Tue shfletu lajmet për të drejtat e njeriut nëpër rruzull, m’u duk sikur ky muej ka çelë me ngjarje jashtëzakonisht të mëdha. Do janë lajme të mira, do të këqija, e do thjesht interesant me i përmendë.
1. Policia e Kosovës e arrestoi nji veteran invalid të Ushtrisë Çlirimtare. Frashër Oseku thotë se e kanë ndalu pse e ka gjujtë në nevojtore flamurin e Kosovës, shtetin për të cilin ka luftu dhe e ka hangër plumbin. Demokracitë e rryeme si ShBA-ja e Suedia e çmojnë lirinë e shprehjes dhe nuk i ndëshkojnë ata që ua përdhosin ose djegin flamurat. Shteti ynë ndryshe. Dhe me i përsëritë ato që i kanë stërthanë tjerët, kriminelin Xhabir Zharku e pret krahëhapun, kurse ushtarin e lirisë e përndjek. Të dy janë kthy prej Suedie.
2. N’Afrikë ka shpërthy prap ebola, sëmundja e randë vdekjeprumëse që para pak vjetësh mori ma shum se 10 mijë gjind. Kongo-Kinshasa apo Republika Demokratike e Kongos, nji prej shteteve ma të mëdha të kontinentit, po përgaditet me e luftu epideminë e re. Organizatat e të drejtave të njeriut po bajnë thirrje për masa të kujdesshme që nuk i cenojnë pa arsye të drejtat njerëzore. Human Rights Watch po thotë mos me i futë pa vend njerëzit në karantinë, me i mbrojtë puntorët shëndetsorë dhe gratë, dhe me siguru mbikqyrje t’efektshme.
3. HRW po e kritikon edhe Greqinë se po i mban tok në qeli burrat e gratë azilkërkuese. Ky farë ngatrrimi i rrezikon vajzat e gratë, tue i ba pre të sulmeve e ngacmimeve seksuale. Greqia në përgjithsi njihet për kushtet e këqija në të cilat i mban të burgosunit dhe azilantat.
4. Gjykata në Bermudë, nji territor tejdetar britanik ngat ShBA-së, e ka përmbysë ligjin që e ndalon martesën e gjinisë së njejtë. Por vendimi nuk asht ende i plotfuqishëm, dhe qeveria ka të drejtë me u anku. Kët vendim e ka marrë Gjykata Supreme e Bermudës, dhe rasti mundet me mbërri në Komitetit Gjyqsor të Këshillit Privat të Mbretneshës, që ndodhet në Londër dhe ka autoritet mbi disa territore britanike. Kjo asht hera e dytë që gjykata bermudase e trajton kët çashtje.
5. Irlanda ka gjasë me ndërru prap kushtetutën në lidhje me gratë. Sivjet, vendi me shumicë katolike e shfuqizoi ndalimin e abortit, kurse tani pritet me e heqë nji dispozitë që thotë se grueja e ka vendin në shtëpi.
6. Kuba komuniste po e rishkrun kushtetutën e vet të 1976-s. Dokumenti i ri ka me e njoftë pronën private, me leju vetëpunësimin dhe martesat homoseksuale, dhe me i kufizu mandatet e presidentit. Por nuk ka me braktisë regjimin njipartiak. Komentatorët po çuditen qysh mundet shteti me i mbrojtë të drejtat vetjake pa e përqafu demokracinë. Herën e mbramë, Kuba e ka ndryshu kushtetutën më 2002, kur e ka shpallë socializmin të përhershëm e të pazhbashëm. Sivjet e ka zgjedhë nji kryetar të ri të republikës, Miguel Díaz-Canel, i cili pritet me e trashigu Raúl Castron, vëllanë e Fidelit, në kreun e Partisë Komuniste.
7. Shtetet antare të Bashkimit Evropian kanë me i njoftë martesat homoseksuale të lidhuna në nji shtet tjetër. Kështu ka vendosë Gjykata Evropiane e Drejtësisë në nji rast kundër Rumanisë. Shteti rumun me kushtetutë e kufizon martesën si lidhje mes burrit e grues, por nuk ka të drejtë mos me i njoftë martesat homoseksuale të lidhuna në nji shtet tjetër. Në kët rast, Gjykata e detyroi Rumaninë me i dhanë leje qëndrimi nji amerikani në sajë të martesës së tij me nji shtetas rumun. Asht ende heret me thanë se ç’ndikim do të ketë ky vendim në Shqipni e në Dardani, dy vende shqiptare që dojnë me hy në BE. Kushtetuta e Kosovës mendohet se e lejon martesën gej, por ligji i familjes i ndalon. Kurrkush deri tash nuk e ka sfidu kushtetutshmëninë e atij ligji.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5060