Kryetari amerikan Donald Trump paska pyetë këshilltarët nëse Shtetet e Bashkuara mund ta blejnë Grënlandën apo Grinlandën, ujdhesën ma të madhe të rruzullit. Ndonëse pjesë e Amerikës Veriore, ishulli gjigant është truall vetëqeverisës i Mbretërisë së Danimarkës.
Përmes Grënlandës, ShBA-ja do të siguronte burime vajguri dhe do mbizotëronte viset polare të Arktikut, ku Rusia e Kanadaja gjithashtu kanë interesat e veta.
Natyrisht, Trumpi ka marrë përgjigje negative. Por blerjet e tokave nuk janë gjë e panjohur në historinë e Juesejit, që nga fillet antikolonialiste deri në epokën e sipërfuqisë botërore. Me pare e diplomaci, ShBA-ja ka zgjidhë telashe të brendshme, ka shmangë lufta të jashtme, dhe ka mposhtë perandoritë koloniale të kohës.
Në dekadat pas pavarësimit më 1776, 13 shtetet e reja zgjodhën mosmarrëveshjet territoriale duke shitë e ble troje mes vete dhe me qeverinë kombëtare. Ndërkaq, revolucionarët ngadhnjimtarë, duke pa ShBA-në si pishtar të lirisë në hemisferën perëndimore, hodhën vështrimin përtej kufijve të vendit: me i përzënë sundimet koloniale dhe me përhapë sundimin e popullit në mbarë kontinentin.
Kështu lindi ideja që ma vonë u pagëzu manifest destiny apo «fati i qartë». Amerikanët besonin fuqishëm në qeverisjen e tyre. Jo të gjithë pranonin aneksimin e tokave të reja, ndërkohë që pëlqenin shembullin e paqes e demokracisë. Historia u dha hapësirë të dy taboreve.
Më 1803, kryetari Thomas Jefferson — ai që kishte hartu Deklaratën e Pavarësisë — e dyfishoi sipërfaqen e vendit, duke ia marrë Francës trevën e Luizianës. Fillimisht, Jeffersoni qe interesu për qytetin port të Niuorlinsit, në Gjirin e Meksikës, dhe kish autorizu përfaqësuesit e vet me iu dhënë francezëve 10 milionë dollarë të kohës. Por kur Napoleoni ofroi me shitë krejt territorin prej mbi 2 milionë kilometrash katrorë, duke lypë 15 milionë dollarë, të dërguarit amerikanë e bënë pazarin pa pyetë fare në shtëpi.
Jeffersoni i përkrahu, Senati e ratifikoi marrëveshjen, dhe Dhoma e Përfaqësuesve i miratoi shpenzimet e nevojshme, me gjithë kundërshtimet që erdhën nga brenda e jashtë vendit. Thuhet se perandori francez i druhej luftës me Britaninë, andaj i hyri pazarit. Republika e re amerikane pagoi rreth 7 centë për hektar, që në vlerën e sotme bëjnë 1,5 dollarë. Në ndërkohë, territori i blerë u nda në 14 shtete, përfshi shtetin e Luizianës, dhe një pjesë e vogël u këmby me Britaninë.
Në luftën e 1812-s, kundër Britanisë, ShBA-ja dështoi disa herë me shti në dorë zotërimet në veri, që sot përbëjnë Kanadanë.
Por zgjerimi territorial vazhdoi pas luftës. Më 1818, ShBA-ja mësyu rajonet veriperëndimore të Oregonit e Kolumbisë, duke mbërri kështu në Paqësor. (Ma vonë, rajonet i ndau me Britaninë.) Dhe më 1819, bleu Floridën dhe do treva të tjera nga Spanja, e cila ashtu-kështu kish rënë në krizë e s’mund t’i mbante.
Dekadat në vijim prunë gjithashtu ndryshime. Por këto ndodhën me luftë. Më 1836, kolonët amerikanë ngritën krye kundër qeverisë meksikane dhe shpallën Teksasin republikë të pavarur. Kur Teksasi iu bashku Juesejit më 1846, kufiri jugor i kontestuar çoi vendin në luftë të re me Meksikën.
Fundi i luftës më 1848 ktheu paqen dhe shitblerjen e territoreve. Ndonëse Meksika humbi, ShBA-ja pranoi me i pagu 15 milionë dollarë për toka dhe me ia shly 5 milionë dëme të luftës — shumë ma pak se ofertat që Meksika kish refuzu para konfliktit. Shteti latinoamerikan tani hoqi dorë prej gati 1,5 milionë kilometrash katrorë, nga Teksasi në Kaliforni.
Por kur ShBA-ja nisi me ndërtu hekurudhën tejkontinentale, kufiri meksikan u bë sërish pengesë. Shtegu ma i mirë kalonte nëpër Meksikë. Kështu, më 1853, fqinji jugor, i zënë ngushtë me pare, ia shiti ShBA-së edhe 76 mijë kilometra katrorë për 10 milionë dollarë. Me këtë ujdi u zgjidh edhe kontesti rreth një rripi toke, që s’dihej se kujt i përkiste pas luftës së 1848-s.
Dhe për t’ia vu pikën blerjeve të mëdha, më 1867, Uashingtoni ia njehu carit rus plot 7,2 milionë dollarë — sot rreth 130 milionë — për zotërimet e tij në kontinentin amerikan. Këto troje Rusia i kish qujtë Alaska, sipas popullit vendas aleut. Sot Alaska është shteti ma i madh i Juesejit përkah territori.
Shtetet e Bashkuara kanë aneksu edhe territore të tjera, për të cilat shpesh kanë pagu kompensim. Në fundshekullin XIX, Uashingtoni çliroi një varg ujdhesash karaibe nga pushtimi spanjoll. E më 1917 madje, bleu Ishujt Virgjinë mu prej Danimarkës, që sot gëzon sovranitet mbi Grënlandën. Kopenhaga mori 25 milionë dollarë.
Me llogaritë inflacionin, ato sot vlejnë rreth gjysmë miliardi. Por nuk mjaftojnë për të nisë kurrfarë pazari për toka sovrane.
Shitblerja e territoreve, qoftë dhe në shërbim të paqes, i përket kohës së perënduar të kolonializmit.
Thuhet se ShBA-ja provoi me ble Grënlandën më 1946, kur sapo nisi Lufta e Ftohtë, por u refuzu. Tri vjet ma vonë, Shtetet e Bashkuara e Danimarka, mes aleatësh të tjerë, themelunë Naton.
Përkundër territorit, Grënlanda mezi njéh 60 mijë banorë, shumica inuitë etnikë. Norsët — të parët e norvegjezëve e danezëve — e kanë kolonizu ishullin qysh në shekullin X, kurse inuitët kanë mërgu ma vonë prej rajoneve të tjera të Amerikës.
Komunitetet e hershme norse mendohet se janë zhdukë kah fundshekulli XIV, kur dhe kanë shkëputë kontaktet me Evropën. Një mision skandinav vajti në Grënlandë më 1721, tue shpresu me i rivendosë lidhjet me vëllezërit norsë, por nuk i gjeti. Misioni rivendosi sovranitetin dano-norvegjez.
Grënlanda ka qenë një kohë pjesë e Norvegjisë, që asokohe ishte e lidhur me Danimarkën. Kur dy shtetet u ndanë më 1815, Grënlanda kaloi nën sovranitetin danez. Danimarka ua njohu vendasve të drejtën e shtetësisë më 1953, por edhe u përpoq t’i asimilonte. Me t’u anëtarësu në Komunitetin Ekonomik Evropian, megjithatë, Kopenhaga e kuptoi realitetin që e ndante ishullin veriamerikan nga Evropa. Shkaku i rrethanave ekonomike, lypsej që Grënlanda me u qeverisë veçmas.
Kështu më 1979, ujdhesa fitoi të drejtën e vetëqeverisjes. Kurse një ligj i 2009-s i dha autonomi në të gjitha sferat, pos politikës së jashtme dhe mbrojtjes. Popullit vendas iu njoh e drejta e vetëvendosjes, ndërsa grënlandishtja, dikur e ndaluar, u bë gjuha e vetme zyrtare.
Larg nga të shiturit, Grënlanda një ditë mund të bëhet e mosvarme.
Foto në krye: Kryetari Trump nënshkrun buxhetin e mbrojtes në prani të nënkryetarit Mike Pence dhe ushtarakëve të lartë amerikanë (Shtëpia e Bardhë, dhjetor 2017)
Lejohet me kopju dhe ribotu sipas licencës CC BY-ND 4.0, duke cekë autorin dhe burimin.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6294