe forma si Evropi dhe Avrupa) dhe se ate e kanë përshtatë rilindasit kur kanë fillue të flasin për kontinentin e vjetër në letrat shqipe. Por edhe n’at rast, shkrimtarët tanë janë mbështetë jo në gjuhët e hueja, por siç ka qenë zakoni, n’analogji mbrenda shqipes. (P.sh. duke pa se s-ja e shqipes asht kthye në sh, Faik Konitza me shokë krijuen fjalët shtet e shkencë e nuk i huazuen si stet apo sciencë.)

Fjala me zanafillë greke (ευρωπη, Eyrōpē), por që në shqipe mund të ketë ardhë prej trajtës Europa të gjuhëve perëndimore, asht e natyrshme të kthehet në Evropë. Arsyeja asht se eu në shum gjuhë t’Evropës paraqet nji diftong — dy tinguj që shqiptohen bashkarisht e jo si dy zanore të ndame. Shqipja si tansi nuk ka diftongje të tipit eu ose au, dhe goja e shqiptarit e ndryshon shqiptimit përderisa nuk ka dalë jashtë rregullave të gjuhës së vet.

Fjala latine laudus, e zamë, shqip asht kthye në lavd; d.m.th. diftongu au asht ba av. Në disa fjalë të tjera, që janë huazue në nji periudhë tjetër, au asht kthye në a ose ka ra fare, p.sh. aurum > ar; augustus > gusht. Naim Frashëri, në tekstet për mësonjëtoren e Korçës, shkruente për Vranin (Urani), si nji prej planeteve që sillen rreth diellit.

S’domethanë tash se emni me prejardhje greke Australi duhet me u kthye në Avstrali, Astrali, apo Shtrali. Por se nuk ka nevojë as me u kompleksue prej ngjashmënive të rastit me gjuhët sllave si te fjala Evropa. Tek e mbramja, edhe me iu shmangë ndonji bashkëpërkimi, nuk mund ta mohojmë afrinë që e shkakton trashigimia indo-evropiane.

Botu fillimisht në bllog vetjak, më 15 gusht 2011

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.