Rrëfimi i nanës për Kadri Zekën

Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla
Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla

Aty kah fundi i viteve ’70, Kadri Zeka kishte punuar në të njëjtat zyra me nanën time, të dy asokohe gazetarë në Radio-Televizionin e Prishtinës (RTP). Në ditë si kjo e sotmja, nana shpesh e kujtonte Kadriun e na fliste për të. Ishte enigmatik Kadriu. S’para shoqërohej me askënd. Vinte ne zyrë e shkonte si hije. Kryente reportazhet e tij, kapte librat e dokumentet e tija nën sqetull, dhe ecte. Veçohej (apo veçohej duke mos u veçuar) me ate kostumin e tij të murrmë, me një mjekër gjysmë të rruar, e me ato pak flokë të shprishura. Kur kolegët e zyrës flisnin bashkarisht, për punë, për familje, për fëmijët e tyre, apo për politike (sidomos për politikë!), Kadriu nuk përzihej fort. I mirësjellshëm, i butë e fjalëpak, ai iu bishtnonte raporteve shoqërore me kolegët e tij. Edhe në bufenë e RTP-së që gjendej në katin e tetë ai nuk kishte shkuar gati asnjëherë. Kështu që nana e kolegët e saj u mësuan ta lënë Kadriun të qetë, të mos e bezdisnin. I tillë ishte ai. I heshtur, i papeshë. Si hija.

Një ditë, rastësisht, kolegët filluan të pyesin për Kadriun. Kishte ca ditë, a, ndoshta ca javë, që ai nuk vinte më në punë. Ku është more Kadriu?! Por jeta e bëri të veten dhe Kadriu pas ca kohe nuk u përmend më. Deri në gjamën e 17 janarit të 1982-tës. Lajmi mori dhenë dhe njerëzit kuptuan që në qytezën gjermane me emrin e pashqiptueshem Untergruppenbach, Kadriu dhe vëllezërit Gërvalla ishin ekzekutuar nga dora e shtypësit tonë. Kadriu e vëllezerit Gërvalla kishin qenë aktivistë të asaj që filloi të quhej «Lëvizje». Kadriu, gazetari i heshtur. Gazetari klandestin.

Sikur Jusufi e Bardhoshi, Kadriu ishte simbol i aktivistit klandestin shqiptar të Kosovës. Këta ishin pararendësit e rezistencës që filloi të njihej me emra si Ilegalja, Lëvizja, apo LPK. Si Kadriu, ky lloj i aktivistit/es mishëronte intelektualin e heshtur e guximtar që beson në ideal dhe që, përveç jetës së rendomte, ka edhe një jetë tjetër: atë të rezistencës, aktivitetit klandestin. Disi, kjo lloj jetese ne shqiptarëve na ka kaluar edhe në ADN-të tonë. E hasim të gjithë te brezi i LPK-së, pastaj në lëvizjen e studentëve të viteve ’90, dhe natyrisht në UÇK. Dhe e hasim edhe pas luftës në organizata si Lëvizja VETËVENDOSJE!

Nga Armend Bekaj

Politolog dhe dashamirës i poezisë. I diplomuar në Britani, punon për Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore IDEA, në Stokholm.