Nji faqe në Facebook kish postu:
F[**]kt: Vetëm 1 në 5 shqiptarë e di si i thonë shallit në numrin shumës! (S.I)
U kujtova njiherë se në ç’gjuhë thonë «dy shalla» këta katër të tjerët. E bájnë veç nga nji shall, thashë, e s’e bana të madhe. S’u ka ra me i përmendë dy.
Për mue ma tragjedi asht pika që po mungon mbas «S.I»-së, por këtu due me folë për shumësin. «S.I» â shkurtesë për «Stop Injorancës», që domethanë «[thuj] ndal paditunisë».
E çka s’dijmë ne për shumësin?
Postimin na e përcolli Freskimi, nji djalë i ri që e don gjuhën, në grupin e msheftë të qujtun mu «Dashamirë të gjuhës».
«Vajhalli per shumesin e shallit pra», kumendoi i pari Gazmend Bërlajolli, gjuhtar i shkolluem në Britani.
«Shallat», shkrujti barnatari dhe përkthyesi Adnan Mustafa, dhe shpjegoi se:
Kështu ka qenë me gramatikë të gegnishtes deri në fillim të viteve 70. Ma vonë shalli u ba lesh.
Gazi shtoi:
Adnan, une e kisha te puna qe nese shumesi i shallit bahet “shajet” dhe kater ne pese shqiptare kete nuk e dine (80%), atehere shumesi i emnit qenka vu prej asaj pakice (20%) qe vete perdor shumesin e palatalizuem “shajet” tu e shperfille menyren qysh kete shumes e ban 80%-shi. Mandej, kuptohet qe shqypet nuk do te dine si bahet (sipas standardit) shumesi i “shall”.
Gjuhtarja Ledi Shamku, deputete në Kuvendin e Shqipnisë, u gjegj shkurt e shqip:
Shaje po, me drejtshkrim… Asnji s’e din vec shkrimtareve te dikurshem ? Edhe kalamajte e mij dhe shoket e shoqet e tyre: shalla e kapuça thonë. Perkundrejt: shaje e kapuçë.
Përgjigjet ndryshe-ndryshe e nxërrcuen gjuhtarin e tretë me shfletu literaturën. Ndërsa Adnani tha shallat e Ledi shaje, Agim Morina e lujti mësuesin sokratik:
E ch’më keni shti me kqyrë në fjalorë! A jam tue huqë unë dichka këtu apo kështu po më duket? Në FGjSSh (1980) shumësi po del me ‘~e’… Gjithsesi pajtohem që shumësi me ‘~a’ asht ma i përdorun. S’e kam ndëgju kend ndonjëherë me përdorë shumësin me ‘~e’, por kjo ‘shaje’ po më befason edhe ma shumë. Ku përdoret shumësi me ‘shaje’?
Dhe ua citoi sozlykun germ’um-germë:
SHALL, ~I m. sh. ~E, ~ET
.1. Copë e endur a e thurur prej leshi, prej mëndafshi etj., e ngushtë dhe e gjatë, që e hedhim qafës për t’u mbrojtur nga të ftohtët; copë e tillë, zakonisht në trajtë trekëndëshi, me përmasa më të mëdha e me thekë, që e hedhin gratë mbi supe a mbi kokë. Shall i leshtë (i mëndafshtë). Shall i butë (i trashë, i hollë). Shall i madh. Shall leshi (mëndafshi). Shall me thekë. Mbështillem me shall. Hedh shallin krahëve.
.2. Pëlhurë pambuku ose mëndafshi me ngjyrë të kuqe, e prerë zakonisht në trajtë trekëndëshi, që e lidhnin partizanët rreth qafës; pëlhurë e tillë e kuqe ose me vizatime e me parulla, që e mbajnë rreth qafës pionierët, aksionistët etj.; shami. Shalli i kuq. Shalli partizan. Shalli i pionierit. Shalli i aksionit.
«Perdor juglindja e Shqipnise ‘shaje’ sigurt», veneroi fill Gazi. Por me fjalorin e Akademisë u çudit:
E paskan ba fort veshtire. Shalle? Kujt ndi ne goje s’ ia kam.
U çudita dhe unë. Shaje a shalle, as ndi as pa s’i kisha. Nejse, unë që dijsha ma së paku fola ma së shumti. Thashë:
Qysh po më duket mue…
Shqiptarët vazhdimisht jan mundu me e thjeshtu shumësin. Por thjeshtimi nuk ka ecë njitrajtshëm për të gjitha fjalët dhe të folmet. Dhe tash që jan përzi dialektet, jan ngatrru edhe rregullat e numrit gramatikor.
Qe, për shembull, nji shqipe ma e vjetër kish me na dhanë: nji ekip i madh > dy ekipën të mëdhenj. Ngjashëm mund t’ishte: nji shtet > dy shtetëṇ, ~it (ṇ = n gegnisht, r toskërisht).
Sod shumësi – në të dy variantet letrare – ua ndërron gjininë do emnave: nji ekip i madh > dy ekipe të mëdha ; nji shtet > dy shtete. Gjinia s’ndryshon te emna të moçëm që e trashigojnë shumësin e vjetër: nji gjysh > dy gjyshëṇ ; nji prind> dy prindë(ṇ).
Por shqipja ka shekuj që luen me shumësin. Në do raste, shumësi i nji emni asht njajësizu: lag > lagje (Paramendo sa ta shpifin ata që porosisin «ni langje tu vishnjakit».) Në do tjera, shumësi i njajësizuem e ka marrë nji mbaresë për me e ba shumësin e ri. Kështu kemi: gisht > gishtëṇ(i) > gishtëṇinj. Gjithashtu: zot > zotëṇ(i) > zotëṇ(i) > zotëṇinj. (Pra, në daç thuj «zoti Thaçi» në daç «zot’ri Thaçi», Perendia s’ta fal idhujtarinë.)
Pastaj, na kan ngatrru gjuhët e hueja — na ka frangjeshë frangjishtja e angligshtu anglishtja, dreqi i marrtë! Bie fjala, cili asht njajësi i medieve: medium, media, a medie? Ose, pse njajësi i muskujve asht muskuli e i tempujve tempulli?
Të folmet e Dardanisë, megjithate, ia vlen me i veçu. Jo vetëm se e kan thjeshtu shumësin, e kan rujtë edhe gjininë. Thonë: ni ekip i madh > dy ekipa të t’mdhaj ; ni gisht i kâmës > dy gishta të kâmës (por: «dy gisht’ nër böthë»). Aty-këtu mun e ndin edhe: ni msim > dy msima.
Veçse këto trajta po ia lëshojnë vendin çdoherë e ma shum shoqeve prej gjuhës letrare, tue dhanë: ni ekip i madh > dy ekipe t’mdhaja ; ni msim > dy msime. Pos kur thotë kush «ku me mujtë me i ba dy Freskima?», asht e sigurtë se s’ia huq gjininë Freskimit.
Por kisha pasë qef me e dijtë
Kah e ngatrruem gjininë? Sa lidhet kjo punë me përemnat? Shum shqiptarë thonë këto burra. A mos ka ndikim turqishtja që s’ka gjini gramatikore?
Apo mos asht ndonji heqsi seksiste që nënkupton se nji shtet i vetëm asht burrë, kurse kur bahen dy bashk veç hahen si «gra të këqija»? 😛
Por ma së mbrami, athue, a kan me e dashtë shqiptarët gjuhën e tyne ndonjiherë? Me dashtë domethanë me pranu dikend ashtu qysh asht.
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1ScO9bR