Ish-kryegjyqtari i Kosovës ka botuar një libër të plotë kritike ndaj një teksti mësimor të së drejtës kushtetuese.
Prof. Enver Hasani, pedagog në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, shpjegon arsyen për librin e tij, titulluar E drejta kushtetuese: Studim kritik mbi librin «E drejta kushtetuese» të autorëve A. Bajrami e F. Muçaj:
Këtë studim kritik e kemi konceptuar si një lloj udhëzuesi për të ndihmuar studentin dhe lexuesin që të orientohen gjatë leximit të librit të autorëve tanë sepse, si i tillë, libri ka gabime shumë të thella profesionale dhe shkencore me një përmbajtje jo të saktë, ashtu që leximi i tij i pavarur dëmton rëndë çdokënd.
Vepra e prof. Hasanit ka gjithsej 404 faqe. Këto përfshijnë përmbledhjen shqip e anglisht, hyrjen, tri pjesët e ndara në kapituj, përfundimin, përgjigjen e autorëve Bajrami e Muçaj, replikën e prof. Hasanit, si dhe bibliografinë dhe treguesin e emrave.
Ndër temat kryesore të librit gjejmë hartimin e kushtetutës, shpalljen e pavarësisë, sistemin parlamentar, kompetencat e presidentit dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese.
Prof. Hasani kritikon ashpër kolegët Bajrami dhe Muçaj për mënyrën si e përdorin literaturën. Veçmas, nuk pajtohet me trajtimin që i bëjnë Pakos së Ahtisaarit dhe mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Libri kritikë flet edhe çështjet e historisë, filozofisë dhe shkencës juridike dhe përvojat kushtetuese të vendeve të ndryshme të botës.
Librin e prof. Hasanit e boton shtëpia Jalifat Publishing nga Hjustoni, ShBA, ndërsa të interesuarit mund ta blejnë në Skriptoren e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës për 5 euro.
Autori dhe botuesi ka vendosë t’ia falin të gjitha kopjet e librit Shoqatës së të Verbërve të Kosovës — ashtu që për çdo copë të shitur paret i merr Shoqata.
Ne këtu po i ndajmë për publikën e gjerë faqet e para, që përfshijnë tryezën e përmbajtjes dhe përmbledhjen shqip e anglisht.
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/2TctVFK