Projekt-kushtetutë për Besëlidhjen Shqiptare



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Kjo është përpjekje me hartu një kushtetutë moderne shkurt e shqip — në gjuhë të thjeshtë e të thukët — për një federatë të shteteve shqiptare.

Lexo në PDF [A5]

Projektin e kam nisë me bindjen se shqiptarët janë një komb i pandashëm. Të parët tanë kanë farkëtu vetvetësinë kombëtare në truallin e njëshëm, përmes gjuhës së përbashkët; falë një trungu dokesh, ligjesh, përjetimesh e synimesh; dhe në sajë të lidhjeve tona të gjakut a të afrisë së krijuar ndër shekuj. Andaj, shqiptarët në trojet e veta natyrshëm kërkojnë bashkimin kombëtar — që nënkupton me jetu brenda një trupi politik.

Bashkimi i mirëfilltë krijon hapësirën ku kombi ynë të frymojë i lirë dhe të përparojë sipas rrethanave, përvojave, e interesave të veçanta e të përbashkëta. Prandaj ky projekt mbështet ngritjen e një shteti federativ — Besëlidhjen Shqiptare — me Shqipërinë Londinare dhe Kosovën ndër shtete anëtare. Ndonëse copëtimi i trojeve tona ka qenë vepër e huaj dhe padrejtësi e madhe ndaj popullit tonë, shtetet tona i kemi ndërtu vetë dhe me ndihmën e miqve, andaj lypset t’i çmojmë dhe t’i forcojmë më tej.

Projekti i shërben këtij ideali të kahmotshëm në rrethanat e shekullit të ri. Qysh në hyrje, përqafon vlerat e gjithësishme, lartëson mosdiskriminimin dhe diversitetin, dhe cek aspiratën e shqiptarëve për t’u anëtarësu në Bashkimin Evropian. Kreu I përkufizon Shqipërinë si shtet që respekton të drejtën ndërkombëtare, kurse kreu II mbron të drejtat themelore prerazi, duke parapa mes të tjerash forcimin e demokracisë, barazinë gjinore, të drejtat shoqërore, të drejtat e komuniteteve, si dhe sfidat në botën digjitale. Projekti përcakton shkoqur kompetencat e qeverive federative e shtetërore, parasheh zgjedhje me orar fiks, vendos rregulla të qarta për zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve kyçë, dhe forcon mëvetësinë e gjyqësorin dhe organeve të posaçme. Mbi të gjitha, zvogëlon mundësinë me keqpërdorë pushtetin.

Teksti mbështetet kryesisht në një projekt-kushtetutë që fillimisht e kam hartu për Kosovën. Me rreth 7 mijë fjalë, do të hynte ndër 20 kushtetutat më të shkurta; me përmbajtje ndër më demokratiket. Për krahasim, Shqipëria e Kosova kanë kushtetuta mbi dy herë më të gjata.

Stili i hartimit parapëlqen thjeshtësinë e qartësinë, duke huazu nga përvojat e vendeve të zhvilluara që po i përmirësojnë ligjet e veta duke i rishkru në gjuhë që e kuptojnë qytetarët e rëndomtë. Teksti synon me thënë më shumë me më pak. Shmang përsëritjet dhe sinonimet, parapëlqen njëtrajtësinë, dhe rendit përmbajtjen logjikshëm. Aty-këtu përdor ndonjë fjalë më të vjetër nga tradita letrare dhe juridike shqiptare, veçmas në hyrje, por pa cenu kuptimin.

Këtë dorëshkrim po ua dorëzoj për lexim e diskutim dashamirëve të ligjit dhe të bashkimit kombëtar këtë 28 Nëntor 2019, në 22-vjetorin e shfaqjes së Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës dhe në 20-vjetorin e çlirimit.