Nuk jemi shkatërrimtarë, duam lirinë

I dashur Redaktor! Këto ditë botuat një vështrim nga Ilir Mborja, i cili mbronte dialektin standard të shqipes, duke damkosur ata që kërkojnë ndryshime si shkatërrimtarë të kombit. Ndërsa nuk arrin t’i arsyetojë qëndrimet e veta, autori i shkrimit u sulet me fyerje e urrejtje bashkëkombësve që mendojnë ndryshe nga ai. Duke pasur mirëkuptim për punën e vështirë që

bëni, nuk mëtoj ta fajësoj redaksinë pse botoi një turrë rreshtash të zhytur në polemikë poshtëruese. Por uroj që “Shekulli” t’u kumtojë lexuesve se shkrimi i z. Mborja ka prekur sedrën e atdhetarëve.

Z. Mborja pandeh mes tjerash se gjuhëtarët shqiptarë zgjodhën toskërishten për dialekt standard, sepse ajo kishte epërsi të vërtetuar shkencërisht dhe se norma letrare s’mund t’i pranojë dhe s’ka nevojë për disa tipare të rëndësishme të gegnishtes.

Për autorin, gjuha zyrtare e përcaktuar qysh mbas Luftës së Dytë Botërore është çështje e mbyllur. Por në vend se ta arsyetojë mendimin e tij, z. Mborja paragjykon shtytjet e dashamirëve të gjuhës që bëjnë thirrje për rishikimin e shqipes standarde.

Në veçanti qorton Këshillin Ndërakademik të Gjuhës dhe mbrojtësit e gegnishtes, duke thënë se këta po përdorin ankesat për paskajoren si pretekst për të përçarë e prishur “gjuhën e njësuar letrare”. Dhe për të treguar bindshëm se sa të këqij janë këta “antistandardë”, autori i quan, duke u mbështetur në shkrimet e një enveristi të pandreqshëm, mashë e Beogradit. Tek mohon se standardi ka nevojë për përmirësime,

z. Mborja i përngjashmon përpjekjet për të rishikuar gjuhën me orvatjet për ta krijuar një komb “kosovar” më vete. Autori qorton reformistët se kanë synime politike dhe këmbëngul se normën gjuhësore e kanë vendosur shkencëtarët e pavarur. Por çuditërisht, z. Mborja s’i shkëputet dot vlerësimeve politike, ndërsa s’lë pa e përmendur dhe pa e sharë as Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Shkrimtarët e dijetarët e kryerrymës në Dardani e Shqipëri nuk janë shkatërrimtarë. Anëtarët e Këshillit Ndërakademik tashmë kanë parashtruar disa ndryshime të vogla në drejtshkrim, ndërsa mundohen ta bëjnë ligjëronjën standarde më të përshtatshme për popullin.

Ata nuk duan ta përmbysin normën, siç gërvallet z. Mborja. Ata duan ta gjallërojnë atë, duke i dhënë fuqinë që hartuesit ia kufizuan që në fillim. Dhe as ne pakica që s’e honepsim dialektin standard nuk jemi shkatërrimtarë. Të afërmit tanë, që dikur vuajtën burgun disa dekadash pse folën për një komb e një gjuhë shqipe, janë ende gjallë.

Ne besojmë në ëndrrën e tyre. Por besojmë dhe në lirinë që ata s’e kishin. Liria do të na sjellë patjetër një gjuhë të njësuar, të plotë e gjithëpërfshirëse, që nuk zbeh e as përjashton asnjë gjymtyrë të shqipes. Ne besojmë në një mot të ri, kur gjuha kombëtare të jetë gjuha shqipe dhe jo një gjysmë e saj.

Nuk ka kurrfarë parimi shkencor, as kombëtar, as zhvillimor që dikton se gjuha e njësuar domosdo duhet të mbështetet në një ligjëronjë; se në shkrim nuk ka vend për paskajoren kinse-gege; apo se shqipja e përbashkët nuk mund të jetë shkrirje e natyrshme e të folmeve në të dy anët e Shkumbinit.

Tek e mbramja, ka qenë gjithmonë ndërgjegjja e lirë dhe jo rreptësia e normës letrare që i ka mbajtur shqiptarët tok si komb. Serbët e kroatët nuk qëndruan bashkë, ndonëse flisnin jo vetëm të njëjtën gjuhë, por edhe të njëjtin dialekt. Kurse shqiptarët që para një gjysmëshekulli s’i kuptonin as nëndialektet e njëri-tjetrit, lulëzuan në degët e një trungu të përbashkët.

Bashkimin gjuhësor e vetëdijen kombëtare nuk e mundësoi Kongresi i Drejtshkrimit, që më 1972 sanksionoi normën toske të caktuar qysh 20 vjet më parë. Shqiptarët u ngritën si komb duke i marrë e dhënë lirshëm njëri-tjetrit. Por tash e pesë

dekada, politika zyrtare shtyp shkëmbimin e ndërsjellë, duke përpallur në vend të tij përhapjen e një kahshme të dialektit-standard. Ndërsa i ati i pavarësisë gërshetonte në fjalët e tij ligjëronjat e tërë Shqipërisë, një shqiptar i arsimuar sot ka një mision civil: për t’i qytetëruar të pagdhendurit, “duke ua mësuar gjuhën letrare”. Nuk jemi shkatërrimtarë. Ne duam lirinë!

Botu te Shekulli

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.