Ç’bënin në burg këta heronj evropianë


Avatar photo

Lulzim Mjeku

Ish-gazetar dhe redaktor i disa gazetave të Prishtinës, tani diplomat i Republikës së Kosovës. Ka shërby si drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe si zëvendës-shef i misionit në Pragë, Çeki. Është autor i librit «Kosova: Neoshqiptarizma për shekullin e ri» (Prishtinë, 2001).

Për Václav Havelin substitut i lirisë në burg ishte shkrimi i letrave gruas, apo kulti i të bërit çaj. Për Adem Demaçin ishte këndimi vetmevete dhe leximi i gazetave me «dritare çelë».

Liria është vetë qenia njerëzore. Edhe njeriu që ka lindur në robëri, ka shtytjen natyrore që të çlirohet nga ajo dhe ta shijojë lirinë.

Ky instinkt, i lindur dhe jo i fituar, nuk ka të bëjë aq me arsyen e shën­doshë sa me ndjenjën e shën­doshë. Shumëkush e quan këtë liri e brend­shme e individit. Por, kjo liri e brend­shme e individit nuk do të realizohej pa një ndjenjë të madhe dashurie për veten, të afërmit, ndjenjë e cila i kalon kufijtë e arsyes, përderisa cyt në sakrifikimin e jetës për liri. Për­derisa liria për gur themeltar ka therorinë, flijimin, sakrifikimin e jetës, atëherë liria është vlerë supreme njerëzore. Substitutet e lirisë janë simbolike.

Arsyeja e shëndoshë nuk e honeps sakrifikimin e jetës për liri, sikur nuk i honeps sakrifikimet e Nënës Tereze. Për disa autorë perën­dimorë koncepti i lirisë dhe i së drejtës natyrore është një gjepurë me paterica. Por, të tjerët, ata ish-disidentët e thonë të kundër­tën, se liria është ajo që ia jep apo ia merr kuptimin jetës. Në rast të privi­mit nga liria, ç’kuptim ka jeta njerë­zore. Jeta e njeriut e matur me kalimin e kohës, cenohet me aktin e privimit nga liria.

Njerëzit e kujdesshëm — qepin gojën, kanë kujdes në cilin xhep i mbajnë çelësat e shtëpisë, në ç’anë e mbajnë portofolin, çka folën me kë folën dhe në ç’orë folën. Këta janë qytetarët, produkt i tipit shoqëror. Ata qytetarë më të zellshëm në ndjekjen e vijës zyrtare pagëzohen edhe si vigjilentë të partisë, vigjilentë të shtetit të fesë së shtetëzuar.

Disidentët këta përfaqësues të moralitetit

Soji i dytë i njerëzve është soji i disi­dentëve, i atyre për të cilët qytetarët e kujdesshëm në ndeja private u kanë thënë se i kanë rënë murit me kokë. Soji i dytë i njerëzve, pra i atyre që e shprehin publikisht mendimin e tyre, nisin jetën e tyre atëherë kur tregojnë përgjegjësinë më të lartë për të afërmit dhe e përçojnë idenë here­tike. Soji i disidentëve nuk është soj i njerëzve të pakuj­des­shëm, por është soji i përfaqësuesve të politikës së moralitetit. Për­pjekjet e disi­dentit për të mbetur njeri, kjo politikë e mora­litetit për delegjitimimin e absur­­ditetit të një mjedisi shoqëror, janë subjekt i pasur për studime.

Dramaturgu, disidenti dhe ish-presi­denti çek Václav Havel, duke para­ndjerë burgosjen, ka ecur rrugëve të Pragës duke marrë me vete në çdo kohë, brushën, pastën për dhëmbë dhe briskun e rrojës! Në rast burgos­jeje t’i kem me vete, arsyetonte Havel, i cili e priste dënimin pse kishte mbrojtur publi­kisht me forcën e fjalës së lirë të dënuarit padrejtësisht.

Ndjenja e shëndoshë e arsyeton të rënit murit me kokë. Më në fund ia vlen të shkosh kësaj rruge, thotë Václav Havel. Po kështu mendon apo thënë më saktësisht ndjen edhe Adem Demaçi. Zëvendësimi i lirisë suaj konvencionale me privimin nga liria, është një substitut i pranue­shëm, për të arritur një shkallë më të lartë lirie. Por, këtu neve na intereson substituti material, shumë i prekshëm, i lirisë. Substituti i përditshëm i lirisë.

Shumica nga ne qytetarët që nuk kemi përjetuar burgun, kemi shpre­hur revoltën dhe gjakimin tonë për liri në forma nga më të ndrysh­met, deri edhe me muzikë, me veshje, me refuzimin që të marrim pjesë në takime zyrtare, në stafeta, aksione punuese të organizuara nga partia-shtet, e huaj gjithsesi.

Substitut lirie kemi pasur një revistë Start, nga Zagrebi, kur si fëmijë zgurdu­llonim sytë teksa shihnim për herë të parë fotografitë erotike dhe ndiqnim një rrjedhë tjetër të gaze­tarisë. Pak më vonë substitut tjetër lirie, na u bë kafeneja dhe gazeta tjetër e rinisë sllovene Mladina, e cila vinte disi në Kosovë dhe shumë shpejt u bëmë vetë një brez i ri që po varroste deliktin verbal, dispozitën e cila sanksiononte shprehjen e fjalës së lirë.

Si e përfytyronin lirinë disidentët derisa ishin në burg? Disidenti dhe filozofi hungarez Béla Hamvas (Bella Hamvash) konceptin e lirisë e lidh me një çështje tjetër fundamentale në historinë njerëzimit, lindjen e shtetit. Në poezinë e tij Lindja e Shteteve ai shkruan:

Lugina ngushtohet dhe shtegtarëve
nga një vend i largët u duhet
të kalojnë nëpër një qafë mali
Ka shumë shtegtarë, duken
tregtarët
ka shumë tregtarë, duken
cubat
ka shumë cuba duken
policët, për hir të mbrojtjes së policëve
duken nëpunësit, për hir të mbrojtjes së nëpunësve
duken ushtarët
ka shumë ushtarë shfaqen
laviret
për hir të lartësimit të lavireve
u dukën poetët.

Ky ngushtim i luginës për shtegtarët nga një vend i largët të cilët detyro­hen të kalojnë nëpër një qafë mali, në gjuhën tonë përkthehet si ngushtim i lirisë.

Kulti i të bërit çaj dhe gazetat me «dritare çelë»

Nga meditimet interesante të hedhura në letrat e tij nga burgu, Václav Havel, i qaset shumë herë konceptit të lirisë. Në një nga letrat e tij dërguar gruas së tij Ollgës, Havel ilustron konceptin e lirisë nëpërmjet figurës së kultit të të bërit çaj në burg.

Çaji, këtu mua më duket se bëhet një lloj simboli material i lirisë, është mbase e vetmja gjë që individi mund t’ia përgatis vetes, edhe këtë lirisht. Kur dhe si ia gatis çajin vetes, kjo më takon tërësisht mua, thotë Havel.

«Në përgatitjen e tij, unë e realizoj veten time si qenie e lirë, e aftë për t’u kujdesur për vetveten», thotë Havel.

Sipas tij, çaji si shenjë e rehatimit privat, një pushim i shkurtër ndërmjet poteres dhe kontemp­lacionit privat, funksionon si atribut i jashtëm material i shpirtit të pafrenuar dhe si shok në çastet e përqendrimit te liria e brend­shme. Bota e lirisë e paraqitur në kohën e kënaqësisë përfaqësohet nga çaji. I ulur përpara një filxhani çaji, ky është substitut për botën e bareve, të verë­tarive, të gazmendeve, substitut i jetës shoqërore. Sërish, me fjalë të tjera, diçka që ju e zgjidhni vetë dhe në të cilën gjë ju e realizoni lirinë tuaj, në terma shoqërorë. Ceremonia e të bërit çajit, është një lloj këmishe për t’u ruajtur nga çmendia.

Për dallim nga Haveli, i cili në burg lexonte Malaparten, Potemkinin dhe gazetat e revistat e kohës, për Adem Demaçin gjatë 28 vjetëve në burg substituti i përditshëm i lirisë ishte rituali i të kënduarit vet­mevete. Të shumtën e herave Demaçi ka kënduar vetmevete. Në burg, atëherë kur ka pasur mundësi të këndojë, ai ka kënduar me zë të ulët.

Rituali tjetër i zëvendësimit të lirisë dhe jo vetëm i mbushjes së kohës, ishte analizimi dhe parashikimi i zhvillimit politik në ish-Jugosllavi, deri në shkatë­rrimin e saj të plotë. Sipas Demaçit të gjitha këto analiza ai i mbante në kokë, sepse nuk ekzis­tonin rrethana për t’i hedhur ato në letër.

«Mendoja vazhdimisht se si kur të dalë nga burgu do të mund ta rregu­lloja Kosovën më së miri, në të gjitha fushat», thotë Demaçi.

Në burg ai nuk ka pasur mundësi as të bëjë ritualin e të bërit çaj, por sub­stituti i dytë i lirisë së tij të brend­shme ka qenë leximi i «gazetave me dritare çelë».

«Vetëm kur kanë dashur më kanë dhënë të lexoj gazeta. Në izolim m’i kanë dhënë ndonjëherë gazetat e djeshme, por ato ishin gazeta me dritare çelë. Korrektuesit i prenin artikujt për të cilët gjykonin se ne nuk bën t’i lexojmë, por unë prapë i lexoja me dritare çelë», rrëfen Demaçi për substitutet e tij personale të lirisë.

Në mes të punës vullnetare me zor, pas përmbushjes së normës dhe orarit të punës, Demaçi detyrohej të grinte lakra, të përgatiste zahiretë dhe të për­mbushte kërkesat trillane të gardianëve të burgut.

Ish-kryetari boshnjak Alija Izet­begoviqi i dënuar me tri vjet burgim, këtë kohë e maste kështu: këto janë më shumë se njëmijë e një ditë dhe njëmijë e një net.

Havel, Demaçi dhe Izetbegoviq, që të tre në burg kanë pasur punën e tyre me normë. Haveli ka mësuar edhe zanatin e axhustatorit, Demaçi ka pro­dhuar mobile, ndërsa Izetbegoviqi ka prerë dru në metra. Për të tretë, shkrimi i letrave të mbikëqyrura nga roja, ka qenë një substitut i lirisë.

(Botuar me titullin «Liria dhe substitutet e saj» në Shesh, suplement i revistës Zëri, Prishtinë, 2004)