Më 9 prill 2008 u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, akt që mëton të transformojë rrënjësisht shoqërinë tonë, prej një trualli të okupuar nga Serbia e më pas një protektorati ndërkombëtar në një shtet të pavarur e demokratik me qeverisje që forcon stabilitetin shoqëror. Por sa është realizuar në tërësi fryma dhe shkronja e kësaj kushtetute për këta 11 vjet?
Në katër dekadat e fundit ka ndodhur një ndryshim i madh në të drjtën dhe gjyqësinë kushtetuese: kalimi nga kushtetuta tradicionale në kushtetuta transformuese.
Juristi Tom. G. Daly, në punimin e tij me titull «The Judiciary and Constitutional Transitions», paraqitur në Hagë më 2014, sqaron dallimin mes këtyre dy formave të kushtetutave. Ai shpjegon se kushtetutat tradicionale:
priren të përqëndrohen në dizajnimin kushtetues të një shteti në mënyrë më klasike si p.sh, ndarja e pushtetit, duke krijuar një sistem parlamentar ose presidencial dhe duke përcaktuar kompetencat formale të secilës degë të qeverisë, apo që synonjnë të përfshijnë elemente që e kufizojnë vendimmarrjen, si p.sh., fuqinë e institucioneve të zgjedhura, pastaj të drejtat civile dhe politike, të tilla si liritë e fjalës dhe e tubimit etj. Me një fjalë, kushtetutat tradicionale i kushtojnë më pak rëndësi saktësisë së shtetit, detyrimet ose udhëzimet për ushtrimin e pushtetit publik.
Kurse, për kushtetutat transformuese thotë se janë shumë më ambicioze dhe gjithëpërfshirëse:
Ato kërkojnë të sigurojnë bazën për një transformim rrënjësor të vlerave themelore të shtetit dhe qeverisjes, si dhe synojnë për të nxitur ndryshimet shoqërore në përgjithësi. Kushtetutat transformuese kanë tendencën të vendosin rregulla për ushtrimin e pushtetit si dhe parashohin mekanizma për të kufizuar vendimmarrjen shumicore (p.sh. krijimi i institucionit të Avokatit të Popullit, Gjykatën Kushtetuese, si dhe parashikimi i klauzolës së përjetësisë, e cila përjashton ndryshimin e dispozitave kryesore kushtetuese). Ato gjithashtu synojnë të krijojnë një sistem politik më përfshirës duke njohur fuqizimin e pakicave si dhe adresojnë format mbrojtëse nga praktikat diskriminuese sociale.
Kushtetutat e tilla ndalojnë trajtimin e pabarabartë për një gamë të pafundme shkaqes dhe lejojnë diskriminimin pozitiv (shihnenin 24 i Kushtetutës së Kosovës). Përveç kësaj, ato zakonisht japin ligje me përmbajtje të gjerë të të drejtave dhe garantimit të tyre duke ofruar mbrojtjen gjyqësore të të drejtave (shih nenet 31 dhe 32 i Kushtetutës së Kosovës).
Pra, parë nga këndvështrimi i dallimit midis kushtetutës tradicionale e transformuese, kushtetuta e Kosovës më tepër i ngjan grupit transformues. Ajo përcakton koncepte të avancuara të rregullimit shtetëror, pra, ndarjes dhe balancimit të pushtetit, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, mbrojtjen e pakicave etj. Me miratimin e saj është krijuar identiteti i ri kushtetues i Kosovës, që fokusohet në stabilitetin shoqëror të brendshëm si dhe synimin për integrim, duke ndjekur modelet e avancuara kushtetuese të vendeve me demokraci të zhvilluar perëndimore.
***
Kushtetutat transformuese synojnë të arrijnë ndryshime rrënjësore në shoqëri duke e forcuar gjyqësorin — si mekanizëm i pavarur për të vepruar si agjent i transformimit dhe si kujdestar i kushtetutës. Në shoqëritë demokratike në mbarë botën, përqëndrimi më i madh në gjyqësor duket se është nxitur nga një ndjenjë mosbesimi ose negative për strukturat udhëheqëse qeveritare, të cilat kanë dëshmuar se janë të paafta për të ofruar synimet e transformimit.
Prandaj, në shtetet që kalojnë transicionin, ky opinion negativ për strukturat udhëheqëse qeveritare nxit një zhgënjim akut për institucionet e zgjedhura, partitë politike dhe aktorë të tjerë, të cilët nuk janë treguar të përshtatshëm për të ndryshuar gjendjen në të mirën e shoqërisë.
Në këto shtete, gjithmonë jetohet me shpresën dhe perceptimin se gjyqësia është institucioni i vetëm i aftë për të dhënë premtimet e tekstit të ri kushtetues. Me një fjalë, mund të themi se, teksti i kushtetutës transformuese do të arrijë të zbatohet vetëm nëse gjyqësia është ose tregohet e aftë për ta bërë atë efektive. Shtetet pas transicionit shpesh janë shafitur me një gjyqësi të korruptuar dhe joefikase të bartur nga epoka autoritare. S’do mend për ta kuptuar edhe gjendjen në Kosovën e pavarur tash e 11 vjet.
Gjyqësori si mekanizëm i pushtetit, i pavarur nga degët e tjera, mbrohet dhe garantohet nga Kushtetuta si element i rëndësishëm i funksionimit të shtetit. Por sot po përjetojmë gjendjen më të rëndë politike e sociale që prej pavarësimit, mu për faktin se na mungon «shpata e drejtësisë» për të ndëshkuar ata që e kanë zhytur vendin në humnerë të korrupsionit. Edhe pse Kushtetuta e Kosovës e mvesh sistemin gjyqësor me të gjitha atributet ose elementet e nevojshme të funksionimit, siç janë pavarësia financiare, organizative dhe më e rëndësishmja pavarësi në vendimmarrje. Por shoqëria ka humbur shpresën se këto elemente do të jetësohen, ndërsa gjyqësori vijon të dështojë për ta kryer punën e vet.
Ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë, gjyqësia selektive, paaftësia e prokurorisë në luftimin e krimit, mosushtrimi i sovranitetit të plotë kushtetues në veri të vendit, pastaj edhe prirja e elitës udhëheqëse politike për të hyrë në negociata pa kushte me Sërbinë, që synimin e kanë cenimin e sovranitetit territorial të shtetit — këta janë faktorë që dëshmojnë një hendek të madh midis parimeve kushtetuese të konsakruar në kushtetutë dhe realitetit në terren. Ky hendek po rrezikon ta shndërrojë kushtetutën thjesht si një dokument që ekziston veç në letër.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5880