Sot 50 vjet, më 21 gusht 1968, sovjetikët invaduan Çekosllovakinë. Një ditë më parë dy aeroplanë sovjetikë aterruan papritmas në aeroportin e Pragës, me arsyetimin se kanë probleme teknike dhe po presin ndihmën të arrijë nga Bashkimi Sovjetik. Nga këta dy aeroplanë dolën skuadra e sportistëve dhe marinarëve për të cilët u tha se ishin nisur drejt Jugosllavisë për të zëvendësuar skuadrën e një anijeje atje. Mysafirët e paftuar u vendosën në restorantin e aeroportit.
Disa policë çekë zunë të dyshojnë në sovjetikët, meqë ata kishin mbathur këpucë të njëjta dhe në shpinë bartnin çanta të njëjta. Por fryma internacionaliste proletare nuk lejonte të dyshohej në mysafirët nga Bashkimi Sovjetik.
Udhëheqjen çekosllovake e kishte informuar edhe një ushtarak hungarez, që telefonoi ambasadën në Budapest. Ushtaraku u tha se ka marrë urdhër që në orën 23 e ca minuta të jetë në kufirin me Çekosllovakinë. Me gjasë, udhëheqja çeke priste invazionin të vijë përtoke nga kufiri, kur sportistët që prisnin transit nxorën nga çantat e tyre maliherët dhe e morën nën kontroll aeroportin.
Dy aeroplanët kishin qenë radarë të lëvizshëm, të cilët dhanë sinjalin dhe për pak kohë në aeroport aterruan avionë të tjerë nga të cilët dolën tanket sovjetike. Në pistë u pritën nga automjete të ambasadës sovjetike për të nisur invazionin mbi kryeqytetin çekosllovak.
Disa funksionarë shtetërorë e partiakë çekosllovakë menduan se shokët e tyre ishin të dehur kur ata lajmëruar se tanket sovjetike po vërshonin nëpër Pragë. Nuk ishte punë dehjeje. Atë natë Çekosllovakinë e përpinë 2 mijë tanke dhe 200 mijë trupa të Traktatit të Varshavës. Deri në 300 mijë çekë e sllovakë u larguan nga vendi i tyre pas invadimit.
Çekosllovakia fitoi lirinë tek pas rënies së komunizmit, në Revolucionin e Butësisë më 1989. Tri vjet më vonë, shteti u nda në dy republika të pavarura, Çekinë dhe Sllovakinë.
Foto: Poster gjerman për invadimin e Pragës (licencë: CC BY-SA 3.0 DE)
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5346